Kërko

Papa nomina tre donne al Dicastero per i Vescovi : Suor Raffaella Petrini, Yvonne Reungoat e Maria Lia Zervino Papa nomina tre donne al Dicastero per i Vescovi : Suor Raffaella Petrini, Yvonne Reungoat e Maria Lia Zervino

Emërimet e tri grave në Dikasterin e Vatikanit për Ipeshkvij nga Papa, nyje jetike

Emërimi i tri grave, dy rregulltare e një laike, në dikasterin e ipeshkvijve është një e papritur e këndshme, ndonëse e paralajmëruar prej disa ditësh nga vetë Papa

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike romake duket që po e pranon se ka nevojë për gratë, në qeverisjen e saj. Dikasteri, ku do të punojnë, është ai ku vendosen rrugët e jetës së prijësve me përgjegjësitë më të mëdha dhe, mbi të gjitha, ku vendosen rrugët e kishave dioqezane që kërkojnë barinj udhërrëfyes, në gjendje t’i ndihmojnë besimtarët në çaste të vështira, t’u prijnë gjatë ecjes në shtigjet e jetës, të dëshmisë, të besimit.

Tre emërime të rëndësishme, më 14. 07. 2022, jo vetëm për dikasterin ku do të punojnë, por edhe - e sidomos - për vlerën simbolike të kësaj zgjedhjeje të Papës Françesku, si të donte ta zgjeronte pakëz rrugën e hapur vitet e fundit me emërimin e disa grave të tjera në poste të rëndësishme kishtare, përgjegjësi  tradicionalisht të kryera nga burrat. Duket se - ndoshta - diçka ka filluar të ndryshojë vërtet, edhe për gratë.

Nuk mund të thuhet se Kisha po përjeton një çast të lehtë: ndryshimet e trazuara që ndodhin në shoqëri, pasqyrohen edhe në jetën e bashkësive të krishtera, ndonjëherë në mënyrë të rëndë, duke e bërë të lodhshëm angazhimin e atyre që, ditë pas dite, vënë në dyshim vetveten mbi format e besnikërisë ndaj Ungjillit dhe të shërbimit në këto rrethana. Fakti që në këtë panoramë tri gra u emëruan në një rol përgjegjësie në institucionin e qeverisur gjithnjë nga burrat, mund të mos duket i rëndësishëm.

Po çfarë ndryshon për femrat? Sigurisht, pothuajse asgjë nuk ndryshon menjëherë; por në mënyrën e të menduarit të Kishës diçka fillon të lëvizë,  duke u nisur nga faktet. Papa Françesku nuk ka shkruar (ende) një dokument për gratë dhe gjendjen e tyre në Kishë, por po bën zgjedhje, që i shprehin qartë mendimet e tij: Kisha ka nevojë për ndjeshmëri femërore. Qeverisja kishtare duhet interpretuar edhe në origjinalitetin e vendimmarrjes dhe të mënyrës si e jeton pushtetin: me vëmendje ndaj njerëzve, me gatshmëri për të dëgjuar, aftësi për t’i shoqëruar proceset e pjesëmarrjes, me përfshirje e pjekuri. Duket se Papa po zbaton një nga kriteret që shpalli në Evangelii Gaudium: realiteti vjen përpara idesë. Në këtë rast, përgjegjësia që u jepet grave në Kishë, u paraprin deklaratave teorike të besimit dhe të vlerësimit.

Pra, lajmi i këtyre tre emërimeve nuk është i parëndësishëm: është  sinjal, farë,  premtim. Çdo grua që merr përgjegjësi në Kishë, ka një detyrë të rëndë mbi supe: atë të përfaqësimit të të gjitha grave - pothuajse të gjithave - që në Kishë ndihen të pavlerësuara, të padëgjuara, të pa kuptuara, të pa konsideruara. Pas këtyre tri grave, është një turmë grash me vështirësi serioze në marrëdhëniet e tyre me kishën dhe, pothuajse në mënyrë të pashmangshme, me krishterimin. Të rejat po largohen nga Kisha; po thonë, sidomos me largimin e tyre, se nuk kanë më besim!

Largohen! Të zemëruara, si dikush që ndihet i tradhtuar; si dikush që mendon se po i mohohet vëmendja, të cilën besonte se e meritonte. Sigurisht, mijëra gra që largohen nga Kisha nuk presin të kenë poste në Kurien Romake. Ata i kërkojnë Kishës diçka tjetër: i kërkojnë të jetë më dialoguese, me më pak  detyrime, e gatshme për të dëgjuar; kërkojnë një Kishë mike të jetës, aleate të grave, që e duan jetën. Kur tri të sapoemëruarat do ta nisin misionin e tyre, nuk duhet të harrojnë se kanë pas vetes një turmë grash, që presin një Kishë tjetër.

Barinjtë, që duhet të kontribuojnë në zgjedhje, do të duhet të kujtojnë se gjysma (në të vërtetë, më shumë!) e të krishterëve janë gra që, në nivele të ndryshme, presin një Kishë të përtërirë. I pret një detyrë e vështirë; shumë më e rëndë se e burrave, që kanë detyra të njëjta: ata duhet t’u japin zë të gjitha grave të ‘periferisë’ së tyre. Gratë janë një nga periferitë, për të cilat flet shpesh Papa Françesku. Për këtë arsye, tri të sapoemëruarat kanë një dëshirë të fortë, intensive për ta kryer detyrën e re ashtu si pritet! Duke e ditur se detyra që i pret, është më e rëndësishme sesa duket, më emocionuese, më krijuese!

“Unë nuk kam kundërshtim, që t’u jepet kjo mundësi. Tani Guvernatorati ka një zëvendës-guvernatore… E tani në Kongregatën e ipeshkvijve, në komisionin për zgjedhjen e ipeshkvijve, do të shkojnë për herë të parë edhe gratë. Në këtë mënyrë u hapet edhe pakëz rruga” - pohon Papa Françesku.

Pakëz…

Pakëz - thotë Ati i Shenjtë - duke pasur parasysh se rruga tashmë është e hapur. E prej kohe ka gra me “pozita” drejtuese. Gra me poste “menaxheriale” në Vatikan janë murgesha spanjolle Carmen Ros Nortes “nënsekretare” në Dikasterin për Besimet Fetare; murgesha franceze Nathalie Becquart, nënsekretare e Sinodit të Ipeshkvijve dhe motra saleziane Alessandra Smerilli, “sekretare” e Dikasterit të Zhvillimit të Gjithanshëm njerëzor.

Ndër gratë laike, me poste të larta, po kujtojmë Francesca Di Giovanni, “nënsekretare” e seksionit për marrëdhëniet me shtetet, pranë Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit; profesoreshën argjentinase Emilce Cuda, sekretare e Komisionit Papnor për Amerikën Latine; Linda Ghisonin dhe Gabriella Gambinon, të dyja “nënsekretare” në Dikasterin për laikët, familjen dhe jetën! Më pas, akoma, Barbara Jatta, gruaja e parë “drejtoreshë” e Muzeut të Vatikanit; sllovenja Nataša Govekar, “drejtoreshë” e drejtimit teologjik-baritor të Dikasterit për Komunikim; brazilianja Cristiane Murray, zëvendësdrejtoreshë e Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë; profesoresha gjermane Charlotte Kreuter-Kirchof, ish-zëvendës koordinatore e Këshillit për ekonominë.

Është gruaja që Françesku donte ta vinte në krye të “ministrisë për ekonominë”, por nuk e bëri këtë, sepse meritonte një pagë, që nuk mund t’i paguhej në Vatikan”.

15 korrik 2022, 15:53