Kërko

Lumnimi në Katedralen e  Sivilies Lumnimi në Katedralen e Sivilies  

Të Lum 27 martirë spanjollë. Semeraro: persekutimet vijojnë!

Në Sivilje, Mesha për lumnimin e 27 martirëve spanjollë, e kryesuar nga Kardinali Prefekt i Dikasterit të Çështjeve të Shenjtorëve. Gjendja e të krishterëve në botë nuk është kurrë e qetë, as e lehtë. Martirët domenikanë na kujtojnë se sa më të vështira të jenë sprovat, aq më i fortë bëhet durimi për dashurinë e Zotit.

R. SH. - Vatikan

Gjatë mizorive të Luftës Civile Spanjolle, nuk munguan shembujt e besimit të ndritshëm, si ai i 27 martirëve të rinj, që Kisha i lumnoi sot. Gjatë Meshës, kremtuar në Katedralen e Seviljes nga kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, u kujtuan figurat e Angelo Marina Alvarez me 19 shokët e tij, të Urdhrit të Predikatarëve; Giovanni Aguilar Donis me 4 shokë; Fruttuoso Pérez Marquez, laik i të Tretit Urdhër të Shën Dominikut; Isabella Sanchez Romero, murgeshë e Urdhërit të Motrave Domenikane, e vrarë nga urrejtja kundër fesë. “Një  turmë, që i lau petkat në gjakun e Qengjit”.

Libri i Zbulesës dhe Martirët

Gjatë leximit të Librit të  Apokalipsit, apo të Zbulesës, ne kemi dëgjuar se, në vegimin e tij, Gjoni soditi një turmë të madhe njerëzish të cilët, të veshur me rroba të bardha, lavdëronin Perëndinë. I mahnitur nga kjo dukje, pyeti veten “Kush janë këta!”. E sakaq dëgjoi përgjigjen: “Janë ata, që vijnë nga stuhia e madhe dhe i zbardhën petkat në gjakun e Qengjit”.  Me këto fjalë e nisi kardinali Semeraro homelinë kushtuar martirëve domenikanë, që u shpallën sot të lum.

Shën Agustini do ta komentonte ngjarjen duke vënë në dukje se gjaku skuq, por, ndryshe nga çdo tjetër, gjaku i Qengjit zbardh, sepse gjak i Qengjit të Hyjit “që shlyen mëkatet e botës" (Gjn 1. 29); gjak “i derdhur për faljen e mëkateve”.

Me këtë sy e shikojmë sot grupin e madh të shërbëtorëve të Zotit, dëshmorëve që u shpallën  të Lum!

Portretet e të Lumve të rinj

 Ishin të gjithë viktima të të njëjtit persekutim, i cili në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar shkaktoi vdekjen e qindra e qindra të krishterëve: priftërinj, rregulltarë, besimtarë laikë ... turma njerëzish,  që i lanë rrobat e tyre në gjakun e Qengjit - kujtoi Kardinali predikatar.

Kishin karaktere të ndryshme - vijoi - E të ndryshme ishin edhe historitë e tyre personale. Por kishin edhe diçka shumë të rëndësishme, të përbashkët: karizmën e Shën Dominikut, të jetuar me besnikëri, qëndresë, bujari.

Shkëlqim i veçantë

Ndërmjet tyre - vijoi kardinali Semeraro - shndrit me dritë të veçantë figura e një gruaje, Motrës Ascensiòn de San José. Së bashku me të tjerët ajo u torturua mizorisht. Iu kërkua ta mallkonte dhe ta shkelte kryqin: nuk pranoi. Atëhere ia çanë kafkën. E ajo dha shpirt sakaq duke lavdëruar Krishtin Mbret dhe të Shenjtnueshmin Sakrament. Motra Ascensiòn e dinte mirë se gjaku i Qengjit zbardh, sepse gjak “i derdhur për faljen e mëkateve”.

Korpin e Krishtit e kremtojmë çdo ditë

Edhe ne - kujtoi prediktari në vijim të Meshës - duke marrë zemër nga dëshmia e martirëve të Lum, përsërisim në thellësi të zemrave tona besimin e Kishës:

“Gjaku i Krishtit i derdhur për ne është pija që na pastron nga çdo faj”

Ndaj Kisha na kujton dhe na e përsërit gjithmonë në këto ditë, teksa kremtojmë solemnitetin e Korpit të Krishtit:

“Të gjithë ne, që shujtohemi me të njëjtin Korp të Krishtit dhe shenjtërohemi nga gjaku i tij i paçmueshëm, bëhemi një trup i vetëm”.

Dhe sot Jezusi na qetëson: vështrimi i tij ngulet mbi ne, ndërsa lutet. “O Atë i Shenjtë, ruaji në emrin tënd ata, që m’i dhe, që të jenë një, si ne”. Dhe kështu ai na dërgon në botë: të bashkuar me të dhe në bashkësi me njëri-tjetrin.

Martirët na kujtojnë se martirizimi vazhdon

Jemi, megjithatë, të vetëdijshëm se Zoti nuk na dërgon në një situatë të rehatshme dhe të lehtë! Këtë na e kujtojnë dëshmorët tanë.  Na e kujton edhe Papa Françesku në thirrjen e tij për shenjtëri në botën e sotme, Ai shkruan se për të jetuar Ungjillin, nuk mund të presim që gjithçka rreth nesh të jetë e favorshme; shumë herë, në të vërtetë, ambiciet e pushtetit dhe interesat e kësaj bote luajnë me ne, kundër nesh. Fakti është se ne jetojmë në një “shoqëri të tjetërsuar, të bllokuar në një komplot politik, mediatik, ekonomik, kulturor e madje fetar, që pengon zhvillimin e mirëfilltë njerëzor dhe shoqëror”, kështuqë të jetosh si të krishterë sipas Lumturive ungjillore “bëhet e vështirë, e dyshimtë, e vënë në lojë (krh. Gaudete et exsultate, n. 91).

Persekutimet vijojnë!  

“Persekutimet nuk janë realitet i së shkuarës, sepse edhe sot i vuajmë: herë në mënyrë të përgjakshme, si shumë martirë bashkëkohorë, e herë më delikate, përmes shpifjeve dhe gënjeshtrave”, vazhdon të na kujtojë Papa (krh. Gaudete et exsultate, nr. 91).

Ta ndjekim, pra, shembullin e dëshmorëve tanë e të ngushëllohemi prej tyre. Të mos e humbasim besimin, pavarësisht nga ligështitë tona. Zoti e zbulon forcën e tij pikërisht tek të ligshtit dhe pikërisht të pambrojturit i jep forcën e martirizimit!  

18 qershor 2022, 13:06