Signis, Ruffini: nuk mjafton vetëm lidhja në rrjet për të komunikuar
R.SH. – Vatikan
Ka gjëra që teknologjia nuk mund t'i zëvendësojë. “Si lirinë, për shembull. Si mrekullinë e takimit ndërmjet njerëzve, befasimin nga e papritura, kthesën në udhën e Zotit, çastin kur të vjen një ide e jashtëzakonshme, dashurinë pa interes”. Kështu pohoi prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini, duke folur në Kongresin Botëror të rrjetit katolik “Signis”, shoqatë ndërkombëtare për profesionistët katolikë në fushën e komunikimit. Veprimtaria, që këtë vit kishte për temë "Paqja në botën dixhitale", vijon në Seul deri më 19 gusht. Kryeqyteti i Koresë së Jugut po përgatitet të jetë qyteti i parë, që do të kalojë - si qytet - kufirin e metaversit (bashkësi ambientesh virtuale tripërmasore, në të cilat njerëzit mund të ndërveprojnë me njëri-tjetrin përmes avatarëve të personalizuar) për t'i bërë shërbimet e tij më efikase.
Tejet i lidhur, por edhe i vetmuar
Prefekti i Dikasterit për Komunikimin kujtoi se teknologjia, fryt i inteligjencës njerëzore, sot, mundëson gjëra - si telekonferencat, telemjekësinë, tregtinë elektronike - "që ishin të paimagjinueshme vetëm disa dekada më parë". Por paradoksi i kohës sonë, theksoi ai, është se “ne jemi tejet të lidhur, por edhe vetëm”. “Pikërisht këtu qëndron problemi. Kur nuk ka më komunikim, por vetëm lidhje”. Pikërisht atëherë “duhet ta pyesim veten, të bëjmë një shqyrtim personal dhe kolektiv të ndërgjegjes”. Dhe t’u përgjigjemi disa pyetjeve. Si është e mundur të jesh tejet i lidhur dhe tmerrësisht i vetmuar në të njëjtën kohë? Çfarë i mungon lidhjes për ta mbushur këtë vetmi? "E vetmja mënyrë për t'iu përgjigjur sfidës së teknologjisë - nënvizoi Paolo Ruffini - është të mos e mendojmë atë si idhull. Por edhe të mos e demonizojmë. Të mos mendojmë se asaj i është besuar detyra për ta shëlbuar njerëzimin. Por edhe të mos na duket se prej saj varet humbja e shpirtit të tij”.
Lumturia nuk blihet
Paolo Ruffini kujtoi se në vitin 2014, pikërisht në Republikën e Koresë, duke iu përgjigjur një vajze gjatë takimit me të rinjtë në shenjtëroren e Solmoe-s, Papa Françesku theksoi se "lumturia nuk mund të blihet". “E kur e blen lumturinë – shtoi Papa – atëherë e kupton se ajo të ka rrëshqitur nga duart… Lumturia që blen nuk zgjat. Vetëm lumturia, që vjen nga dashuria, vetëm ajo zgjat”. "Konsumizmi - theksoi Paolo Ruffini – e ngatërron kënaqësinë afatshkurtër me lumturinë më të thellë dhe më të qëndrueshme". “Ne e dimë se nuk jemi vetëm konsumatorë. E akoma më pak, objekte për t'u konsumuar. E dimë shumë mirë se vetëm marrëdhëniet, lidhjet e bazuara në dashuri mund të na e heqin vetminë, mund të zgjasin, mund të na bëjnë të lumtur”. “Dashuria – vuri në dukje prefekti i Dikasterit të Komunikimit – bazohet në këtë brishtësi tejet të madhe, që është ndjenja e nevojës për dashuri, për të dashur dhe për t’u dashur, për të dhuruar dhe për t’u dhuruar. Kjo është baza e gjithë komunikimit. Kjo është arsyeja pse nuk mjafton vetëm lidhja në rrjet”.
Rreziqet e bashkësive të rrjeteve shoqërore
Në fjalën e tij, Paolo Ruffini u përqendrua më pas në bashkësitë e rrjeteve shoqërore. Siç shkruan Papa Françesku në Mesazhin e tij për Ditën e 53-të të Komunikimeve Shoqërore, këto rrjete nuk janë automatikisht sinonim i bashkësisë: "tepër shpesh identiteti i tyre bazohet në kundërshtimin e tjetrit, që është i jashtëm për grupin”. “Tepër shpesh, ai përcaktohet mbi bazën e çka na ndan dhe jo mbi çka na bashkon. I lë hapësirë dyshimit dhe shfryrjes së çdo lloj paragjykimi (etnik, seksual, fetar e të tjera)”. “Kështu, ajo që duhej të ishte një dritare mbi botën kthehet në vitrinë, në të cilën secili mund të shfaqë narcisizmin e vet".
Një humanizëm i ri
Sfida e gazetarisë së mirë, e cila është edhe sfida e Signis, është të "gjehen rrugë të reja për një komunikim të ri", të përziehen zhanret dhe gjuhët "duke u përqendruar në dialog dhe jo në marketingun e ideve, në inteligjencën si kategori morale dhe jo në moralizmin fanatik të turmës”. “Duhet krijimtari – siç tha Papa së fundmi në Quebec – për të arritur tek njerëzit aty ku jetojnë, duke gjetur mundësi për dëgjim, dialog dhe takim. Duhet t'i kthehemi thelbit dhe entuziazmit të Veprave të Apostujve”. Komunikatorët katolikë, gazetarët katolikë, të gjithë burrat dhe gratë vullnetmirë, të impenjuar "në frontin e vështirë dhe madhështor të komunikimit, mund të jenë protagonistë të një humanizmi të ri, të mishëruar në bashkësi aktive dhe pjesëmarrëse, mund të jenë shembull për një ide të re qytetarie”.
Signis World Congress
Takime personale, konferenca virtuale për përdorimin e mediave, përfshirë mediat shoqërore. Ky është horizonti i punimeve të Signis World Congress këtë vit. “Përdorimi i mediave dixhitale, sidomos i mediave shoqërore – thuhet në mesazhin, që Papa Françesku dërgoi për këtë Kongres që në qershor – paraqet një numër të madh çështjesh serioze etike, që kërkojnë gjykim të urtë dhe të thellë nga ana e komunikatorëve dhe nga të gjithë ata, që merren me autenticitetin dhe cilësinë e marrëdhënieve njerëzore. Nganjëherë, në disa vende, faqet e mediave janë bërë fusha të helmatisura, ku nxitet urrjetja dhe publikohen lajme të rreme. Në përballimin e kësaj sfide, Signis mund të luajë një rol të rëndësishëm përmes edukimit mediatik dhe përmes një rrjeti mediatik katolik, që lufton gënjeshtrat dhe çinformimin”.