Kërko

Kardinali Parolin ne Sudanin e Jugut Kardinali Parolin ne Sudanin e Jugut 

Parolin mbërrin në Sudanin e Jugut: “Papa ju ka në zemër e lutet për paqen”

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, mbërriti sot, rreth orës 10.15, në Juba. Në aeroport u përjetua një atmosferë festive, me këngë, valle e britma karakteristike të grave vendase, në praninë e nuncit dhe të këshilltarit të lartë të qeverisë. Sot pasdite takimi me presidentin Salva Kiir

R.SH. – Vatikan

Filloi sot, në një atmosferë që do të ishte reduktive të quhej festë, vizita e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit në Sudanin e Jugut, etapa e dytë e udhëtimit në Afrikë në emër të Papës. Në aeroport e pritën me këngë, valle e me britmat karakteristike të grave vendase, në praninë e nuncit, imzot Hubertus Mathews Maria van Megen, të këshilltarit të lartë të qeverisë, gjeneralit Kuol Manyang Juuk, si edhe të prelatëve të tjerë.

Përshëndetja e kardinalit

“Është gëzim i madh për mua të jem këtu për disa ditë për të kremtuar, për t’u lutur, për të takuar njerëzit”, në emër të Papës Françesku, “i cili ju mban gjithmonë në zemër, është i shqetësuar për paqen dhe pajtimin e Sudanit të Jugut dhe po ndjek zhvillimin e mirë të marrëdhënieve”, pohoi kardinali Parolin.

Varfëri e skajshme

Kardinali shkoi më pas në Nunciaturën Apostolike, një ndërtesë aktualisht me qira. Në fakt, Sekretari i Shtetit të Vatikanit do të bekojë gurin e parë të “shtëpisë së re të Papës” në Sudanin e Jugut, gjatë ditëve në vijim. Gjatë udhëtimit me makinë, shihej qartë varfëria e skajshme, në të cilën ndodhet Juba: rrugë dheu të kuq, që ngjitet pas rrobave, ndërtesa të ngritura pa kriter, rrëzë të cilave ka kasolle druri, kashte dhe llamarine. Fëmijët përshëndetën makinat me flamurin bardh e verdh të Vatikanit, duke ecur në mes të maceve e dhive, ose duke qëndruar pranë nënave, që shesin rroba dhe fruta, në tezgat mbi baltë. Për këtë popullsi të vuajtur, me kushte të këqija jetese, me paqëndrueshmëri të krijuar nga luftërat dhe dhuna, që vazhdon prej vitesh në këto zona, kardinali Parolin sjell përkëdheljen e Papës Françesku.

05 korrik 2022, 17:25