Kërko

Papa Francesco in preghiera a Santa Maria Maggiore dinanzi all'icona della Salus Populi Romani Papa Francesco in preghiera a Santa Maria Maggiore dinanzi all'icona della Salus Populi Romani

Papa, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe ia beson Zojës “shtegtimin pendestar” në Kanada

I vetëm, në heshtje, në karrocë me rrota, Françesku shkoi sot në mëngjes për vizitën tradicionale në Bazilikën e Zojës së Madhe, për t’u gjunjëzuar para Ikonës Salus Populi Romani, siç ka bërë gjithnjë, para çdo shtegtimi ndërkombëtar, që nga fillimi i Papnisë

R.SH. - Vatikan

Sipas traditës që përsëritet para çdo shtegtimi ndërkombëtar, edhe një herë, dy ditë pas nisjes për në Kanada, Papa Françesku shkoi në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe për t’ia besuar Virgjërës Mari shtegtimin e tij të 37-të ndërkombëtar. Përpara figurës së Zojës Salus Populi Romani, Pajtore e Qytetit të Amshuar, Papa u lut për disa çaste i vetëm, në heshtje, i ulur në karrigen me rrota, duke kërkuar mbrojtje dhe mbështetje për atë që ai e quan “shtegtim pendestar”, domethënë, shtegtim i pajtimit të Kishës me popujt indigjenë kanadezë, viktima të politikave asimiluese të së kaluarës, kryer edhe nga institutet fetare katolike.

Notë nga Salla e Shtypit e Vatikanit

Në një notë të Sallës së Shtypit të Vatikanit, shkruhet: “Sot në mëngjes, e premte, 22 korrik, Papa Françesku shkoi në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe për t’u lutur përpara figures së Zojës Salus Populi Romani dhe për t’ia besuar shtegtimin në Kanada. Më pas u kthye në Vatikan”. Ky, njoftimi i Sallës së Shtypit të Vatikanit.

Traditë, që nga fillimi i papnisë

Që nga fillimi i papnisë së tij, në mars 2013, Françesku, para dhe pas çdo nisjeje jashtë vendit, gjunjëzohet për disa minuta në lutje përpara ikonës Mariane, që ruhet në kapelën Borghese, tejet e dashur për popullin e Romës. Kjo ishte vizita e 60-të e Françeskut në Bazilikën Liberiane. Me rastin e udhëtimit në Kanada, Papa shkoi dy ditë përpara, dhe jo në prag të nisjes nga Roma në Edmonton, ku do të mbërrijë mbrëmjen e së dielës, 24 korrik, me orën evropiane. Françesku do të vijojë shtegtimin në vend deri më 30 korrik, duke vizituar, përveç Edmontonit, edhe qytetet e Maskwacis, Québec dhe Iqaluit.

Mbështetje shpirtërore për misionin e tij

Në qendër të vizitës apostolike, pra, është dëshira për të “përqafuar popujt autoktonë”, siç deklaroi vetë Françesku në Engjëllin e së dielës së kaluar, më 17 korrik:

“Të dielën e ardhshme, në dashtë Zoti, do të nisem për në Kanada, prandaj dua t’u drejtohem që tani banorëve të atij vendi. Të dashur vëllezër dhe motra të Kanadasë, siç e dini, unë do të vij mes jush në emër të Jezusit, mbi të gjitha për të përqafuar popujt indigjenë. Fatkeqësisht, shumë të krishterë në Kanada, veçanërisht anëtarët e instituteve fetare, kontribuan në politikat e asimilimit kulturor, të cilat në të kaluarën i dëmtuan rëndë komunitetet vendase në mënyra të ndryshme”.

 Prej këndej përkufizimi i pashoq i shtegtimit apostolik si “shtegtim pendestar” dhe shpresa se mund të “ndihmojë në rrugën e pajtimit dhe të shërimit, të nisur tashmë” nga Kisha Katolike Kanadeze dhe popujt autoktonë. Prandaj Papa, gjithnjë gjatë lutjes së Engjëllit, u kërkoi besimtarëve ta shoqërojnë me lutje. E sot u gjunjëzua edhe një herë para Virgjërës Mari për t’i  kërkuar mbështetje shpirtërore.

22 korrik 2022, 12:17