Kërko

Delegacioni i Popujve Indigjenë të Kanadasë Delegacioni i Popujve Indigjenë të Kanadasë 

Kanada, At Hofmeister: popujt indigjenë e presin Papën me gëzim

Nga data 24 deri në 30 korrik, shtegtimi i 38-të apostolik i Françeskut, në Kanada. Katër faza: Edmonton, Maskwacis, Québec dhe Iqaluit. Arsyeja e vizitës, pas takimit në Vatikan prillin e kaluar, përqafimi i Papës me popujt indigjenë dhe kishën vendase. Prifti brazilian At Hofmeister, prej vitesh me mision në dioqezat kanadeze, pohon “Është vazhdim i rrugës së pajtimit”

R. SH. - Vatikan

Shtegtim i faljes dhe i pajtimit. Falja nga Zoti dhe falja - e kërkuar tashmë nga Papa - nga kombet e para indigjene, Metis dhe Inuit, gjatë takimit prillin e kaluar në Vatikan, ishin hapi i parë për të nisur dialogun e frytshëm. E, sidomos, për të mbyllur faqen e dhimbshme të mungesës së respektit për kulturën dhe traditat e popujve indigjenë. Atë të shkëputjes së fëmijëve nga familjet e tyre për t’u arsimuar në Perëndim, në të ashtuquajturat 'shkolla rezidenciale', kërkuar nga qeveria kanadeze e administruar, nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë deri në 1996, nga Kisha Katolike, Anglikane dhe Protestante. Rreth 6000 fëmijë u zhdukën dhe trupat e tyre dyshohet të jenë gjetur në varre masive. Ka të ngjarë që shumë të kenë vdekur si pasojë e abuzimit dhe dënimit joproporcional.

Vazhdim i udhëtimit së bashku

Për domethënien e këtij shtegtimi papnor në Kanada foli,  në një takim me përfaqësues të shtypit, At Antonio Hofmeister, meshtar i kryeipeshkvnisë së Porto Alegre, në Brazil, i cili kreu për disa vite shërbimin baritor në Kanada. Në intervistën për Vatican Radio - Vatican News,  foli për përgatitjet e Amerikës së Veriut, në prag të ardhjes së Papës.

Të dëgjojmë intervistën me At Antonio Hofmeister

At Hoffmeister, a mendoni se udhëtimi i Papës në Kanada hap një rrugë të rëndësishme: atë të pajtimit, për të udhëtuar së bashku?

“Po, një rrugë! Rrugë, që Kisha kanadeze e ka hapur disa vite më parë me popujt indigjenë. Është rruga e së vërtetës dhe e pajtimit. Mendoj edhe se me këtë vizitë mbyllet një rreth: në prill ishin popujt indigjenë në Vatikan; tani Françesku po ua kthen vizitën. Prej këtu hapen horizonte të reja, mënyra të reja për të parë historinë dhe për të ecur përpara, siç thotë gjithmonë Papa Françesku: ne duhet të shkojmë përpara, jo prapa”.

Proces pajtimi në të cilin është e nevojshme të përfshihet jo vetëm Kisha Katolike, por edhe realitetet e tjera fetare dhe civile të Kanadasë?

“Sigurisht, mendoj se do të ishte e rëndësishme që të gjitha institucionet të cilat qenë pjesë e këtyre realiteteve të dhimbshme të shkollave rezidenciale, të ndjekin të njëjtën rrugë. Pajtimi kalon përmes njohjes së së vërtetës. E ky është hapi i parë. Por atëherë është e nevojshme të kërkojmë falje dhe të gjejmë mënyra për ta arritur këtë pajtim së bashku. Përmes dialogut ndërmjet popujve autoktonë me Kishën, por edhe me institucionet civile të Kanadasë, me shoqërinë, me të gjithë”.

Në të kaluarën ju ishit me shërbim baritor në Kanada. Si mendoni se do të pritet Papa Françesku në këtë vend?

“Duke parë si u shpërndanë  ftesat, për kremtimet që do të kryesojë Papa gjatë kësaj vizite, mendoj se populli kanadez, veçanërisht grupet indigjene, janë shumë entuziastë dhe e presin me padurim këtë vizitë dhe këtë takim me Françeskun. Çka ndjehet fort, është gëzimi”.

17 korrik 2022, 11:36