Kërko

Kardinali Ayuso Guixot, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar Kardinali Ayuso Guixot, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar

Liria fetare, Kardinal Ayuso: duhet ndjekur rruga e vëllazërisë!

“Feja, për vetë natyrën e saj, jetohet me veprime shpirtërore vullnetare dhe të lira, përmes të cilave njeriu i drejtohet drejtpërdrejt Zotit: veprime të tilla nuk mund të urdhërohen dhe as të ndalohen nga asnjë autoritet njerëzor”. Ky citim i deklaratës për lirinë fetare “Dignitatis Humanae” është një nga gurët themelorë të videomesazhit të kardinalit Ayuso Guixot, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar, i dërguar në Konferencën Ministrore për Lirinë e Fesë ose Besimit (FoRB)

R.SH. - Vatikan

Në video-mesazhin për Konferencën e Ministrave "FoRB", e cila u hap në Londër, prefekti i Dikasterit i Vatikanit për Dialogun Ndërfetar nënvizon se fundamentalizmi gjen terren pjellor jo vetëm në shfrytëzimin e fesë, por edhe në boshllëkun e idealeve.

“Feja, për vetë natyrën e saj, jetohet me veprime shpirtërore vullnetare dhe të lira, përmes të cilave njeriu i drejtohet drejtpërdrejt Zotit: veprime të tilla nuk mund të urdhërohen dhe as të ndalohen nga asnjë autoritet  njerëzor”. Ky citim i deklaratës për lirinë fetare “Dignitatis Humanae” është një nga gurët themelorë të videomesazhit të kardinalit Ayuso Guixot, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar, i dërguar në Konferencën Ministrore për Lirinë e Fesë ose Besimit (FoRB), hapur në Londër. Takimi, me pjesëmarrjen e prijësve të ndryshëm fetarë, organizohet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Selia e Shenjtë përfaqësohet në këtë takim nga nënsekretari i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, Atë Paulin Batairwa Kubuya.

Ekstremizmi dhe boshllëku i idealeve

Në videomesazh, kardinali thekson se njerëzit nuk mund të ndalohen të shprehin besimin e tyre, përderisa kjo shprehje respekton të mirën e përbashkët. Ekstremizmi dhe fundamentalizmi - kujton kardinali Ayuso Guixot - gjejnë terren pjellor jo vetëm në shfrytëzimin e fesë, por edhe në zbrazëtinë e idealeve dhe në humbjen e identitetit. Fenomene që prekin në mënyrë dramatike shumë shoqëri, veçanërisht “të zhvilluarat”. Ky keqkuptim krijon lehtësisht frikë, gjë që më pas çon në shikimin e tjetrit si kërcënim dhe si armik.

Udha e vëllazërimit

 Prefekti i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar ndalet tek mësimet e Papës Françesku, për të cilin rruga e vëllazërisë njerëzore është e vetmja që meriton të përshkohet në kohën tonë. Dokumenti mbi vëllazërinë njerëzore për paqen botërore dhe bashkëjetesën si dhe Enciklika “Fratelli tutti” janë bazë e patundshme - shpjegon kardinali - për ta parë njerëzimin si familje e vetme dhe të gjithë njerëzit, si vëllezër e motra.

Në shërbim të paqes

Në enciklikën Fratelli tutti - nënvizon kardinali Ayuso Guixot në mesazhin e tij video - Papa i kushton një kapitull të veçantë feve në shërbim të vëllazërisë. “Fetë e ndryshme – shkruan Papa - japin një kontribut të çmuar për edukimin e vëllazërimit dhe për mbrojtjen e drejtësisë në shoqëri. Dialogu ndërmjet njerëzve të feve të ndryshme nuk bëhet vetëm për diplomaci, mirësjellje apo tolerancë. Siç na mësojnë ipeshkvijtë e Indisë, qëllimi i dialogut është krijimi i miqësisë, i paqes, i harmonisë dhe shkëmbimi i vlerave dhe përvojave morale e shpirtërore në frymën e së vërtetës dhe të dashurisë. Po kështu - përfundon kardinali - dialogu me shtetet dhe institucionet e tyre mund të çojë në mirëkuptim më të madh e edhe në angazhimin e bashkëpunimit për paqen dhe zhvillimin mirëfilltë”.

06 korrik 2022, 14:07