Kërko

Parolin në Bentiu: e papranueshme që ende sot, njerëzit të jetojnë kështu

Vizita e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në kampin e refugjatëve të brendshëm në shtetin Unity, në Sudanin e Jugut, "periferia e periferive"

R.SH. – Vatikan

Vizita në kampin e Bentiut “ishte një grusht në stomak”. Të vemë dorën në zemër, sepse “nuk mund të pranojmë që në botën e sotme njerëzit të jetojnë në kushte të tilla”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, u kthye në kryeqytetin e Sudanit të Jugut, Juba, pas një dite të kaluar në kampin e refugjatëve të brendshëm në Bentiu, pak jashtë qytetit me të njëjtin emër, në shtetin Unity, në veri të vendit.

Kampi është plot me njerëzit e zhvendosur, për shkak të Luftës Civile të vitit 2013, e cila shpërtheu vetëm dy vite pasi Sudani i Jugut shpalli pavarësinë e zgjati deri në vitin 2020. Pikërisht në këtë shtet është lindur zv.presidenti Riek Machar, një nga protagonistët e konfliktit kundër presidentit Salva Kiir, e pikërisht në këto troje u zhvilluan luftimet më intensive, si rrjedhojë e të cilave shumë njerëz u zhvendosën nga shtëpitë e nga zona e tyre e banimit. Sidomos që nga viti 2019, këtyre u janë shtuar edhe ata, që largohen nga shtëpitë, për shkak të përmbytjeve, të cilat kanë arritur majën më të lartë në vitin 2021, por vijojnë ende. Një sasi rekord shiu ka mbuluar me ujë gjithë territorin, duke i penguar banorët të jetojnë e të kultivojnë tokën e duke shkaktuar humbjen e qindra mijëra bagëtive.

Shkatërrim i plotë

Gjithçka, që siguron mbijetesën e kësaj bashkësie, është shkatërruar, duke ia lënë vendin një urie të tmerrshme. Para syve të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit një panoramë e shkretë, për kilometra të të tëra pjesërisht nën ujë, deri në kampin, ku strehohen rreth 150 mijë të shpërngulur, që tërhiqen zvarrë në një jetë me kushte të paimagjinueshme shëndetësore, pa ujë të pastër, me kanalizime jashtë dhe me fantazmën e epidemive, që sillet e pashqetësuar mbi këtë vend. Hepatiti, malaria, kolera, e fshikullojnë periodikisht këtë zonë, për t’u përhapur më pas, edhe në shtetet e tjera të Sudanit të Jugut.

Papa afër këtij Populli të Zotit

“Jemi në periferi të periferisë”, pohon me dhimbje kardinali Parolin, i cili denoncon kushtet e jetesës së atyre, që “nuk kanë as minimumin për të mbijetuar. Pa ndihmën ndërkombëtare të OKB-së nuk do të kishte shpresë”. “Këta njerëz duan të kenë një jetë dinjitoze, të rrisin fëmijët, por dy fatkeqësi, njëra njerëzore, lufta dhe, tjetra natyrore, shirat, e bënë jetën e tyre të pamundur - shpjegon imzot Stephen Nyodho Ador Majwok, ipeshkëv i dioqezës së Malakal, ku bën pjesë Bentiu me kampin e tij të refugjatëve - e gjendja po keqësohet.

90% e popullsisë është nën moshën 40 vjeç, ka shumë fëmijë dhe nuk ka shkollë për ta, si do të jetë e ardhmja? Është diçka që të trondit”. Për ipeshkvin, i cili qëndroi pranë kardinalit gjatë gjithë vizitës së tij në kamp, ​​ardhja e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit ishte “çast i mrekullueshëm, historik për dioqezën e Malakal. Ai erdhi për ta mbrojtur popullin tonë”, vazhdon ai. Një ditë e paharrueshme për popullin e Unity State dhe të Bentiut, që “do të forcojë besimin e këtyre njerëzve të prekur nga mizoritë, lufta dhe fatkeqësitë natyrore, në Kishën Katolike. Kardinali Parolin këtu, do të thotë afërsi e Papës me këtë Popull të Zotit”, përfundon prelati.

07 korrik 2022, 12:49