Kërko

Vatikani Vatikani 

Vademecum i ri i Doktrinës së Fesë

Dy vjet pas botimit të tij të parë, botohet varianti 2.0 i “Vademecum mbi disa pika procedurale në trajtimin e rasteve të abuzimit seksual të të miturve, kryer nga klerikët”

R.SH. - Vatikan

Dy vjet pas botimit të tij të parë, botohet varianti 2.0 i “Vademecum mbi disa pika procedurale në trajtimin e rasteve të abuzimit seksual të të miturve, kryer nga klerikët”. Mjeti u përgatit nga Dikasteri për Doktrinën e Fesë, në ndihmë të ipeshkvijve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, që të mund t’i trajtojnë drejt nga pikëpamja kanonike situatat delikate në të cilat kleriku akuzohet për krime me të mitur, që i kundërvihen urdhërimit të gjashtë të Dekalogut - Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot!

Teksti, pa vlerë ligjore, synon t’i përgjigjet nevojës në rritje për të njohur praktikën e punës nga ana e atyre, që do të merren në role të ndryshme, me situatat e përshkruara.

Botimi I (16 korrik 2020) i parapriu risimeve të tanishme. Dikasteri për Doktrinën e Fesë vë në dukje se përdorimi i tij jep një ndihmesë të madhe për standardizimin e praktikës, përgatitjen e personelit dhe zgjidhjen e problemeve, që nuk gjejnë përgjigje të përshtatshme në tekstet ligjore.

Risimi i botimit të parë ishte i nevojshëm kryesisht pas hyrjes në fuqi të Librit VI të Kodit të së Drejtës Kanonike dhe të “Normave mbi krimet e rezervuara për Kongregatën për Doktrinën e Fesë”(8 dhjetor 2021), të motu proprio “Fidem servare” (14 shkurt 2022), “Competentias quasdam decernere" (15 shkurt 2022), e, së fundi, të kushtetutës apostolike “Praedicate evangelium” (5 qershor 2022).

Gjatë punës për rishikimin, u studiuan me kujdes, ndërmjet tjerash, kontributet e ndryshme nga qendrat akademike dhe studimet sektoriale të ardhura në dy vitet e fundit. Pa harruar krahasimin e vazhdueshëm me realitetet kishtare, që përfshihen prej kohësh në këtë fushë, këshillimet e të cilëve luajtën rol shumë pozitiv për të sqaruar disa pika dhe për të përmirësuar gjithë tekstin.

Në nivel redaktues, u ruajt i njëjti numër i variantit të parë, në mënyrë që të lehtësohet studimi i temave, të cilat ndryshojnë nga ata, tashmë të njohura përmes Vademecum.

Meqenëse edhe ky është tekst i hapur për zhvillimet e ardhshme, Dikasteri u shpreh mirënjohjen atyre, që dëshirojnë të bëjnë vërejtje të dobishme.

27 qershor 2022, 11:54