Kërko

Profecia e Lampedusës: Papa, tё zbulojmë fytyrën e Jezusit tek emigrantët

Më 8 korrik, nëntë vjet më parë, disa muaj pas fillimit të shërbimit të tij papnor, Bergoglio bëri udhëtimin e tij të parë apostolik, duke shkuar në Lampeduza. Një udhëtim që ishte edhe mesazh sepse në ato pak orë të kaluara në ishullin italian, simbol i dramës së emigrantëve në Mesdhe, Ati i Shenjtë i fton të gjithë t’i shohin emigrantët dhe refugjatët me atë sy, i cili është në gjendje të zbulojë në ta ngarkesën e guximit, të aftësive, të energjive e të aspiratave, që bartin me vete

R.SH. - Vatikan

Nëntë vjet më parë, vizita e Papёs Françeskut në Lampedusa, një ishull italian që simbolizon gjendjen e vështirë të emigrantëve në Mesdhe. Në atë udhëtim të paharrueshëm të parë të Papnisë, Ati i Shenjtё Bergoglio nënvizoi çështjen vendimtare të vëllazërisë. Një paralajmërim që sot shfaqet e prezantohet edhe më urgjent në një botë të shpërfytyruar nga luftërat, ndërkohë që po bëhen përpjekje për të kapërcyer krizën e pandemisë.

Ka ngjarje të kësaj Papnie, zgjedhje të bëra nga Françesku, të cilat me kalimin e viteve marrin një forcë gjithnjë e më të madhe dhe një dimension që, në disa raste, nuk është ekzagjerim të përkufizohet si profetik. Më 8 korrik, nëntë vjet më parë, disa muaj pas fillimit të shërbimit të tij pjetrin (papnor), Bergoglio bëri udhëtimin e tij të parë apostolik, duke shkuar në Lampeduza tё Italisё. Një udhëtim që ishte edhe mesazh sepse në ato pak orë të kaluara në ishullin e Lampeduzёs, simbol i dramës së emigrantëve në Mesdhe, Papa Françesku dëshmoi me gjeste dhe shenja se çfarë donte të thoshte me shprehjen “Kisha nё dalje”, Kisha nё terren. Dhe tregoi pse duhet të nisemi konkretisht dhe jo metaforikisht nga “periferitë ekzistenciale”, nga “periferitё e jetёs” nëse duam të ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më solidare, një njerëzim të pajtuar me vetveten.

Të mikpriten e të mbrohen migrantët

Paqe, pajtim, mikpritje e emigrantëve: këto ka qenё temat kryesore të fjalimit, që Papa u drejtoi ambasadorëve tё Tanzanisë, Lesotho-s, Pakistanit, Mongolisë, Danimarkës e Finlandës pranë Selisë së Shenjtë, pritur në Vatikan mё 16 maj tё vitit 2018, me rastin e paraqitjes së Letrave kredenciale. Porosia kryesore: punoni për të mirën, me vendime, që karakterizohen nga mëshira, largpamja e guximi.

Papa Françesku  foli për bazën e përgjegjësisë dhe rolin e diplomacisë ndërkombëtare, që  duhet t’i shërbejë gjithnjë drejtësisë e harmonisë, pa dalë kurrë nga binarët e unitetit të familjes njerëzore e të dinjitetit të të gjithë anëtarëve të saj.

E, ndërmjet çështjeve më të ngutshme për bashkësinë ndërkombëtare, të cilës janë të thirrur t’i bëjnë ballë edhe ambasadorët e rinj, është ajo e emigrantëve, të detyruar të ikin nga luftërat e nga uria, objekt persekutimi, varfërie e zvetënimi, edhe ambiental, që i detyron të lënë shtëpi e troje.

Ky problem ka një përmasë etike, që i kapërcen kufijtë kombëtarë dhe lëshimet e kufizuara, të lidhura me interesa vetjake. Pavarësisht nga natyra e ndërlikuar dhe delikatesa e çështjeve politike dhe shoqërore, kombet e veçanta dhe bashkësia ndërkombëtare janë të thirrura të japin, sa më mirë që të munden, ndihmesën e tyre në veprën e paqëtimit e të pajtimit, përmes vendimeve politike të karakterizuara sidomos nga mëshira, largpamësia e guximi

Miliona njerëz shiten si skllevër, duke lypur pakëz dashuri njerëzore

Zoti na mëson, përmes shembullit të të përvuajturve e të atyre, që nuk vlejnë fare para syve të botës. Janë të varfërit, tё persekutuarit, migrantёt e të përvuajturit, ata që e kundrojnë praninë e fytyrёn e Zotit, ata, të cilëve u zbulohet pastërtisht misteri i dashurisë së Tij Hyjnore. Kёshtu u shpreh Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, që kremtoi nё Kolombinë e largët, mё 10 shtator 2017, gjatё vizitёs sё apostolike.

Shën Pedron Claver, “skllav i zezakëve përgjithmonë”, si e quajti veten ditën e kushteve të përhershme. Ai – shtoi Papa - i priste anijet që vinin nga Afrika në tregun e parë të skllevërve të botës së re. Shpesh i priste vetëm me gjeste ungjillëzuese, për shkak të pamundësisë për të komunikuar me këta njerëz, që flisnin gjuhë të tjera. Gjithsesi - sqaroi Papa - Shën Pedro Klaveri e dinte se gjuha e dashurisë së krishterë dhe e mëshirës kuptohen nga të gjithë. Sepse dashuria e krishterë të ndihmon ta kuptosh të vërtetën dhe e vërteta kërkon gjeste bamirësie. Pikërisht kur i vinte neveri prej tyre, ua puthte plagët. I përkorë e bamirës deri në heroizëm, pasi ngushëlloi qindra vetmitarë, çfarë ndodhi? Vdiq i braktisur, e harruan, i kaloi katër vjetët e fundit të jetës në qelinë e tij, i sëmurë, i braktisur frikshëm.

Papa e paraqiti si shembull të ndritur, njeri i cili e dëshmoi shkëlqyeshëm  përgjegjësinë dhe vëmendjen që duhet të ketë secili nga ne ndaj vëllezërve. I akuzuar padrejtësisht për zellin e jashtëzakonshëm, iu desh të përballojë kritika të ashpra e  deri kërcënime, sepse shërbesa e tij dëmtonte tregtinë e skllevërve, burim i pashterrshëm pasurie për skllavopronarët e kohës.

E, për fat të keq - kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot - skllavëria në Kolombi e në botë vijon. Miliona njerëz shiten si skllevër, ose zvarriten rrugëve, duke lypur pakëz dashuri njerëzore, një çast dhembshurie, marrin rrugët e detit a nisen në këmbë, pasi kanë humbur gjithçka, duke nisur nga dinjiteti e nga të drejtat e  tyre.

 Zoti, është i pari që ju beson dhe ju fton të keni besim në veten tuaj, në aftësitë tuaja", tha Papa Françesku nё bisedën e tij me të rinjtё e Madagaskarit, në kampin Soamandrakizay mё 7 shtator 2019, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre: "Jezusi ju fton të bashkoheni më Tё për të kapërcyer vështirësitë dhe për t’u dhёnё një përgjigje të krishterë shumë problemeve me të cilat përballeni ju e shoqëria. Është pikërisht Zoti që ju fton të jeni ndërtues të së ardhmes!".

"Ai na beson një mision, por nuk na dërgon vetëm në vijën e parё tё frontit, megjithëse," jemi të ftuar të zbulojmë fytyrën e Jezusit në fytyrat e të tjerëve ".  "Secili prej nesh  - nënvizoi Papa - mund të bëjë gjëra të mëdha, por së bashku mund të ëndërrojmë e tё angazhohemi për gjëra të paimagjinueshme".

07 korrik 2022, 16:29