Kërko

Takimi i kardinajve Takimi i kardinajve 

Kardinajtë e botës në Vatikan me Papën për të reflektuar mbi reformën e Kuries

Sot më 29 dhe nesër më 30 gusht, në Sallën e Re të Sinodit, mbahet takimi me dyer të mbyllura për thellimin e aspekteve të Preedicate Evangelium, Kushtetutës Apostolike në fuqi që nga 5 qershori i kaluar. Tri, seancat në mëngjes dhe pasdite e pastaj, të martën, Mesha në Shën Pjetër me kardinajtë e rinj. Dy ditët do krijojnë edhe mundësinë që anëtarët e Kolegjit të Kardinajve të njihen më shumë me njëri-tjetrin.

R. SH. - Vatikan

197 nga 226 kardinajtë marrin pjesë sot e nesër, më 29 dhe 30 gusht, në mbledhjen me dyer të mbyllura, të kërkuar dhe të thirrur nga Papa, për të thelluar Kushtetutën Apostolike Praedicate Evangelium, me të cilën Françesku reformoi Kurien Romake. Ky është ndoshta takimi më i madh dhe më i ndjekur i Papës me Kolegjin e Kardinajve. Asnjëherë, gjatë  dhjetë vjetëve të papnisë të Jorge Mario Bergoglio, nuk është mbajtur një takim i tillë me një pjesëmarrje kaq të gjerë, veç atij të tetë vjetëve më parë, kur Papa pati thirrur Sinodin e dyfishtë për familjen (2014-15), duke ftuar rreth 180  ipeshkvij e kardinaj.

Sesionet e punës

Pasi erdhën në Romë nga vendet e tyre ditët e fundit për të mirëpritur 20 bashkëvëllezërit e rinj të krijuar në Koncistorin e 27 gushtit, kardinajtë, së bashku me patriarkët lindorë dhe eprorët e Sekretarisë së Shtetit, do të ndjekin tri seanca pune në Sallën e Sinodit të Ri, ndërmjet mëngjesit dhe pasdites, me një pushim për drekë. Në përfundim të këtyre ditëve, të martën, më 30 gusht, në orën 17.30, mesha e Papës në Bazilikën e Shën Pjetrit me kardinajtë e rinj, që Françesku nuk mundi ta kremtonte dje, sepse po vizitonte L’Aquilan.

Pjesëmarrësve - siç pohuan ata vetë - javët e fundit iu dërgua një axhendë, me temat dhe pyetjet mbi aspekte të ndryshme lidhur me Dokumentin. Ata do ta diskutojnë gjatë ditës sot dhe nesër në mëngjes, në grupe gjuhësore dhe më pas do të kenë çaste diskutimi, në seancën plenare në sallë.

Njoftimi i Papës

Pikërisht në Engjëllin  e Tënzot të 29 majit të kaluar, në të njëjtën kohë kur   shpalli krijimin e kardinajve të rinj, Papa Françesku njoftoi se donte të organizonte një mbledhje dyditore me Kolegjin e Kardinalor, për të shpjeguar përmbajtjen dhe risitë e Kushtetutës Apostolike, shpallur më 19 marsin e fundit, pothuajse papritmas, ndonëse pas një shqyrtimi gati dhjetëvjeçar.

“Të hënën dhe të martën, më 29 dhe 30 gusht, të gjithë kardinajtë do të mblidhen për të reflektuar mbi Kushtetutën e re Apostolike Preedicate Evangelium, ndërsa të shtunën, më 27 gusht, do të mbledh Koncistorin për krijimin e kardinajve të rinj”- pati njoftuar Papa.

Risitë dhe përmbajtja e Preedicate Evangelium

Dokumenti hyri në fuqi më 5 qershorin e kaluar, në solemnitetin e Rrëshajëve. Teksti përmban dhe sistemon shumë nga reformat e zbatuara tashmë nga Papa vitet e fundit, të studiuara dhe të formuluara nga Këshilli i Kardinajve, i krijuar nga Françesku në fazat e para të papnisë të tij. Kushtetuta sjell edhe disa risi, duke nisur nga bashkimi dhe ndryshimi i emrit të Dikastereve të ndryshme. Mbi të gjitha, Praedicate Evangelium - siç ta kujton vetë emri - krijon një strukturë më misionare të Kuries, në mënyrë që ajo të jetë gjithnjë e më shumë në shërbim të Kishave të veçanta dhe të ungjillizimit.

Natyra misionare

Dhe pikërisht ky është një nga aspektet kryesore rreth të cilave Papa dhe kardinajtë, ardhur nga pesë kontinentet, do të reflektojnë gjatë dy ditëve. Parë jo vetëm si çelës për të lexuar reformën, por edhe si adresë globale për Kishën e kohëve tona. Edhe pse i përqendruar mbi ndryshimet në strukturën e Dikastereve dhe zyrave, Praedicate Evangelium ‘zgjeron’ kufijtë e Kuries, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë me Konferencat Ipeshkvnore dhe me dioqezat e ndryshme të pesë kontinenteve.

Një urë ndërmjet Kuries dhe ipeshkvnive

“Me Kushtetutën, ndërmjet Kishave të ndryshme dhe Kuries tani krijohet një hapësirë dëgjimi e dialogu”, shpjegoi për Vatican News kardinali i ri Leonardo Steiner, kryeipeshkëv i Manhaus, në Amazonën braziliane, gjatë takimit të së shtunës së kaluar në Sallën e Shtypit, disa orë para Koncistorit. “Tani ne nuk do të vijmë në Romë për të thënë atë që kemi bërë, tani vijmë për të mësuar, por edhe Kuria di të mësojë në një mënyrë tjetër. Perceptohet më mirë kush është në shërbim të Atit të Shenjtë, në shërbim të ipeshkvijve, dhe kjo na bën të shpresojmë se do të jemi kishë më vëllazërore, ku ndjehet larmia kulturore, ku jetohet dhe pranohet kjo larmi”, tha Steiner.

Kisha në shtegtim

Ka shumë çështje për t’u reflektuar: bashkëpunimi ndërmjet Kuries dhe ipeshkvijve, prania e laikëve në rolet me përgjegjësi, “fryma misionare” dhe “kthesa e Kishës”. Në veçanti, këto dy të fundit “janë elemente shumë të rëndësishme” - nënvizoi kardinali i ri Arthur Roche, prefekt i Dikasterit për Kultin Hyjnor. “Praedicate Evangelium nuk ka lidhje vetëm me reformën e Kuries, por edhe me marrëdhëniet ndërmjet të gjitha Konferencave Ipeshkvnore dhe Selisë së Shenjtë. Misioni dhe kthesa i përfshijnë të gjithë në një proces pothuajse sinodal. Mund të themi se jemi  Kishë në shtegtim”.

Thelloni njohuritë

Takimi sot dhe nesër do të jetë edhe një mënyrë për krijimin e mundësive  që kardinajtë, të cilët aktualisht përbëjnë Kolegjin e Kardinajve, disa prej të cilëve vijnë nga periferitë e botës dhe realitetet e largëta, të mund të thellojnë njohuritë e tyre. Vizioni universal që ka karakterizuar gjithmonë zgjedhjet e Papës Françesku për Koncistorin me përfaqësimin e vendeve që kurrë në historinë e tyre nuk kishin pasur kardinal (nga Tonga në Brunei, nga Mongolia në Haiti, nga Bangladeshi në Laos në Lesoto), krijoi kushtet që Kolegji tani të përbëhet nga anëtarë të largët si për prejardhjen kulturore dhe ndjeshmërinë baritore, ashtu edhe për pozitat gjeografike, që e bëjnë të vështirë ndjekjen a pjesëmarrjen ndër takime, në Romë. Takimi me Papën do të bëhet më pas një hapësirë ​​për dialog dhe thellim 'njerëzor', siç nënvizoi kryeipeshkvi i nderit i Kartagjenës, kardinali kolumbian Jorge Enrique Jiménez Carvajal. “Koncistori dhe takimi me Papën ndihmojnë për t’u njohur me njëri-tjetrin, për të qenë më të ndërgjegjshëm dhe për t’u përgatitur për të ardhmen”.

29 gusht 2022, 12:59