Kërko

Gallagher  në paraqitjen e  Meeting-ut të Riminit Gallagher në paraqitjen e Meeting-ut të Riminit 

Ukrainë, Gallagher: na duhet diplomacia e parandalimit, jo e reagimit

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet foli në paraqitjen e Takimit 43-të për Miqësinë ndërmjet Popujve, që do të mbahet në Panairin e Riminit, nga 20 deri më 25 gusht 2022, me temë “Pasion për njeriun”. E ripohoi: “Papa do të shkojë në Kiev, ndonëse nuk dihet ende se kur”

R. SH. - Vatikan

Takimi i 43-të kushtuar Miqësisë ndërmjet Popujve do të mbahet, si zakonisht, në Panairin e Riminit, nga 20 deri më 25 gusht 2022. Tema e sivjetme: “Pasioni për njeriun”. Situata e paparashikueshme gjeopolitike ndërkombëtare, drama e refugjatëve, varfëria në rritje edhe për shkak të pandemisë, emergjenca e lidhur me ngrohjen globale dhe rreziqet ekologjike, sfida që prekin të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit, do të jenë sfondi i ngjarjes vjetore. Në paraqitjen e takimit mori pjesë edhe Kryeipeshkvi, imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet. Në përfundim, duke folur me gazetarët e pranishëm,  rikonfirmoi dëshirën e Papës për të shkuar në Ukrainë, duke nënvizuar, megjithatë se “kur e si nuk dihet”. Në udhëtimin e tij të fundit, Prelati pohoi se “ pati fat që shkoi në Kiev në një çast qetësie në terren, pa bomba! Bombat nisën para dhe pas vizitës”. “Pashë shqetësimin dhe mosbesimin, që ngjall lufta në Evropë”. “Në shtëpi ma patën treguar babai dhe gjyshi. Tani e pashë me sytë e mi.  Pashë shkatërrim e mbrojtje: e gjithë kjo m’u duk shkandull për ne. Pashë një popull që rezistonte, gati për të luftuar dhe për të fituar. E gjithë kjo na ndodh ne, ndodhë në kohën tonë, ndërsa mendonim se lufta tashmë kishte marrë fund për Evropën, nëse kujtojmë edhe konfliktin në Ballkan në vitet '90”.

Dështimi i diplomacisë

“Si diplomaci - pohoi imzot Gallagher - ne duhet të pranojmë se dështuam. Diplomacia nuk funksionoi, nuk diti ta shmangë këtë konflikt. Kur mbërrita në Romë nga Australia, më 2015, Papa më shpjegoi se nuk donte diplomaci që reagon, por që parashikon, diplomaci parandaluese. Ukraina na kujton se duhet të përpiqemi t’i parashikojmë konfliktet, se diplomacia duhet të ketë aftësinë për të parë rrezikun që varet mbi botën. E  duhet të ripohojë parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. E gjithë kjo  flet për dështimin tonë. Ndoshta nuk kemi thënë asgjë nga këto. Po përballë dhunës nuk mund të heshtim”.

Solidariteti

Për të thënë të vërtetën, nënvizon Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, “evropianët nuk ishin indiferentë”. E gjithë Evropa i priti e i pret ata, që ikin nga bombat. Por gjithmonë ekziston rreziku i lodhjes nga lufta, yni dhe i popullit ukrainas. Qeveria zvicerane po punon për rilindjen shpirtërore dhe materiale të Ukrainës. Mendoj, ndoshta, se është herët të flasim për rindërtim, por është mirë të mbajmë qëndrim pozitiv. Gjithsesi, ne duhet t’i ndihmojmë ukrainasit për të rindërtuar indin shoqëror të vendit me njerëz të traumatizuar, nevojtarë për shoqërim”.

Pajtimi dhe falja

Imzot Gallagher pohon: “si meshtar detyrohem të kujtoj se ne nuk mund ta shpërfillim mesazhin e pajtimit dhe të faljes, pavarësisht nga vuajtjet e padurueshme. Në Evropë pamë mrekullinë e paqes. Ashtu si atë të pajtimit ndërmjet Francës dhe Gjermanisë disa vite pas Luftës II Botërore. Megjithatë, ne duhet t’i ripërtërijmë disa institucione ndërkombëtare. Ocse (Organizatën për bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik), për shembull, që do të duhej të ishte organi ynë mbrojtës. Por edhe Bashkimin Evropian dhe OKB-në.

Paqja

“Nuk duhet të harrojmë krizën ukrainase. Sot lajmet për luftën janë harruar. Në vend të kësaj, ne duhet të vazhdojmë të kujtojmë Ukrainën, luftën, me vëmendjen lart për projektin e paqes sipas Shpirtit të Zotit, për ta rizbuluar paqen, dhuratë e Zotit, me të cilin njeriu duhet të bashkëpunojë”.

Programi i Takimit

Në takim do të marrin pjesë, ndërmjet tjerësh, kryetari i ipeshkvijve italianë, kardinali Matteo Zuppi; kryeministri italian, Mario Draghi; kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Xhuliano Amato dhe Komisioneri Evropian, Paolo Gentiloni. Të shtunën, më 20 gusht, hapja me temën e paqes dhe pajtimit do t’i besohet Imzotit Pierbattista Pizzaballa, Patriark i Jeruzalemit të Latinëve dhe Kardinalit Dieudonné Nzapalainga, Kryeipeshkëv i Banguit, në Afrikën Qendrore. Në panair do të ngrihen edhe dy pavione, falë bashkëpunimit të Fondacionit Meeting dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme për Bashkëpunim Ndërkombëtar, me titull “Është një Itali, që bashkëpunon”, kushtuar temës së krizës ushqimore dhe emergjencës humanitare.

13 korrik 2022, 12:23