Kërko

. Giovanni Battista Scalabrini . Giovanni Battista Scalabrini 

Giovanni Battista Scalabrini, atë i emigrantëve

Më 21 maj, pas vërtetimit të mrekullisë e dytë, Papa dha miratimin për shenjtërimin e themeluesit të lum të dy degëve misionare të Shën Karlit: data vendoset sot, në koncistor.

R. SH. - Vatikan

U shpall i Lum më 9 nëntor 1997, nga Papa që i parapriu në rrugën e shenjtërisë, Gjon Pali II. E tani Giovanni Battista Scalabrini do të jetë së shpejti shenjt, ashtu si është prej kohe në zemrat e atyre, që iu lutën si pajtor i emigrantëve. “Për të nënvizuar ndjenjat e të Lumit Scalabrini për ata, që emigruan – kujton postulatori i përgjithshëm i skalabrinianëve, At Graziano Battistella – kujtojmë mëshirën, që shndërrohet në veprim dhe në nismat e shumta për t’i ndihmuar konkretisht”.

Thirrja dhe dëgjesa

Giovanni Battista lindi në vitin 1839, në dioqezën e Komos. Që në moshë të njomë mësoi, në familje, t’i donte Kryqin dhe Eukaristinë, të thoshte Rruzaren, aq sa një nga lojërat më të preferuara me shokët e tij ishte të bënte sikur kremtonte meshën dhe të mbante predikime. Sapo u rrit, ajo që ishte thjesht lojë, do të bëhej jeta e tij. Në moshën 18-vjeçare hyri në seminar: u shugurua meshtar në vitin 1863 dhe i njoftoi menjëherë të dashurit e tij se do të largohej si misionar: ndjente një thirrje të fortë, të pakundërshtueshme, për të dalë e për të ungjillizuar! Domethënë, për të bërë atë, që ne sot e quajmë Kisha në dalje. Por vullneti i tij do të ndeshej me atë të ipeshkvit, i cili e donte në Como: e Kisha e tij në dalje, do të ishte aty. Dhe jo vetëm. “Misioni është diçka që i përket gjithë Kishës; si besimtarë jemi thirrur të gjithë të jemi misionarë - shpjegon postulatori – për të kujtuar se Scalabrini bëri më pas dy udhëtime të gjata shumë të rëndësishme: në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 1901 dhe në Brazil dhe Argjentinë, në 1904. Prifti i ri, duke iu bindur ipeshkvit të tij, brenda një kohe të shkurtër kalon nga mësimdhënia, në rektoratin e seminarit të vogël të qytetit, ndërsa i besohet famullia periferike e Shën Bartolomeos, ku vetëm në pesë vjet riorganizon shkollën, merret me formimin e katekistëve, viziton të sëmurët dhe të moshuarit, themelon oratorin mashkullor, azilin për fëmijë dhe një shoqëri të ndihmës reciproke për punën, që mungonte. Në vitin 1876, në moshën 36-vjeçare,  u emërua ipeshkëv i Piacenzës, qytet ku do të jetonte deri në vdekje.

Çështja shoqërore e emigrantëve

Është ipeshkëv në dalje, Giovanni Battista, shihet qartë! Viziton 365 herë famullitë e dioqezës së tij, duke përfshirë ato malore, ku nuk kishte shkelur klurrë ndonjë bari, organizon tre sinode dioqezane, më shumë se një shekull e gjysmë nga i fundmi, i jep shtysë të re Veprimit Katolik dhe themelon revistën periodike “Katekisti Katolik”. Më pas shkruan, shumë,  si vëzhgues i vëmendshëm i realitetit, që e rrethon. Shikimi i shkon përtej kufijve të Piacenzës, thellohet në çështjet italiane duke shikuar edhe më tutje. I paharrueshëm shkrimi i tij kushtuar vëllezërve, emigrantë të cilët i shikon në radhë, në stacionin e Milanos duke pritur të hipin në trenin që do t'i çojë drejt jetës më të mirë, tani për tani vetëm në ëndërr:

“Në fytyrat e tyre të nxira nga dielli e të zhubrosura nga rrudhat e parakohshme, vulosur zakonisht nga mungesa dhe emocionet, pasqyroheshin qartë ndjenjat, që ua trazonin zemrat në ato çaste - shkruan ipeshkvi - ishin pleq të kërrusur nga mosha e nga lodhja, burra në fillim të burrërisë, gra që tërhiqnin pas ose mbanin në krahë fëmijët e tyre, djem e vajza, të gjithë të bashkuar nga një mendim i vetëm, të gjithë me synimin drejt një qëllimi të përbashkët. Ishin emigrantë”.

Dhe kështu i shkrep në zemër ëndrra e vjetër. Si rrufeja! Tani e ndjen se mund të jetë misionar.

Kjo thirrje misionare nuk iu shua kurrë në shpirt

Filloi me botimin e “Emigracionit italian në Amerikë”, në 1887, për të sqaruar qëndrimin e tij ndaj këtij problemi. Më pas mori nga Leoni XIII miratimin e projektit për një institut priftërinjsh që do t’i kushtohej tërësisht ndihmës shpirtërore të italianëve të emigruar. I mirëpriti menjëherë dy anëtarët e parë dhe, një vit më pas, nisi me mision dhjetë misionarë të atij që, me hartimin e Rregullave të reja në 1895, do të bëhej kongregacioni i Misionarëve të Shën Karlos. Në këtë kohë do të ndikohet shumë nga një episod. Një nga misionarët e tij do të kthehej nga Brazili me një fëmijë që i vdiq në krahë gjatë shtegtimit. Imzot Scalabrini e kuptoi sakaq se në këtë vepër ndjehej nevoja edhe për kujdes e ndjeshmëri femërore. Kishte pasur tashmë kontakte me rregulltare, si Nëna Cabrini, të cilën e kishte dërguar me mision në Amerikë. Kështu, më 25 tetor 1895, lindi edhe Instituti i Misionareve të Shën Karlit.

“Të bëhem Shenjt: hoc est omnis homo”

Imzot Scalabrini besonte thellë se çdo njeri mund të bëhet shenjt, aq sa shenjtëria u bërë misioni i tij i dytë, kur ndjeu se vdekja po i trokiste në portë! E ai “ia hapi portën” në vitin 1905.

Në vitin 1987 Gjon Pali II ia njohu virtytet heroike nëpërmjet shpalljes së një dekreti, ndërsa Procesi për Lumnimin do të zhvillohej ndërmjet viteve 1994 dhe 1995. Kremtimi u mbajt në Sheshin e Shën Pjetrit dy vjet më vonë e festa e tij liturgjike u caktua në ditën e lindjes së tij për Qiell. Më 21 majin e kaluar Papa Françesku, duke parë se shembulli i të Lumit Scalabrini është ende gjallë dhe se ka shumë shenja të ndërmjetësimi nga ana e tij në ndihmë të njerëzve, që kalojnë çaste të vështira, posaçërisht emigrantëve, mblodhi koncistorin për shenjtërimin e tij, pasi u pranua edhe mrekullia e tij e dytë, siç ndodhi tashmë edhe për Gjonin XXIII.

27 gusht 2022, 12:18