Kërko

 Shërbëtori i Zotit, Petro Oros Shërbëtori i Zotit, Petro Oros 

Do të jetë i lum Petro Oros, meshtar ukrainas, martir nën regjimin komunist sovjetik

Papa e njeh si krim i kryer nga urrejtja për fenë, masakrimin e rregulltarit të Eparkisë Greko-Katolike të Mukaçevos, vrarë në Ukrainë në vitin 1953, kur vendi ishte Republikë sovjetike. Shpallen edhe dekretet për virtytet heroike të pesë të nderuarve të rinj, duke përfshirë edhe drejtorin e “Radio Aparecida”, Vittorio Coelho de Almeida si dhe themeluesin e "Buzagazit Françeskan”, Kapuçinin Umile nga Genova.

R. SH. - Vatikan

Kishin kaluar vetëm pak orë nga kremtimi i Liturgjisë hyjnore klandestine, kur At Petro Paolo Oros ndjeu fishkëllimën e një plumbi që, i nisur nga një pistoletë, i hyri në mjekër e, duke i kaluar nëpër qafë, i doli nga supi. Më 28 gusht 1953, komunistët sovjetikë i dhanë fund në Siltse, në rajonin e Zakarpattias, nën Bashkimin Sovjetik, jetës së priftit, që i përkiste Eparkisë greko-katolike të Mukachevo, në Ukrainë e që u shërbente me besim dhe përkushtim më të ligshtëve, të cilët i qenë besuar. Papa e njohu martirizimin e tij në audiencën e sotme me prefektin e Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, kardinalin Marcello Semeraro. Prandaj Orosi së shpejti do të lumnohet. Njëherësh me martirizimin e tij, u njihen virtytet heroike pesë shërbëtorve të Zotit, që do të jenë të nderuar.

Origjina dhe profesioni

Oros lindi më 14 korrik 1917 në fshatin hungarez Biri, në një familje thellësisht të krishterë. Babai, prift katolik grek, u zhduk kur Petro ishte 2 vjeç. Në moshën 9-vjeçare humbi edhe nënën. Në vitin 1937 hyri në seminarin e Uzghorod, në Transcarpathia, në kufirin ndërmjet Ukrainës dhe Hungarisë. Më 18 qershor 1942 u shugurua meshtar i Heparkisë Greko-Katolike të Mukaçevos, në Ukrainë, me kushtin e çelibatit. Nisi menjëherë shërbimin baritor në disa fshatra si ndihmës-famullitar, duke u vlerësuar për zellin dhe dashurinë e tij ndaj të varfërve. Në vitin 1943, për shkak të luftës, ndoqi një kurs për kapelanët ushtarakë në Barca, afër Košice, kryeqyteti i rajonit homonim të Sllovakisë. U kthye, më pas, në famullinë e tij e cila, në vitin 1944, përfundoi, si i gjithë territori i Transkarpatisë, nën pushtimin e trupave sovjetike të Ushtrisë së Kuqe dhe u bashkua me Republikën Socialiste Sovjetike të Ukrainës, pastaj me BRSS.

Vitet e persekutimit

Me pushtimin e detyruar filloi edhe persekutimi i kishës greko-katolike. Në vitin 1946 Oros u transferua në Bilky, në rrethin Irshava, me detyrën e famullitarit. Nisën menjëherë presionet për të kaluar në Kishën Ortodokse Ruse. Presione, që u intensifikuan edhe më shumë në vitin 1948. Ai kundërshtoi, duke i qëndruar besnik Papës. Në vitin 1949 u ndalua çdo veprimtari baritore dhe u mbyllën të gjitha kishat greko-katolike. Me to, edhe Eparkia e Mukaçevit!

Vrasja

At Oros jetoi, me vetëdije dhe guxim, si i dyshuar, i kontrolluar nga shërbimet sekrete, duke iu nënshtruar arrestimeve dhe padrejtësive arbitrare. Kur, në vitin 1949, Kisha Greko-Katolike u shpall jashtë ligjit dhe personalitetet e vlerësuara në shoqëri u zhdukën sistematikisht, shërbëtori i Zotit vazhdoi ta kryente shërbimin në mënyrë klandestine. Në vitin 1953 kundër tij u lëshua një urdhër arresti. Ai u përpoq të ikte, por më 28 gusht një polic e ndaloi në stacionin e trenit, në fshatin Siltse, dhe e vrau. Vrasja u quajt menjëherë martirizim, pavarësisht se trupi i priftit mbeti i fshehur deri në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Trupi, po jo kujtimi! Kujtimi i tij mbeti i skalitur në zemrat e besimtarëve dhe ashtu vazhdon edhe sot.

Kandil i ndezur para të Shenjtnueshmit Sakrament

Përveç martirizimit të Petro Oros, Papa autorizoi shpalljen e Dekreteve për njohjen e virtyteve heroike të pesë të nderuarve të rinj. Njëri prej tyre është Jesús Antonio Gómez Gómez,  prift kolumbian, rrëfyes i njohur, rektor i kolegjeve, profesor i teologjisë dogmatike. Ai u bë i njohur si “Njeri i rrëfyestores” dhe atë shpirtëror i priftërinjve, seminaristëve, rregulltarëve e murgeshave, pa i harruar kurrë edhe laikët, që ngarendnin te rrëfyestorja e tij. E quanin  “llamba e të Shenjtnueshmit” për orët e shumta që kalonte në adhurim, edhe kur ishte i sëmurë. E njerëve u dukej si qiri që shkrihet para altarit!

Themeluesi i "Buzëqeshjes Françeskane"

Ndërmjet dekreteve është edhe ai që ka të bëjë me kapuçinin Umile nga Genova, i lindur Giovanni Giuseppe Bonzi, themelues i “Sorriso Franciscano” menjëherë pas pasluftës. Ishte një vepër ndihme për fëmijët e varfër, jetimë dhe të braktisur. Për ta prifti shkonte çdo ditë duke lypur paratë e nevojshme. Dhe falë lëmoshëve, qe në gjendje të themelonte edhe Kongregatën e Shërbëtoreve të Vogla të Krishti Fëmijë. Edhe nëse vuajtjet dhe traumat që përjetoi gjatë bombardimeve të Gjenovës e lanë me shqetësime emocionale, që jo gjithmonë ia lehtësonin marrëdhëniet ndërpersonale, ai vazhdoi të ishte i dashur dhe i vlerësuar. Kryeipeshkvi i Gjenovës, kardinali Giuseppe Siri, e mbështeti, pa e humbur kurrë besimin tek ai.

Papa, më pas, njohu edhe virtytet heroike të John Sánchez Hernández, meshtar spanjoll, themelues i Institutit të Shërbëtorëve Laikë të Jezu Krishtit, për të ndihmuar priftërinjtë në shërbesë.

Ungjillëzimi në Radio

Një tjetër akoma: Vittorio Coelho de Almeida,  brazilian, në shërbim baritor pranë Kishës Mariane të Aparecida, ku ishte transferuar pas shërimit nga tuberkulozi. Pikërisht periudha e sëmundjes qe një mundësi që të merrej me radion. Nisi kështu punën në gjirin e ekipit të Radio Aparecidës që në fillimet e transmetimeve në vitin 1951, duke u bërë zëvendësdrejtor në 1958 dhe drejtor i përgjithshëm në 1965. E përdori mikrofonin si mjet ungjillëzimi dhe përhapjeje të mësimeve të Koncilit II Vatikanas. I vlerësuar për thjeshtësinë e tij në komunikim, shpejt u bë i famshëm, ndaj shumë njerëz iu drejtuan për këshilla dhe ndihmë. Në vitin 1969, transmetimet e Radio Aparecidës u pezulluan me urdhër të regjimit ushtarak, i cili e gjykoi fjalimin e 1 janarit, ku komentohej “Deklarata e të Drejtave të Njeriut” si punë armiqësore!

Murgesha mistike indiane

Së fundi, në listën e të nderuarve të rinj, është edhe murgesha orsoline indiane, Maria Celina Kannanaikal, viktimë e persekutimit brenda kongregacionit të saj gjatë noviciatit, për shkak të përvojave mistike që krijuan dyshime te eprorët dhe shqetësime ndërmjet fillestareve. Mësuesja pa në të, ecjen në rrugën e shenjtërisë, por shumë kërkuan të mos lehohej të bënte kushtet. Pas një zgjatjeje të noviciatit për gjashtë muaj - përveç dy viteve kanonike – ajo bëri kushtet e para rregulltare. Nisi të jepte mësim në shkollat ​​fillore, por shpejt u sëmur rëndë me ethe të shpeshta, dhimbje koke dhe të vjella me gjurmë gjaku. Askush nuk ishte në gjendje të bënte një diagnozë të sigurt. Vdiq në vitin 1957 në moshën 26 vjeçare, vetëm tridhjetë e pesë ditë pas kushteve të përjetshme!

05 gusht 2022, 17:24