Kërko

Ukraina e bombarduar Ukraina e bombarduar 

Ukrainë, Gallagher: “Të mbahet gjallë shpresa për bisedime”

Në një intervistë për revistën “America”, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare ndalet te konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë, duke i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të rinisë dialogun e të rivendosë paqen. Papa, pohon imzot Gallagher, “dëshiron dhe e ndien se duhet të shkojë në Ukrainë”

R.SH. – Vatikan

“Një luftë e lodhshme”, kundër së cilës “i takon bashkësisë ndërkombëtare të mbajë gjallë shpresën e dialogut, të bisedimeve”: kështu mendon për konfliktin në Ukrainë, kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Në një intervistë me Gerard O’Connell, korrespondent vatikanas i revistës së jezuitëve “America”, prelati kujton vizitën e tij në vend, në maj: “Pashë qëndresën e njerëzve, vendosmërinë, guximin e tyre - pohon ai - Por mësova edhe të njoh shkallën e vuajtjes së tyre”, theksuar nga “humbja e madhe e jetëve njerëzore” dhe nga frika se lufta do të vazhdojë pambarimisht.

Qëndrimi i Selisë së Shenjtë

Për këtë arsye, “pa harruar dhunën e konfliktin”, që vijojnë, kryeipeshkvi Gallagher nënvizon rolin e Selisë së Shenjtë, e cila bën thirrje për bisedime dhe për “rivendosjen e paqes”. Nga ana e Rusisë, shton ai, “nuk pati asnjë ftesë të hapur që Selia e Shenjtë të ndërmjetësojë”; megjithatë, kontaktet ndërmjet dy shteteve mbahen, “në një farë mase, përmes nuncit apostolik në Moskë”. “Qëndrimi i Selisë së Shenjtë u vlerësua – nënvizon imzot Gallagher – por puna nuk shkoi më tej”, ashtu siç nuk pati asnjë ftesë të qartë për Papën që të shkonte në Moskë.

Imzot Gallagher kujton më pas, “mbështetjen e Selisë së Shenjtë për sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës”, duke përsëritur se “u takon ukrainasve të vijojnë bisedimet me të tjerët, veçanërisht me rusët”. Nga ky “parim” rrjedh edhe qëndrimi i Selisë së Shenjtë, e cila nuk do të njohë “asnjë shpallje të njëanshme të pavarësisë”, për shembull, të rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut.

Udhëtimi i Papës

 Përsa i përket shpresës që Papa të shkojë në Kiev në gusht, imzot Gallagher thekson se Françesku “ka bërë përparime të mëdha në lëvizje”, e cila u vështirësua kohët e fundit, për shkak të gonartrozës. Megjithatë, tani po punohet për udhëtimin në Kanada, planifikuar nga 24 deri më 30 korrik, prandaj, çështja e një udhëtimi të mundshëm në tokën ukrainase, ndoshta, do të shqyrtohet “seriozisht” muajin e ardhshëm. Gjithsesi, Ati i Shenjtë “dëshiron dhe e ndien se duhet të shkojë në Ukrainë”, edhe pse nuk ka ftesë nga Moska. “Të dy këto gjëra nuk janë të lidhura – përfundon përfaqësuesi i Vatikanit – mund të ishte gjë e mirë po të lidheshin. Por mendoj se përparësia kryesore e Papës, tani për tani, është të shkojë në Ukrainë dhe të takojë autoritetet, popullin dhe Kishën Katolike” lokale.

19 korrik 2022, 16:54