Të dielën me 24 korrik bie Dita II Botërore e gjyshërve dhe të moshuarve
R.SH. - Vatikan
Të dielën e ardhshme, më 24 korrik, në të gjithë botën do të kremtohet Dita II Botërore e Gjyshërve dhe e të Moshuarve 2022. Jo më larg se dje, nё njё tweet, Ati i Shenjte Bergoglio pohoi:.“Ne, #GjyshëritetёMoshuarit, kemi një përgjegjësi të madhe: t'u mësojmë njerëzve t'i shohin të tjerët me të njëjtin shikim të butë dhe plot mirëkuptim me tё cilin u drejtohemi nipërve. Sot ne mund të jemi mësues të një mënyre jetese paqësore dhe të vëmendshme ndaj më të dobëtëve”.
Kёshtu, tё dielёn e ardhshme, mё 24 korrik, bie Dita e Dytë Botërore e gjyshërve dhe tё moshuarve vendosur nga Papa Françesku, e cila synon të promovojë kujdesin ndaj të moshuarve. E themeluar për të kundërshtuar me vendosmëri indiferencën që shpesh i rrethon këta njerëz, jemi tё thirrur tё punojmë pёr t’i nxjerr tё moshuarit nga mënjanimi i komunitetit, sepse sot, më shumë se kurrë, të moshuarit janë një burim i çmueshёm. Pra, është e nevojshme të njihet roli aktiv që ata kanë në komunitete dhe të mos harrohen përfitimet që ata sjellin nё shoqëri.
Të dielën e ardhshme, më 24 korrik të gjitha dioqezat, famullitë dhe bashkësitë tjera kishtare ftohen ta festojnë këtë ditë, tema e së cilës, e zgjedhur nga Papa Françesku, është “Në pleqëri do të japin përsëri fryt” (Ps. 92, 15). Në këtë mënyrë, siç na e kujton mesazhi i përgatitur për këtë rast, Ati i Shenjtë Bergoglio dëshiron t’u dhurojë të moshuarve një Ditë të tërë Botërore, të Diel, 24 Korrik
Arkitektë të revolucionit të butësisë
“Të dielën, 24 korrik, ora 10.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, kardinali Angelo De Donatis do të kryesojë kremtimin Eukaristik me mandat të Atit të Shenjtë - thuhet në një shënim – E të gjitha dioqezat e botës janë të ftuara ta kremtojnë këtë ditë me një liturgji kushtuar të moshuarve”.
Dy, mënyrat kryesore për të marrë pjesë në këtë Ditë, këshilluar nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën: duke kremtuar një meshë ose duke vizituar të moshuarit vetmitarë. Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën u ofroi dioqezave të ndryshme një sërë materialesh dhe sugjerimesh baritore dhe liturgjike, botuar në faqen e internetit të Dikasterit.
Ndër këshillat, “ajo e vizitës apo shoqërimit të të moshuarve vetmitarë. Kisha u jep ndjesë plenare për këtë akt, atyre që e kryejnë në ditët rreth 24 korrikut. E që Ati i Shenjtë, në mesazhin e ditës, e shikon si “vepër mëshirë e kohës sonë”.
Me rastin e Ditës Botërore, Kardinali De Donatis u shkroi famullitarëve kishtare të dioqezës së Romës dhe të gjithë të moshuarve që banojnë në Qytetin e Amshuar:
“Në verë shumë veprimtari ndërpriten. Nisin pushimet! Por shumë të moshuar nuk shkojnë të pushojnë. Rrinë në qytet, në lagjet tona, shpesh edhe më të braktisur se zakonisht. Prandaj do të ishte mirë që, me rastin e kësaj dite - kujton Kardinali – të sajohet një çast i thjeshtë, por kuptimplotë për të moshuarit”.
Vitin e kaluar disa famulli kishtare propozuan një meshë në mbrëmje, në gjirin e natyrës (të shtunën ose të dielën), me bekimin e të moshuarve dhe, në vijim, me një argëtim muzikor, gjatë një darke festive. Me këtë rast kardinali De Donatis u bën thirrje meshtarëve t’i vizitojnë të moshuarit në shtëpi ose në strehët e të moshuarve. Gjestet e thjeshta të vëmendjes të kryera me dashuri dhe bamirësi baritore, do t’u japin guxim dhe dritë shumë vetmitarëve.
Duke folur për Ditën Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve 2022, Kardinali Kevin Farrell, prefekt i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, vëren:
“Me Ditën Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, Ati i Shenjtë na fton të ndërgjegjësohemi për vlerën e tyre në jetën e shoqërive dhe të bashkësive tona dhe ta bëjmë këtë në një mënyrë jo episodike, por strukturore, sepse Dita ndihmon për të hedhur bazat e kujdesit të zakonshëm baritor të kësaj stine të jetës”.
Papa Françesku vendosi, në vitin 2021, që kjo ditë të kremtohet çdo vit, të dielën e katërt të korrikut, pranë festës së shenjtorëve Joakim dhe Ana, gjyshër të Jezusit. Sivjet festohet më 24 korrik. Në të njëjtën ditë, Papa fillon edhe udhëtimin apostolik në Kanada, gjatë të cilit është planifikuar një vizitë në shenjtëroren e Shën Anës dhe një takim me të rinj e të rritur të shkollës fillore në Iqaluit. Papa e vlerëson shumë kujdesin për të moshuarit dhe dialogun e tyre me brezat e rinj. Ndaj sivjet ia kushtoi një sërë katekizmash të së mërkurës pikërisht kësaj moshe tejet të vlerësuar. Për më tepër, edhe ndjeti i lutjes, që Françesku ia beson gjithë Kishës përmes Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës, këtë muaj u kushtohet pikërisht të moshuarve.