At Lombardi: falënderoj Zotin për 80 vjetët e mia: të komunikosh të mirën është mision
R.SH. - Vatikn
At Federico Lombardi, jezuit, mbushi 80 vjet. Jezuiti piemontez, një nga protagonistët e komunikimit kishtar pas Koncilit II të Vatikanit, kreu shërbime të rëndësishme, duke nisur nga detyra e Drejtorit të Radio Vatikanit, tek ajo e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë me Benediktin XVI dhe me Papën Françesku; për 25 vjet drejtoi Radio Vatikanin, fillimisht si Drejtor i Programeve dhe më pas si Drejtor i Përgjithshëm i transmetueses papnore. Për më shumë se 10 vjet drejtoi edhe Qendrën Televizive të Vatikanit.
Një jetë e tërë dëshmie dhe shërbimi ndaj Kishës, e karakterizuar nga pasioni dhe kompetenca, që e vijon edhe sot, si president i Fondacionit Joseph Ratzinger-Benedikti XVI dhe si epror i bashkësisë rregulltare të jezuitëve të “La Civiltà Cattolica” – revista famëmadhe e Bijve të Shën Injacit të Lojolës. Pikërisht në revistën e Shoqërisë së Jezusit At Federico Lombardi hodhi hapat e tij të para si gazetar, duke nisur nga viti 1973. Në vitin 1977 ishte zëvendësdrejtor i saj. Në këtë intervistë për median e Vatikanit, At Lombardi na kujton shkurtimisht diçka nga jeta dhe profesioni i tij, i jetuar përkrah tre Papëve të fundit.
At Lombardi, me çfarë ndjenjash e jetoni ditëlindjen tuaj të tetëdhjetë, e cila i paraprin disa ditë - dhe kjo është gjithashtu domethënëse - 50 vjetorit tuaj të shugurimit meshtarak, 2 shtatorin e ardhshëm?
“Me një ndjenjë befasie, që e arrita! Të gjithë ne, kur jemi të rinj, i mendojmë 80 vjetët, apo 50 vjetët e meshtarisë, si synime të largëta, për njerëz shumë të moshuar... por pastaj, dita-ditës u afrohemi dhe në fund arrijmë atje; madje ndoshta shkojmë edhe më përtej… Prandaj na duket si e papritur, e shoqëruar natyrshëm me shumë mirënjohje, sepse nuk mund bëj tjetër, veçse të falënderoj, si për jetën time, ashtu edhe që jam thirrur ta jetoj këtë jetë si rregulltar dhe si meshtar. Është edhe kohë falënderimi, nëse dëshironi t’i hidhni një sy jetës suaj, vënë në shërbim të Zotit. Por në thelb është kohë falënderimi sidomos sepse ajo që ke marrë është aq madhe, saqë nuk të mbetet tjetër veçse të falënderosh i mahnitur Zotin dhe të thuash: “Faleminderit, më dhatë kaq shumë kohë dhe kaq shumë raste dhe kaq shumë prova të hirit tënd: faleminderit, që më shoqëruat deri këtu. Shpresoj se iu përgjigja pranueshëm dhuratës që më bëtë”.
Nga 80 vitet Tuaja, gati 50 iu kushtuan shërbimit të Kishës dhe Selisë së Shenjtë në fushën e komunikimit. A mund të na kujtoni shkurtimisht, çfarë keni mësuar - ndonëse, sigurisht, sinteza është e vështirë - veçanërisht në shërbim të papëve të ndryshëm ndër vite, për më tepër, të karakterizuara nga zhvillimi i shpejtë, shumë i shpejtë teknologjik edhe në fushën e informacionit?
“Gjëja e parë që mësova mbi bazën e përvojës - e m’u desh jo pak kohë për ta mësuar - është se komunikimi për njeriun që jeton në fe dhe në Kishë është pjesëmarrje në misionin e ungjillëzimit, një nga këndvështrimet, në të cilat mund të shihet gjithë realiteti i botës, i historisë, i marrëdhënies me Zotin dhe ndërmjet njerëzve. Ky është komunikimi: Zoti ynë është Zot që komunikon, Zot që na e komunikoi veten me fjalë, me Zbulesë, me dërgimin e Jezu Krishtit! E gjithë Kisha atëherë ka një mision, që është ta komunikojë, ta bëjë të njohur, ta përhapë këtë Fjalë të Zotit. E kush thirret të punojë në fushën e komunikimit, ai thirret të bashkëpunojë - ndonëse në mënyra dhe detyra specifike - në vetë natyrën e Kishës dhe të marrëdhënies ndërmjet Zotit dhe njerëzimit”.