Archie, Selia e Shenjtë: kur për jetën vendos gjykata, njerëzimi e ka humbur betejën
R.SH. – Vatikan
Dy orë pasi u ndërpre frymëmarrja artificiale, 12-vjeçari Archie Battersbee vdiq të shtunën në Londër në orën lokale 12.15 (13.15 në trevat shqiptare). I mbajtur artificialisht në jetë në Spitalin Mbretëror në Whitechapel, një klinikë në Londrën Lindore, djali ishte shtruar atje që prej katër muajsh, pasi u gjet pa ndjenja, ndërsa ndiqte udhëzimet e një sfide në internet, që u kërkon pjesëmarrësve të kapërcejnë prova rezistence, edhe tepër të rrezikshme. Pasi mjekët e deklaruan të vdekur cerebral, gjykata vendosi ta shkëpusë nga aparatet, që e mbanin në jetë. Nuk vlejti asgjë lufta e prindërve që kjo të mos ndodhte. Të mërkurën e kaluar, edhe Gjykata për të Drejtat e Njeriut refuzoi të ndërhyjë.
Tweet i Akademisë për Jetën
Menjëherë, në faqen e Akademisë Papnore për Jetën, u botua tweet-i i kreut të saj, imzot Vincenzo Paglia, me të cilin ai siguron lutje për shpirtin e djalit dhe për familjen e tij. Pastaj, shton: “Kur jeta e dikujt vendoset nga gjykata, njerëzimi e ka humbur betejën”.
“Burokratizimi” i jetës dhe i vdekjes
Rreth 20 vite më parë, kardinali i ndjerë Carlo Maria Martini, teolog e biblist i njohur, denonconte faktin se shoqëria bashkëkohore perëndimore ia ka lënë në dorë mjekësisë dhe spitaleve dy çastet më themelore të jetës njerëzore: lindjen dhe vdekjen. Gati të gjithë lindin e vdesin në spital. Por kjo nuk është thjesht çështje vendi. Kur lindje e vdisje në shtëpi - gjë, që deri pak kohë më parë, ishte normale – kishte më pak siguri e kushte higjienike, por ishte njerëzore. Secili lindte e vdiste në shtratin ku u zu e, fillimisht, pritej e pastaj shoqërohej nga një familje, që ishte aty më parë, që mezi e pret fëmijën, që vijon udhëtimin e jetës me të e së fundi, e shoqëron për në banesën e përtejme, duke marrë testamentin e brezit të vjetër e dëshminë e tij. Sot, kjo duket sikur ka humbur, ose është zëvendësuar me kritere e vlera të tjera, që synojnë zhdukjen e vuajtjes e të dhimbjes, duke u dhënë përparësi shëndetësisë e sigurisë. Kështu, lindja e vdekja “burokratizohen”, sipas protokolleve, në të cilat ka rëndësi procedura, forma, funksioni.
Përvoja njerëzore
E gjithë kjo përmban në vetvete rrezikun e humbjes së kuptimit për përvojën njerëzore, e cila karakterizohet nga gëzime të mëdha si lindja, por edhe nga dhimbje të mëdha, vuajtje e vdekje. Përvoja të tilla janë pjesë e çdo jete, nga fillimi në fund e, s’mund të hiqen me bisturi, duke e ndarë kohën, që kalojmë në këtë botë, në copa, që na pëlqejnë, ose jo. Në fakt, nuk është e vërtetë që njeriu s’është i lumtur, nëse vuan; përvoja e shenjtorëve na dëshmon shpesh të kundërtën. Zakonisht, vdekjen ia kundërvëmë jetës, por nuk është kështu. E kundërta e vdekjes është lindja e të dyja bëjnë pjesë në jetën e njeriut. Prandaj, njeriu i gjallë, natyrshëm, do të vdesë një ditë, por deri atë ditë, nuk mund të konsiderohet i vdekur, edhe nëse vuan, edhe nëse i bën të tjerët të vuajnë duke parë dhimbjen e tij. Prandaj, pyetja për ne sot është: a jemi në gjendje ta shohim një si Archie Battersbee duke vuajtur? Kërkimi i përgjigjes për këtë pyetje na bën njerëzorë, pavarësisht nga përgjigjja, që i japim. Përndryshe do të ishim “kompiuterë”, në kuptimin që e përdorte piktori i famshëm Pikaso, i cili thoshte “kompiuterat janë të padobishëm, japin vetëm përgjigje”. Ose, siç tha Papa Françesku të premten e kaluar, në takimin me të rinjtë e “Campo Alpha”: “Njeriu, që jeton vetëm me përgjigje është i mësuar të mbyllë, të mbyllë e të mbyllë. Njeriu, që jeton me pyetje, mësohet të hapë, të hapë, të hapë. Zotit i pëlqejnë pyetjet”.