Kërko

Pedro Ortiz de Zárate e Giovanni Antonio Solinas Pedro Ortiz de Zárate e Giovanni Antonio Solinas 

Semeraro: në çdo kremtim lumnimi, festojmë pranverën e Kishës

U shpallën sot të Lum “Martirët e Zetës”, argjentinasi Pedro Ortiz de Zárate dhe sardi Giovanni Antonio Solinas: dy misionarë të vrarë barbarisht nga indiosit më 27 tetor 1683. Kremtimin e lumnimit, në Argjentinë, në San Ramón de la Nueva Orán a Salta, e kryesoi prefekti i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Marcello Semerari.

R. SH. - Vatikan

“Historia e martirizimit që pësuan dy të Lumët e rinj është larg nesh. Larg në kohë, para së gjithash, por, sidomos larg për disa hollësi të përgjakshme, tejet mizore, të papranueshme edhe për sot, kur nuk mungojnë dëshmitë e dhimbshme”.

Këto ishin fjalët e para të homelisë, që mbajti kardinali Semeraro. Kur bëhet fjalë për bijtë dhe bijat e Kishës, të cilët persekutohen dhe dënohen me vdekje nga urrejtja për fenë, për një virtyt të rrënjosur, për drejtësinë e praktikuar a për dashurinë e Krishtit, ndeshemi me dëshmi të të gjitha llojeve, edhe çnjerëzore. Por edhe me shprehjen klasike të Tertulianit: “Sanguis martyrum est semen Christianorum”. (Gjaku i martirëve është fara e të krishterëve të rinj; Apologeticus, 49: PL 1, 535).

 E Shën Agustini do të shtonte:

“Ata që i mbytën dëshmorët, nuk e dinin se gjaku i tyre ishte farë. Aq sa, nga ata pak që ranë në tokë, dolën të korrat, që jemi. Prandaj, vdekja e shenjtorëve është e çmuar në sytë e Zotit, pa çka se në sytë e njerëzve ajo mund të mos ketë asnjë vlerë”.

Krishti u bë farë, e mbiu Kisha

Çka i jep vlerë kësaj vdekjeje - vijoi të kujtojë predikatari -  është fara e parë, nga e cila mbiu Kisha. Krishti u bë farë, e Kisha mbiu... Ja, pra, çfarë po festojmë sot, duke kujtuar martirizimin e martirëve të lum Pedro Ortiz de Zárate dhe Juan Antonio Solinas: festojmë lulëzimin, pranverën e Kishës.

Lum të përndjekurit për drejtësi

Në shpalljen e Ungjillit, gjatë vargut të Lumnive, u kujtua edhe shprehja: “Lum të përndjekurit për drejtësi ...”. Papa Françesku e komenton kështu: “Kryqi, veçanërisht lodhja dhe vuajtjet që duhen pësuar për të jetuar urdhërin e dashurisë dhe rrugën e drejtësisë, është burim pjekurie dhe shenjtërimi. Kur Besëlidhja e Re flet për vuajtjet që duhen duruar për Ungjillin, nënkupton pikërisht përndjekjet. Të pranosh rrugën e Ungjillit çdo ditë, pavarësisht nga problemet që na krijon, është shenjtëri” (Nxitja Apostolike Gaudete et exsultate, 92. 94).

Dy të lumët e rinj, shërbëtorë të ungjillëzimit të parë

Martirizimi i dy të lumëve njihet mirë - kujtoi në vijim jkardinali Semeraro në homelinë e mbajtur gjatë Meshës së lumnimit - për ne ata të dy ishin shërbëtorë të ungjillizimit të parë.

Për të Lumin Pedro, argjentinas, mund të kujtojmë çfarë tha për të Robert Whittington, bashkëkohës i Shën Thomas More: “Ai ka inteligjencën e engjëllit dhe një mençuri të pashoqe. E po aq ëmbëlsi, përulësi, mirësi: burrë për të gjitha stinët!”. Domethënë, dëshmitar i Krishtit në shumë situata të jetës. Ishte “buen político, buen marido y padre, y luego un excelente sacerdote, que conocía bien a los indios y los Defenseía, los bautizaba y cuidaba como cristianos”(Politikan i mirë, bashkëshort dhe baba i mirë e, më pas, prift i shkëlqyer, që i njihte mirë indianët, që i pagëzoi dhe u kujdes për ta si të krishterë). (Përmbledhje Testium XVII, §129).

Eukaristia: buka e të fortëve

Më pas, i Lumi Juan Antonio, italian - kujtoi kardinali Semeraro - me origjinë nga Sardenja. Hyri në Shoqërinë e Jezusit dhe, menjëherë pas shugurimit meshtarak, mbërriti në vendin e misionit, duke iu përkushtuar gjithashtu ungjillëzimit të indianëve. Dëshmitë flasin për përkushtimin e tij bujar ndaj nevojave të tyre, shpirtërore dhe materiale; si dhe për kujdesin baritor në favor të spanjollëve, që jetonin në ato troje. Ishte shtysa misionare që i çoi drejt një takimi të ndërsjellë. Së bashku ata u vunë në shërbim të Ungjillit, besnikë deri në derdhjen e gjakut. Historia e martirizimit të tyre na kujton fjalët e Shën Injacit të Antiokisë, të cilat i gjejmë të shkruara në letrën e tij drejtuar Romakëve: “Më lejoni të bëhem ushqim për kafshët, falë të cilave [do të] mund të arrij tek Zoti. Unë jam gruri i Perëndisë i bluar nga dhëmbët e bishave, për t'u bërë bukë e pastër e Krishtit”(Romakëve IV, 1: Funk, Patres Apostolici, I, 25).

Forca e Eukaristisë

Nga Eukaristia lind forca për të qenë të krishterë, për të mbetur të krishterë, për të jetuar si të krishterë. Humbja lehtësisht e besimit është pasojë e largimit nga Eukaristia, “buka e të fortëve”.

Kur Zoti Jezus, sipas Ungjillit të Markut, ringjalli vajzën e Kryetarit të Sinagogës, urdhëroi t’i jepet për të ngrënë: nga kjo e dimë se shpirtrat tanë nuk mund të qëndrojnë të gjallë dhe të fortë për një kohë të gjatë pa ushqimin shpirtëror.  

Lumnimi, kundrim i dritës së pambaruar

Edhe ne, në ditën e lumnimit të martirëve Pedro Ortiz de Zárate dhe Juan Antonio Solinas, kremtojmë Eukaristinë e Shenjtë. Le të lutemi, pra, kështu:

“O Atë, që i prin Kishës sate në botë, mbaje me fuqinë e shujtës, që nuk prishet e premto që, duke ngulmuar në besim dhe në dashuri, të kundrojë dritën e fytyrës sate. Amen”.

02 korrik 2022, 16:28