Kërko

Papa: përfundoi takimi me kardinajtë, tema e fundit Jubileu 2025

Nё njё "atmosferë vëllazërore e nё mënyrë tё hapur" u fol mbi reformën e Kuries Romake dhe misionin e Kishёs sot.

R.SH. – Vatikan

Përfunduan sot pasdite nё Vatikan punimet e Mbledhjes së Kardinajve mbi  kushtetutën e re apostolike ‘Praedicate Evangelium’, e cila reformon Kurien Romake, e cila hyri në fuqi më 5 qershor të kaluar. Kёshtu njofton zyra e shtypit e Vatikanit, duke shpjeguar se në takimin me Papa Françeskun, “i cili u zhvillua në një atmosferë vëllazërore”, morën pjesë gati 200 kardinaj, patriarkë lindorë dhe eprorë të Sekretarisë së Shtetit tё Vatikanit.

Në hapjen e punimeve tё Koncistorit, mbajtur me dyer të mbyllura dje dhe sot, mbi reformën e Kuries Romake (e cila hyri në fuqi qё gati tre muaj), Papa i ftoi të pranishmit të flasin, diskutojnë dhe konfrontohen me njëri-tjetrin, në një "atmosferë sinodale".

Kёshtu, nё njё atmosferë tё pёrzemёrt e vëllazërore kardinajtё diskutuan mbi reformën e re të Kuries Romake sipas kushtetutës apostolike 'Praedicate Evangelium' që hyri në fuqi qershorin e kaluar, më pas u fol edhe për çështje të tjera të rëndësishme në Kishë dhe për Kishën.

Ndër tema qё u nënvizuan nё mënyrë tё veçantë gjatё takimit, në Sallën e Re tё Sinodit, janё: domethënia e sinodalitetit, misioni e misionariteti i Kishës, roli e përgjegjësia e laikёve nё Kurien Romake dhe nё Kishёs. Tani është koha për të vënë në praktikë kushtetutën apostolike ‘Praedicate Evangelium’, përpiluar gjatë diskutimeve qё zgjatën nëntë vjet, një tekst që modifikon emrat dhe strukturat e Kuries Romake.

Puna në grupet gjuhësore dhe diskutimet në sallën e re tё Sinodit “krijuan mundësinë e diskutimit të lirë mbi shumë aspekte që kanë të bëjnë me dokumentin ‘Praedicate Evangelium’ dhe jetën e Kishës”, ndërsa sesioni i fundit pasditen e sotme iu kushtua Jubileut mbi Shpresën 2025.

Kёshtu, “me Meshën e Shenjtë, kryesuar nё ora 17.30 nga Papa Françesku në Bazilikën e Vatikanit, nё bashkёkremtim me kardinajtё nga mbarё bota, pёrfundoi takimi dy ditor i Papёs me kardinajtё dhe secili pjesëmarrës tani do të kthehet në Dioqezën e vet”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit tё Vatikanit.

30 gusht 2022, 18:08