Kërko

Il Papa in ascolto delle Delegazioni dei Popoli Indigeni del Canada - 1 aprile 2022  (Vatican Media) Il Papa in ascolto delle Delegazioni dei Popoli Indigeni del Canada - 1 aprile 2022 (Vatican Media)
Editorial

Andrea Tornielli: një shtegtim pendestar

Veçoria e shtegtimit të ardhshëm të Papës Françesku në Kanada: gjest konkret afërsie ndaj popullsive indigjene!

R.SH. - Vatikan 

Andrea Tornielli

Një shtegtim pendestar i Papës në Kanada

Nuk kishte ndodhur kurrë, gjatë papnisë së tij gati dhjetëvjeçare, që Françesku ta quante udhëtimin ndërkombëtar në Kanada, “shtegtim pendestar”. Pikërisht ky përkufizim, të cilin Papa e përdori në Engjëllin e Tënzot të dielën, 17 korrik, na bën të kuptojmë veçoritë e udhëtimit të ardhshëm në Kanada. Nuk është thjesht shtegtim, as vizitë për t’u takuar me bashkësitë katolike, por më tepër, gjest konkret afërsie me popujt indigjenë që banojnë në atë tokë dhe që kanë pësuar pasojat e qëndrimeve koloniale. Një nga të këqijat e kolonializmit është përpjekja për t’i zhdukur kulturat e vendasve, gjë që u praktikua në të ashtuquajturat “shkolla rezidenciale”, institute të cilat u përpoqën t’i “edukojnë” dhe t’i “mësojnë” fëmijët e vendasve me disiplinë të rreptë, duke i ndarë nga familjet. Këto shkolla, me një shkallë shumë të lartë vdekshmërie, u krijuan nga qeveria kanadeze, e cila edhe i financonte, por drejtimi i tyre iu besua kishave të krishtera, domethënë, edhe urdhrave fetare katolike.

Udha e shërimit dhe e pajtimit nisi pak kohë më parë.  Hapi themelor ishin takimet në Romë, nga fundi i marsit, deri në fillim të prillit, kur Françesku u takua fillimisht veçmas - e më pas me të gjithë së bashku - me grupin e ashtuquajtur i Pari (Kombet e para), me Métisët (mestizos) dhe Inuitët, dhe u shprehu “indinjatën dhe turpin” për atë që ndodhi. Popujt indigjenë e ndjenë se po mirëpriteshin e, mbi të gjitha, po dëgjoheshin. Por ata dëshironin shumë që ipeshkvi i Romës t’i vizitonte tokat e tyre dhe t’u kërkonte publikisht falje.

Çelësi i shtegtimit, prandaj, është qëndrimi pendestar, që do të karakterizojë çastet më të spikatura të këtij takimi të jashtëzakonshëm! Është i njëjti qëndrim që mbajti Benedikti XVI në vitin 2010 përballë shkandullit të abuzimit të fëmijëve; e njëjta gjë, që Shën Gjon Pali II propozoi gjatë jubileut të vitit 2000 për “pastrimin e kujtesës”, kur kërkoi “një akt guximi dhe përvujtërie”, domethënë, njohjen e gabimeve të atyre që patën dhe kanë emrin i krishterë”, bazuar mbi bindjen se “për shkak të asaj lidhjeje që, në trupin mistik, na bashkon me njëri-tjetrin, ne të gjithë, edhe pse nuk kemi përgjegjësi personale për ta, e pa i zëvendësuar në gjykimin e Zotit, të vetmit që i njeh zemrat, mbajmë mbi supe peshën e gabimeve dhe të metave të atyre, që na  paraprinë”.

Të dish të dëgjosh duke e vënë veten në vendin e viktimave dhe të familjeve të tyre, duke ndarë dhimbjen e tyre dhe duke e kuptuar atë, e duke iu përgjigjur me gjeste afërsie dhe jo vetëm me analiza historike apo me ftohtësinë e statistikave, është thellësisht e krishterë. Pasardhësi i Pjetrit shkon “në emër të Krishtit për t’u takuar dhe për t’u përqafuar” si bari i një Kishe, që nuk ka turp të tregohet e përvuajtur dhe të lypë falje.

18 korrik 2022, 14:03