Kërko

Una donna ucraina in lacrime  (AFP or licensors) Una donna ucraina in lacrime (AFP or licensors)

Ukrainё, Selia e Shenjtë: Papa mbron jetën, nuk merr qëndrime politike

Një deklaratë e zyrës sё shtypit tё Vatikanit i përgjigjet polemikave që janë ngritur ditët e fundit rreth fjalëve të Papёs Françesku, citon ndërhyrjet "e shumta" tё Papës mbi luftën dhe kujton se ai gjithmonë e ka dënuar agresionin rus si "moralisht të padrejtë, të papranueshëm, barbar, të pakuptimtë, të çmendur, të neveritshëm dhe sakrilegj"

R.SH. - Vatikan

Papa flet si një bari shpirtёror që mbron çdo jetë njerëzore, jo si një politikan. Ky pra është leximi i saktë që duhet bërë edhe mbi ndërhyrjet e tij të shumta në luftën në Ukrainë. Kёshtu  thuhet në një deklaratë tё Selisё sё Shenjtë, e cila vjen një jave pas fjalëve të Papёs Françesku thёnё në audiencën e pёrgjithshme të mërkurën më 24 gusht, me tё cilin rast përmend atentatin në Rusi në të cilin humbi jetën vajza e Dughin. Fjalë që kanë ngjallur reagime polemike edhe në nivelin politik dhe institucional në Ukrainë.

“Në kuadër të luftës në Ukrainë – thuhet në deklaratën e Selisë së Shenjtë – ka ndërhyrje të shumta nga Ati i Shenjtë Françesku dhe bashkëpunëtorët e tij mbi këtë ngjarje. Ata kryesisht kanë si qëllim të ftojnë barinjtë e besimtarët në lutje dhe të gjithë njerëzit vullnet të mirë në solidaritet dhe qё tё bёjnё çdo përpjekje për të rindërtuar paqen”.

“Në më shumë se një rast, si edhe ditët e fundit, janë ngritur diskutime publike për rëndësinë politike që duhet t'u atribuohet ndërhyrjeve të tilla. Në këtë drejtim, ripohohet se fjalët e Atit të Shenjtë mbi këtë çështje dramatike duhet të lexohen si një zë i ngritur në mbrojtje të jetës njerëzore dhe të vlerave që lidhen me të, dhe jo si qëndrime politike”.

“Sa i përket luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë, të nisur nga Federata Ruse – përfundon deklarata e Vatikanit – ndërhyrjet e Atit të Shenjtë Françesku janë të qarta dhe të njëkuptimshme në dënimin e luftёs si moralisht tё padrejtë, tё papranueshme, barbare, tё pakuptimtë, tё neveritshme dhe sakrilegje”.

30 gusht 2022, 14:11