Kërko

Scioglimento degli iceberg in Groenlandia per effetto del surriscaldamento del pianeta  (AFP or licensors) Scioglimento degli iceberg in Groenlandia per effetto del surriscaldamento del pianeta (AFP or licensors)

Selia e Shenjtë hyn në Konventën e Klimës dhe në Marrëveshjen e Parisit

Një njoftim për shtyp informon për “aderimin” në dy protokollet, me të cilat Shteti i Qytetit të Vatikanit synon t’u japë kontributin dhe mbështetjen morale përpjekjeve të shteteve, përballë ndryshimeve klimatike. Aderimi në Marrëveshjen e Parisit do të bëhet më vonë, për arsye tekniko-formale

R.SH. - Vatikanit

Instrumenti me të cilin Selia e Shenjtë, në emër të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, hyn në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, u depozitua të mërkurën më 6 korrik, në sekretariatin e OKB-së. Akti u krye nga Kryeipeshkvi Gabriele Giordano Caccia, vëzhgues i përhershëm në Kombet e Bashkuara. Në njoftimin për shtyp, botuar sot nga Zyra e Shtypit e Vatikanit, saktësohet gjithashtu se “Selia e Shenjtë synon ta depozitojë instrumentin e aderimit sa më shpejt të jetë e mundur, bazuar mbi kërkesat ligjore të përcaktuara nga Marrëveshja e Parisit”.  Operacioni parashikohet në dy kohë të ndryshme, për arsye teknike, sepse për aderimin në Marrëveshjen e Parisit, shteti dëshirtar duhet të ketë zbatuar të paktën për dy muaj Konventën e Klimës.

Konventa për klimën

Teksti zyrtar flet për “aderimin” e Selisë së Shenjtë, term ligjor që formalisht përdoret për një shtet, i cili nuk është nënshkrues në zanafillën e një dokumenti, por bashkohet më vonë me shtetet e tjera, që e nënshkruan dhe e ratifikuan atë, gjë që, në thelb, ka vlerën e aderimit të plotë – i cili përfundon kur plotësohen të gjithë parametrat e parashikuara nga protokolli. Në këtë kuptim, për sa i përket pranimit edhe në Marrëveshjen e Parisit, për Selinë e Shenjtë do të bëhet më vonë, sepse që një shtet të bëhet palë në këtë Marrëveshje, duhet të jetë pranuar të paktën prej dy muajsh në Konventën për klimën.

Konventa për klimën

Një notë zyrtare sqaron se objektivi i instrumentit të pranimit, i depozituar tashmë, dhe i atij pasardhës – është kontributi nga ana e Selisë së Shenjtë “për t’i dhënë mbështetje morale përpjekjeve të të gjitha shteteve dhe për të bashkëpunuar, në përputhje me përgjegjësitë dhe kapacitetet e tyre të përbashkëta, por edhe të diferencuara, për t’u dhënë përgjigjen e përshtatshme sfidave të paraqitura nga ndryshimet klimatike për njerëzimin tonë dhe për shtëpinë tonë të përbashkët”.

Duke cituar fjalët e Papës Françesku në videomesazhin e për High Level Climate Abition Summit (Samiti i nivelit të lartë të klimës), më 12 dhjetor 2020, komunikata na kujton se ndryshimet klimatike nuk ndikojnë vetëm mbi ambientin, por kanë edhe pasoja etike, socio-ekonomike dhe politike, që kërkojnë përgjegjësinë për të promovuar “kulturën e kujdesit”, e cila synon veçanërisht të mbrojë më të pambrojturit.

Solidaritet dhe përgjegjësi për një model të ri zhvillimi

Selia e Shenjtë përsërit ftesën e Françeskut në “Laudato si'”, për ta marrë së bashku këtë angazhim duke dialoguar “në rrugën për ndërtimin e së ardhmes së Planetit”. E Papa - siç thuhet në mesazhin e  COP-26 të UNFCCC, shpreson që Konventa dhe Marrëveshja e Parisit mund të ndihmojnë në promovimin e “bashkimit të fortë të të gjithëve” për realizimin e “një modeli zhvillimi më integral, të bazuar mbi solidaritetin dhe përgjegjësinë”.

Këto janë dy vlera, përfundon deklarata, “të cilat duhet të jenë në bazën e zbatimit si të Konventës, ashtu edhe të Marrëveshjes së Parisit, që do t’i udhëheqin edhe përpjekjet e Selisë së Shenjtë në këtë zbatimin e këtij procesi”.

08 korrik 2022, 17:27