Kërko

Imzot Peña Parra: Krishti e mban Kishën në këmbë

I dërguari i Papёs për kremtimet e njëqindvjetorit të përkushtimit të Shenjtores së Zojës së Bekuar tё Altagracias në Santo Domingo, Imzot Peña Parra kujtoi se: ne jemi thirrur të ndërtojmë Kishën sipas planit të Zotit dhe me hirin e tij të shndërrojmë kulturën e vdekjes në një kulturë të jetës

R.SH. - Vatikan

“Themeli ynë është Krishti”, Ai është “gur themeli që e mban në këmbë tërë ndërtesën”. Duke kremtuar, në Santo Domingo si i dërguar i posaçëm i Papës, Meshën me rastin e njëqindvjetorit tё përkushtimit të Shenjtores Arqidioqezane të Zojës së Altagracias, Nënës e Pajtores Qiellore së Republikës Domenikane,  Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit pёr Çështje të Përgjithshme, imzot Edgar Peña Parra kujtoi se "ndërtimi i Kishës nuk është vetëm ndërtimi i një vepre materiale, por i një tempulli të gjallë të përbërë nga bijtë dhe bijat e Zotit, nga i cili buron ujë i aftë për t'i dhënë jetë botës". Ky ujë, shpjegon ai, është "hiri i Zotit" që "freskon dhe transformon shpirtrat e besimtarëve".

Me dyer tё hapura

“Komunitetet tona duhet t'i kenë gjithmonë dyert e tyre të hapura për të mirëpritur këdo, në mënyrë që kushdo që na shikon të mund të përjetojë praninë e Zotit në mesin tonë dhe të transformohet nga uji i gjallë që buron nga tempulli i tij, Kisha. Sepse – vazhdon imzot Peña Parra - hiri i Tёnzot i fuqishëm dhe i frytshëm na lejon të transformojmë kulturën e vdekjes në një kulturë jete”.

Një punë artizanale

"Ndërtimi i Kishës - shtoi Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit pёr Çështje të Përgjithshme - është një punë artizanale, të cilën Zoja Bekuar – Virgjёra Mari na mëson ta bëjmë me përvujtёri, sepse vetëm ata që e njohin veten të vegjël mund ta shohin Jezusin". Ashtu si Zakeu, një burrë me shtat tё vogël, i cili, për t'u përpjekur sinqerisht të dijë se kush ishte Jezusi dhe pёr ta pa me sytë e tij, ngjitet në një pemë fik, edhe “ne jemi thirrur, si Zakeu”, nёnvizoi prelati, “t’i ndryshojmë modelet e jetës që na largojnë nga Zoti dhe të ndërmarrim nisma që e bëjnë jetën e re të shkëlqejë dhe të japë fryte të mira”.

Përjetimi i kufizimeve

“Me Zakeun ne përjetojmë gjithmonë kufizime, ndonjëherë nuk arrijmë t'i shohim qartë planet e Zotit dhe madje edhe ngatërrohemi në rrëmujën e ideve dhe mënyrave të të menduarit që nuk janë gjithmonë në përputhje me Ungjillin. E edhe nëse ëndrrat tona janë të larta, ne e kuptojmë se nuk mund t’i arrijmë gjithmonë të gjitha të mirat që i propozojmë vetes me forcën tonë njerёzore”.

Koha jonë ёshtё tani

“Njëqind vitet e historisë” të përkushtimit të Shenjtores së Zojës së Altagracias “na tregojnë se ishin të tjerët ata që hodhën themelet e kësaj Kishe domenikane, por në të njëjtën kohë na kujtojnë se ky, i tanishëm, është momenti ynë”. Duke ndjekur këshillën e Shën Palit, “secili duhet t’ia vёrё mendjen se si ndёrton: sepse bota na shtyn të ndërtojmë struktura që shpesh bien ndesh me planin e Zotit, që dëmtojnë familjen, që kërcënojnë jetën, që i lëndojnë të rinjtë dhe ëndrrat e tyre. Megjithatë”, përfundoi imzot Peña Parra, “nuk duhet të humbasim shpresën, por të jemi të vëmendshëm, ta kërkojmë Zotin me zemër të sinqertë, ta lejojmё Zotin të banojë në strehën tonë të përulur, që është ndërgjegjja jonë, dhe të jetë Ai themeli mbi të cilin e ndërtojmë Kishën dhe shoqërinë”.

Rruzarja e Papës

Në pёrfundim të kremtimit Eukaristik, Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit pёr Çështje të Përgjithshme, imzot Peña Parra  në emër të Papёs Françesku vendosi te këmbët e fugures së Zojës së Altagracisë një Rruzare të bekuar prej Atit tё Shenjtё Bergoglio, në shenjë të dashurisë dhe devocionit marian të Ipeshkvit tё Romës dhe si shenj e "lutjes së tij të vazhdueshme për mbarë popullin e Republikës Domenikane". Më 15 gushtin e kaluar, në Solemnitetin e Ngritjes sё Virgjërës Mari nё Qiell, prelati imzot Peña Parra  udhëhoqi kremtimet mbylljes sё Vitit Jubilar Altagracian, i cili përkujtonte njëqindvjetorin e kurorëzimit kanonik të Virgjërës së Altagracisë. “Është sikur Nëna jonë e Altagracisë të na thotё se kurora e saj jemi ne, Populli i Shenjtë i Zotit, e gjithë Kisha”.

17 gusht 2022, 12:02