Nesër në Shën Pjetër, Mesha e Papës në ritin zairian me bashkësinë kongoleze
R. SH. - Vatikan
“Entuziazëm dhe harmoni, nën shenjën e afërsisë që Papa po çon në Republikën Demokratike të Kongos nëpërmjet Sekretarit të Shtetit, kardinalit Parolin”. Kështu shprehet bashkësia kongoleze në Romë, e cila nesër, më 3 korrik, do të mblidhet në Bazilikën e Shën Pjetrit për Meshën zairiane, të kremtuar nga Françesku, ku pritet të marrin pjesë rreth 1500 persona.
Kongo, më 3 korrik, të gjitha dioqezat në lutje me Papën
Nesër, në Vatikan, do të jenë të pranishëm në festën eukaristike në ritin Zairez diplomatët dhe miqtë e bashkësisë katolike kongoleze të Romës dhe të Italisë, një delegacion besimtarësh laikë nga Kinshasa dhe një përfaqësi e vogël besimtarësh nga Sudani i Jugut. Lajmin e dha kapelania romake, e udhëhequr nga At Sylvestre Adesengie, i cili flet për mobilizimin e madh dhe frymën e bashkimit, që u përjetua edhe më 1 dhjetor, tre vjet më parë, me rastin e një kremtimi të ngjashëm.
Riti zairian dhe kori që këndon për vëllazërim
Riti zairian ka disa veçori, në krahasim me ritin romak: tipik i kulturës kongoleze, është miratuar nga hierarkia katolike. Struktura e kësaj liturgjie frymëzohet nga e ashtuquajtura “palabre” afrikane (pajtimi, pas një ballafaqimi me kryetarin e fshatit). Ndër të tjera, liturgjia fillon me thirrjen jo vetëm të shenjtorëve, por edhe të paraardhësve të klaneve të ndryshme dhe e gjithë festa karakterizohet nga lëvizje koreografike të trupit. Zakonisht theksohet një ndjenjë tipike afrikane solidariteti, e shprehur veçanërisht në ofrimin e dhuratave për të varfërit në altar. Festimi gjallërohet nga kori Bondeko, i cili zakonisht këndon në katër gjuhët kombëtare të Republikës Demokratike të Kongos (Lingala; Tshiluba; Suahili dhe Kikongo), pasuruar me një repertor klasik latin dhe italian. 'Bondeko' në Lingala, do të thotë 'vëllazëri'. E ky kor gjallëron edhe Festën e Popujve, që kremtohet çdo vit në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, si dhe hapjen e Sinodeve të Afrikës. Kori përbëhet nga rreth 30 këngëtarë.