Në Gjermani, lumnohet jezuiti Giovanni Filippo Jeningen
R. SH. - Vatikan
E patën quajtur “ati i mirë Filip”, sepse përhapte mes njerëzve dashurinë e Zemrës së Krishtit dhe i ndihmonte në nevojat shpirtërore e materiale. Në këto fjalë mund të përmblidhet jeta e të Lumit të ri! E kështu e kujtoi vëllanë gjerman Giovanni Filippo Jeningen, kardinali jezuit Jean-Claude Hollerich, Kryeipeshkëv i Luksemburgut, që e lartoi në nderimet e altarit sot, më 16 korrik. Kardinali, duke kryesuar ritin e lumnimit në emër të Papës Françesku, në Ellwangen të Gjermanisë, e pikturoi kështu portretin e të Lumit të ri:
“Si mund ta gjejmë Zotin? E ku? Pyetje të përjetshme të zemrës njerëzore, që ka etje për Zotin… E që nuk i mungon përgjigjja. Na përgjigjet Zoti vetë! Na përgjigjen edhe shenjtorët, ndërmjet të cilëve, Atë Filipi, që u lumnua sot në në Ellwangen".
Gjurmë në shteg shenjtërie…
Po kush ishte i Lumi i ri? E çfarë bëri për të jetuar e për t’u shpallur i lum? Që të mund ta shikojmë si model e të ecim mbi gjurmët e tij:
“Për të lumin Atë Filip, besimi në Zotin ishte diçka shumë e bukur, shumë e thellë. Zoti ishte gëzimi i jetës së Tij. Zoti ia mbushte jetën plot! Nisi, kështu, ta gjejë Zotin në të gjitha sendet e jetës së përditshme. E, sidomos, në jetën e vështirë misionare! Nuk e gjeti në hapësirat gjeografike, ku shërbeu, por në thellësinë e zemrës. Aty qe gjithë jetën vendi i takimit të tij me Zotin.
At Filipi ishte ndjekës i Krishtit. Kishte miqësi të thellë, personale me Krishtin, e jetonte jetën e Jezusit si njeri i dorëzuar për misionin e tij. Ndjekja e Krishtit e bëri shok të Jezusit në veprën e shëlbimit. E Kryqi për të nuk ishte vetëm mjet mundimi dhe vdekjeje, por edhe e sidomos, strehë shpëtimi. Ai e mbante mbi supe kryqin e tij në jetën e përditshme, ndërsa ndiqte hapa për hap Krishtin. Kryqi ishte i rëndë, i dhimbshëm, por në të At Filipi gjeti lumturinë, në të gjeti kuptimin e jetës".
Por… çfarë mund të mësojmë nga i lumi Filip?
Së pari, besimin e patundur në Zotin. Ne jetojmë në një botë ku duket se Zoti nuk ka më shumë rëndësi. Në Gjermani, vetëm gjysma e popullsisë është e krishterë. E ky shekullarizim nuk është vetëm numerik: ndikon fuqimisht mbi stilin e jetesës. Mbi vendin që duhet t’i japim Zotit në jetën tonë të përditshme. Por nëse besojmë, Ai i lumi do ta ndryshojë jetën tonë, do të na bëjë përsëri të krishterë. Si Ati i lum Filipi!
I dashur At Filip, Apostull i Dashurisë së Hyjit dhe i Dashurisë së Njeriut, lutu për ne!