Kard. Parolin për “Limes”: Kisha është “pacifiste”, sepse beson dhe lufton për paqen
R.SH. – Vatikan
“Diplomacia e Selisë së Shenjtë nuk është e lidhur me një shtet, por me një realitet të së drejtës ndërkombëtare, që nuk ka interesa politike, ekonomike apo ushtarake. Ajo vihet në shërbim të Ipeshkvit të Romës, i cili është bari i Kishës universale”. Nis kështu intervista e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, mbi diplomacinë e Selisë së Shenjtë, publikuar nga revista italiane e gjeopolitikës “Limes”, me titull “Lufta e Madhe”, nën kujdesin e drejtorit, Lucio Caracciolo dhe të gazetarit Guglielmo Gallone.
Nga diplomacia e Selisë së Shenjtë, universale, sepse “përfaqësuesit papnorë vijnë nga Kishat lokale në mbarë botën” dhe kanë “funksion të qartë kishtar”, tek gjeopolitika, “e domosdoshme për ushtrimin sa më të frytshëm të profesionit të diplomatit”. Nga roli ndërkombëtar i Papës Françesku, simbol bashkë me paraardhësit i “një kishe më pak eurocentrike” dhe me “një vështrim shumëpalësh në lidhje me problemet ndërkombëtare”, tek veprimtaria e gjatë diplomatike e kardinalit Parolin, për të cilën, nënvizon ai, “falënderoj Zotin që, në situata të ndryshme, pavarësisht nga dobësitë dhe kufizimet, më dha hirin për ta shoqëruar misionin diplomatik me dëshminë meshtarake”. Për të arritur deri në karakterin universal të Kishës, në një botë të ndërlikuar dhe të fragmentuar, karakterizuar nga ajo “Lufta e tretë botërore pjesë-pjesë” për të cilën Papa flet prej vitesh.
Busulla që duhet ndjekur është dhe do të jetë një: Ungjilli
Në të gjitha këto, busulla që duhet ndjekur është dhe do të jetë një: Ungjilli. “Kumt i paqes, premtim dhe dhuratë e paqes - shpjegon kardinali Parolin - të gjitha faqet e tij janë plot me të. E përmendin Engjëjt në çastin e lindjes së Jezu Krishtit në Betlehem. Ai vetë, i saporingjallur, ua uron të vetëve. Kisha ndjek shembullin e Zotit të saj: ajo beson në paqe, punon për paqen, lufton për paqen, e dëshmon paqen dhe përpiqet ta arrijë atë. Në këtë kuptim, Kisha është pacifiste”. E, përsa i përket përdorimit të armëve, Parolin saktëson se “katekizmi i Kishës Katolike e parashikon mbrojtjen legjitime. Popujt kanë të drejtë të mbrohen, nëse sulmohen. Por kjo mbrojtje legjitime e armatosur duhet të ushtrohet brenda kushteve të caktuara, që i rreshton vetë katekizmi: të gjitha mjetet e tjera për t’i dhënë fund agresionit rezultojnë të pazbatueshme, ose të pafrytshme; ka arsye të bazuara për sukses; përdorimi i armëve nuk shkakton të këqija dhe probleme më të rënda se ato, që duhen eliminuar”.
Papa, zë që bërtet në shkretëtirë
Por shpesh e në shumë vende të botës, përdorimi i armëve bëhet pa asnjë kriter. Sepse, siç thekson kardinali Parolin në intervistën për Limes, “lufta fillon në zemrën e njeriut. Çdo fyerje e përgjakshme e largon paqen dhe e bën çdo negociatë më të vështirë”. Papa e përsërit shpesh këtë në thirrjet e tij. Megjithatë, vëren Sekretari i Shtetit të Vatikanit, “zëri i Papës është shpesh vox clamantis in deserto (zë që bërtet në shkretëtirë). Është zë profetik, i një profecie largpamëse. Por është edhe si fara e mbjellë, që ka nevojë për tokë pjellore, përndryshe nuk jep fryt. Nëse protagonistët kryesorë të konfliktit nuk i marrin parasysh fjalët e tij, fatkeqësisht asgjë nuk ndodh, nuk arrihet fundi i luftimeve”. “Edhe sot – vazhdon kardinali Parolin – në ngjarjet tragjike të Ukrainës, duket se tani për tani, nuk ka ndonjë gatishmëri për bisedime të vërteta për paqen dhe për pranimin e një ndërmjetësimi super partes. Është e qartë se nuk mjafton që njëra nga palët ta propozojë apo ta hipotizojë në mënyrë të njëanshme, por është thelbësore që të dyja të shprehin vullnetin e tyre në këtë drejtim. Edhe një herë... vox clamantis in deserto (zë që bërtet në shkretëtirë). Por fjalët e Papës mbeten gjithsesi një dëshmi me vlerë të lartë, e cila prek shumë ndërgjegje, duke i bërë njerëzit më të vetëdijshëm se paqja dhe lufta fillojnë në zemrat tona dhe se të gjithë jemi të thirrur të japim kontributin tonë për të promovuar paqen e për të shmangur luftën”.
Rreziku i një konflikti botëror
I nxitur nga pyetjet e gazetarëve, që kanë parasysh shkallëzimin e luftës në Ukrainë, kardinali pranon “mundësinë e një kërcënimi negativ drejt bashkimit të konflikteve të pjesshme në një konflikt të vërtetë botëror. Besoj se ende nuk jemi në gjendje të parashikojmë apo të llogarisim pasojat e këtyre ngjarjeve. Mijëra vdekje, qytete të shkatërruara, miliona njerëz të shpërngulur, ambienti natyror i shkatërruar, rreziku i urisë, për shkak të mungesës së grurit në shumë pjesë të botës, kriza energjetike... Si është e mundur që nuk e pranojmë se e vetmja përgjigje e mundshme, e vetmja mënyrë e mundshme, e vetmja perspektivë e mundshme është ajo e uljes së armëve dhe e promovimit të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme?”
Dialogu Vatikan-Moskë
Përsa i përket mundësisë së një udhëtimi të Papës Françesku në vendet e Evropës Lindore në konflikt, Sekretari i Shtetit të Vatikanit saktëson se dëshira më e madhe e Atit të Shenjtë, “dhe për rrjedhojë, përparësia e tij”, është që “nëpërmjet udhëtimeve të arrijmë në një rezultat konkret. Në këtë këndvështrim, ai deklaroi se dëshiron të shkojë në Kiev për t’i çuar ngushëllim dhe shpresë popullsisë së goditur nga lufta. Njëkohësisht, deklaroi edhe gatishmërinë e tij për të shkuar në Moskë, në prani të kushteve vërtet të dobishme për paqen”. Parolin vëren më pas se dialogu ndërmjet Romës dhe Moskës është “i vështirë, vazhdon me hapa të vegjël dhe me luhatje”, por “nuk është ndalur”. Takimi në Jeruzalem ndërmjet Papës Françesku dhe Patrikut Kirill u pezullua, sepse “nuk do të ishte kuptuar dhe do të ishte kushtëzuar nga pesha e luftës që vijonte”.
Marrëveshja sekrete ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kinës
Një pjesë themelore e intervistës i kushtohet marrëveshjes sekrete ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kinës. “Dialogu ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore të Kinës – pohon Sekretari i Shtetit të Vatikanit – filloi me dëshirën e Shën Gjon Palit II dhe vazhdoi gjatë papnisë së Benediktit XVI dhe Françeskut, gjë që në vitin 2018, çoi në nënshkrimin e marrëveshjes së përkohshme për emërimin e ipeshkvijve në Kinë. Pikërisht natyra e saj e përkohshme i nxiti palët të mos e bënin publike, duke pritur verifikimin e funksionimit të saj në terren dhe vendimet e mëpasme”. “Janë bërë hapa përpara, por nuk janë kapërcyer të gjitha pengesat dhe vështirësitë, prandaj - nënvizon kardinali - mbetet akoma shumë për të bërë për zbatimin e duhur të saj e, përmes dialogut të sinqertë, edhe për përmirësimin e saj”.
Diplomacitë të “marrin frymë me ritmin e universalitetit”
Kur gazetarët Caracciolo dhe Gallone theksojnë se në botën bashkëkohore “fuqitë duket se nuk janë më në gjendje të kuptohen”, se “shkelen rregullat e lashta dhe zakonet diplomatike” dhe se “tonet polemike arrijnë deri në fyerje të përgjakshme ndërmjet krerëve të shteteve”, kardinali Parolin uron që të gjitha diplomacitë të kenë një këndvështrim universal, të impenjohen në mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave themelore, sidomos të më të brishtëve e më të fundmëve të botës, të punojnë në favor të jetës. Duke mësuar të “marrin frymë me ritmin e universalitetit”.