Kërko

Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet, Kryeipeshkvi Imzot Paul Richard Gallagher Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet, Kryeipeshkvi Imzot Paul Richard Gallagher

Imzot Gallagher: “Nuk përjashtohet mundësia që Papa të shkojë në Kiev në gusht”

Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet i intervistuar nga Tg1 – Rai1 pohon se Papa ёshtё “i bindur se një vizitë e tij nё Kiev mund të ketë rezultate pozitive”. Ndërsa ne jemi shumë të shqetësuar për çështjet e Ukrainës dhe zgjidhjen e luftës, në të njëjtën kohë jemi të shqetësuar për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Ngushëllimet për vdekjen e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe.

R.SH. - Vatikan

Udhëtimi i Papës për në Kiev do të fillojë të përgatitet pas shtegtimit apostolik në Kanada dhe nuk përjashtohet që Ati i Shenjtë Françesku të shkojë në Ukrainë që në gusht. Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet, Kryeipeshkvi Imzot Paul Richard Gallagher, tha në intervistë me TG1 – Rai 1, me gazetarin Ignazio Ingrao, gjatë së cilës shprehu ngushëllimet e tij për vrasjen e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe.

 “Papa – tha imzot Gallagher – është shumë i bindur se sikur ai tё mund të bënte një vizitë, mund të kishte edhe rezultate pozitive. Ati i Shenjtë ka thёnё se do të shkojë në Ukrainë dhe është treguar gjithmonë i gatshëm për të vizituar Moskën dhe për t’i takuar edhe autoritetet ruse”. I pyetur nëse udhëtimi për në Kiev mund të bëhet me kthimin e Papёs nga Kanadaja, ku Françesku do të jetë në javën e fundit të korrikut, kryeipeshkvi imzot Gallagher u përgjigj: "Po, besoj se duke u kthyer nga Kanadaja do të fillojmë vërtet të studiojmë mundësitë". Dhe mbi mundësinë që kjo vizitё e Papёs të ndodhë tashmë në gusht, ai deklaroi: "Është e mundur, nuk do ta përjashtoja, por shumë varet nga rezultatet e udhëtimit në Kanada, të shohim se si do t'i rezistojë Papa këtij udhëtimi, i cili është edhe shumë impenjues dhe pastaj le të shohim”.

Mbi kontaktet me Moskën për mundësinë e një udhëtimi tё Papёs në Moskë, Imzot Gallagher tha: “Kontaktet tona me Federatën Ruse për momentin janë mjaft institucionale përmes nuncit apostolik në Moskë dhe përmes ambasadorit rus këtu pranë Selisë sё Shenjtë. Përveç kësaj nuk ka shumë kontakte direkte apo personale”. Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet shtoi: “Ndërsa ne jemi shumë të shqetësuar për çështjen e Ukrainës dhe zgjidhjen e luftës, në të njëjtën kohë jemi të shqetësuar për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”.

Imzot Gallagher më pas iu përgjigj një pyetjeje tjetёr lidhur me sfidën ekumenike dhe për takimin mes Papës e Patriarkut Kirill: “Besoj se nëse Patriarku dhe Ati i Shenjtë do tё udhëtojnë në Kazakistan për këtë konferencë të madhe të feve botërore, po, do të ketë një takim. Duhet të përpiqemi t’i kapërcejmë vështirësitë dhe keqkuptimet qё kanё tё bёjnё me unitetin e Kishës”.

Së fundi, kryeipeshkvi Imzot Gallagher, Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet komentoi vrasjen e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe: “Atentati dhe vdekja e tij më mbushin me trishtim të thellë, pata nderin të takoj Kryeministrin kur vizitova Japoninë. Ai ka qenё një njeri që kishte një ndikim të madh përtej kufijve të Japonisë. Ai ka qenё  edhe një person shumë i diskutueshëm, por një njeri me parime, një njeri me sens të madh për të mirën e përbashkët të popullit të tij”.

08 korrik 2022, 21:19