Kërko

2022.07.25 Viaggio Apostolico in Canada - Incontro con le Popolazioni Indigene 2022.07.25 Viaggio Apostolico in Canada - Incontro con le Popolazioni Indigene

Një udhëheqës i First Nations: ai i Papës qe një gjest i madh përvuajtërie dhe guximi

Për vite me radhë në krye të Asamblesë Kombëtare të Kombeve të Parë (First Nations), Phil Fontaine shpreh vlerësimin e tij për gjestet dhe fjalët e Papës Françesku për popujt indigjenë: shërimi dhe pajtimi mund të arrihen më mirë përmes faljes, këtu patëm Atin e Shenjtë që kërkoi falje para nesh

R.SH. - Vatikan

Kodra e Arinjve do të jetë tani, pas vizitës së Papës Françesku në Maskwacis, edhe Kodra e Pajtimit. Një tokë, në të cilën, me ndjenjë nderimi, mund të thithësh ajrin dhe të shkelësh tokën e etërve dhe tё Krerëve të lashtë. Tani, kjo tokë mban edhe shenjat e një Udhëheqësi a Kreu tjetёr, që erdhi nga larg, për të kërkuar falje për kaq shumë mizori të paimagjinueshme, të kryera edhe nga katolikët. Kështu flet për Radio Vatikanin, një nga udhëheqësit aktualë të First Nations kanadezë, Phil Fontaine, i cili i vlerëson fjalët dhe gjestet e Papёs në takimin e parë me popujt indigjenë në Maskwacis.

"Një moment i veçantë"

Phil Fontaine, prej vitesh Kreu Kombëtar i Asamblesë së Kombeve të Para, është i vetëdijshëm për dramën e lashtë dhe përpjekjet aktuale për të shëruar kujtesёn e plagëve të sё kaluarës. "Abuzimet fizike, verbale, psikologjike e shpirtërore", të kryera edhe nga Kisha Katolike ndaj të vegjëlve indigjenë nё të kaluarën janë aty, mbi varret që mbulojnë gjelbërimin rreth Kishës kushtuar Zojës së Shtatë Dhimbjeve dhe në atë pëlhurë të kuqe e të gjatë me emrat e viktimave të vogla. Megjithatë, për liderin indigjen Phil Fontaine, tani, ka edhe diçka tjetër që s’mund të harrohet: prania dhe fjalët e Papës Françesku. "Nuk ndodh çdo ditë që një nga figurat publike më të fuqishme në botë - thotë ai në mikrofonin e Chris Wells, njërit nga korrespondentët e Vatican News në Kanada – tё paraqitet para bashkësisë së ish-nxënësve të shkollave rezidenciale dhe familjeve të tyre, ardhur nga larg, dhe të përvuhet, duke u kërkuar falje të mbijetuarve. Personalisht, mendoj se duhej shumë guxim e përvuajtëri dhe vёrtet, ishte çast i veçantë”.

Vendi i faljes

Phil Fontaine është përkrahës i bindur i nevojës për shërimin e asaj plage që ende rrjedh gjak, në mënyrë që e ardhmja e popujve indigjenë të mbështetet në një të kaluar, parë nga një dritë e re. Ndërsa beson se varet nga çdo individ nëse dëshiron të pranojë dhe të marrë parasysh kërkesën e Papës për falje, vё nё pah se është po aq e rëndësishme të kemi "një vend ku mund të falim". “Ende kemi – thekson Fontaine – problemin e varreve të pashënuara, ekziston ende çështja e regjistrave dhe çështja e tokave”. Por ka edhe diçka shumë me vlerё, thekson ai: bashkëpunimi i treguar nga Kisha katolike lokale dhe Selia e Shenjtë, e cila, për shembull, i lejoi një studiuesi të kalonte kohë në Vatikan dhe të gjente qindra fotografi të nxënësve të shkollave rezidenciale. Ky, për udhëheqësin indigjen, është një shembull i atyre "hapave praktikë që mund të ndërmarrim së bashku".

26 korrik 2022, 17:07