Kërko

Sot në Ukrainë! Sot në Ukrainë!  Editorial

Ato farë shprese, mes shkatërrimit dhe vdekjes

Rezultati tragjik i gjashtë muajve të luftës në zemër të Evropës dhe arsyet e paqes

ANDREA TORNIELLI

“Të pafajshmit paguajnë për luftën, të pafajshmit!”. Zëri i Papës Françesku duket si zëri i njeriut, që bërtet në shkretëtirë, gjashtë muaj pas fillimit të sulmit të pakuptimtë dhe të tmerrshëm mbi Ukrainën: shkatërrim, vdekje e, akoma, edhe fantazma e konfliktit bërthamor. “Mendoj - tha Papa në përfundim të audiencës së përgjithshme duke kujtuar përgjegjësitë e të gjithëve - për mizoritë e tmerrshme kundër të pafajshmëve, që po paguajnë haraç tejet të lartë për çmendurinë e të gjitha palëve, sepse lufta është çmenduri dhe askush në luftë nuk mund të thotë: “Jo, nuk jam i çmendur”.

Në fund të audiencës së përgjithshme, gjashtë muaj pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë, thirrja e Françeskut “për të shmangur rrezikun e fatkeqësisë së mundshme bërthamore në Zaporizhzhia". E ...

Nuk mund të mësohemi me atë që po ndodh, pas kaq muajsh të ngarkuar me pamje tronditëse, dëshmi e gjallë e vdekjes dhe e shkatërrimit shkaktuar nga armatimet moderne dhe çmimit shumë të lartë të jetëve të pafajshme njerëzore të flijuara, familjeve të shkretuara, shtëpive dhe bizneseve të braktisura, lagjeve të bëra rrafsh me tokë. Zëri i Pjetrit nuk ka heshtur kurrë, është solidarizuar gjithnjë me të sulmuarit dhe me të gjithë ata, që vuajnë pasojat e luftës, por edhe është ngritur edhe për t’i nxitur udhëheqësit e kombeve me tituj të ndryshëm, për të kërkuar rrugëzgjidhje me rrugën e bisedimeve.

Bilanci i këtij gjysmë viti konflikti ndërmjet dy kombeve, në zemër të Evropës, është tragjik. Varret masive, fëmijët e vdekur dhe të plagosur, nënat ukrainase dhe ruse që vajtojnë njomëzakët e tyre, të cilët u shuan duke thithur qumështin e gjirit të tyre, miliona njerëz të zhvendosur, rreziku i urisë dhe i shkatërrimit të mjedisit, dëshmojnë për ligështinë e krerëve të shteteve dhe të organizatave ndërkombëtare dhe paaftësinë për të zbatuar - me guxim dhe frymë krijuese - atë që Papa e quan “skema e paqes”. Shumë, tepër, vazhdojnë arsyetimin sipas “skemës së luftës” dhe e konsiderojnë forcimin e aleancave të vjetra ushtarake dhe nxitimin e çmendur për riarmatim, si të vetmen përgjigje të mundshme. Bota, tashmë e përshkuar nga kaq shumë luftëra, që përbëjnë "copëzat" e asaj Lufte të Tretë Botërore për të cilën Françesku flet vazhdimisht, po mbytet përsëri në dallgët e një Luftë të re të Ftohtë. Për të mos përmendur pasojat e rënda ekonomike dhe të furnizimit me energji, që pritet dridhshëm me afat të shkurtër dhe  të mesëm në shumë vende.

Françesku, në shërbim të paqes

Gjashtë muaj luftë në Ukrainë, gjashtë muaj thirrje të vazhdueshme në të cilat Françesku, në një kohë kur duket se mbizotëron “logjika djallëzore dhe perverse” e armëve, u lut që ...

A është e mundur të shihen shenja shprese në këtë pejsazh shkatërrimi? Po, është e mundur. Një farë shprese është bujaria me të cilën kaq shumë njerëz i hapën dyert për refugjatët ukrainas, sollën personalisht ndihma, u përfshinë në nisma humanitare, pa lejuar të mposhten nga “globalizimi i indiferencës”. Farë tjetër shprese janë edhe organizatat, shoqatat dhe grupet e angazhuara në veprime dhe nisma për paqe, për dialog, për bisedime, duke vënë në rrezik veten ndërsa vizitonin Ukrainën në luftë. Fara e shpresës është ndërgjegjësimi në rritje, i përhapur ndërmjet popujve më shumë sesa ndër liderët dhe prijësit e tyre politikë, për nevojën urgjente të ndalimit të masakrës përmes armëpushimit dhe bisedimeve. Nëse fillimi i konflikteve të reja vazhdon të përgjigjet mbi bazë të modeleve të vjetra, në vend që të guxojë të përpiqet për të ndërtuar një bashkëjetesë të re ndërkombëtare, fati i njerëzimit është tashmë i vulosur!

Së fundi, ekziston një farë shprese e cila është e para dhe më e rëndësishmja për besimtarin.

Ata që besojnë e dinë se luftërat fillojnë në zemrën e njeriut, se Zoti ndërhyn në histori dhe se lutja - veçanërisht ajo e të përulurve, të thjeshtëve, të vuajturve - mund të ndikojë dhe t’i ndryshojë fatet e njerëzimit.

24 gusht 2022, 17:12