Kërko

 Logo del X incontro mondiale delle famiglie Logo del X incontro mondiale delle famiglie

Drejt Takimit X Botëror të Familjeve me Papёn. "Dashuria familjare: thirrja dhe rruga e shenjtërisë"

Drejt Takimit X Botëror të Familjeve që do të zhvillohet në Romë nga data 22 deri më 26 qershor. Pas festivalit të hapjes në sallën Pali VI dhe kongresit treditor, të shtunën më 25 qershor kremtimi i Meshës me Papën në sheshin e Shën Pjetrit. Ngjarja do t'i japë shumë hapësirë dëshmive edhe nga zona të trazuara, si Ukraina

R.SH. – Vatikan

Nga data 22 deri më 26 qershor, në Romë, familje nga e gjithë bota do të takohen me rastin e 'Takimit X Botëror të Familjeve' . Ngjarja u prezantua mё 31 majin e kaluar nё  sallën e shtypit të Selisë së Shenjtë. Takimi do të nisë më 22 qershor me Festivalin e Familjeve në prani të Papёs Françeskut në sallën Pali VI, nё Vatikan. Po këtu, nga e enjtja 23 deri të shtunën 25 qershor, do të zhvillohet kongresi baritor i familjeve me programe tё ndryshme. Të shtunën pasdite kremtimi i Meshёs në Sheshin e Shën Pjetrit nё Vatikan me Atin e Shenjtë Bergoglio dhe të dielën nё mesditё lutja mariane e Engjëllit Tёnzot, gjithnjё në Sheshin e Shën Pjetrit

Takimit X Botëror i Familjeve përkon me  Vitit Ndërkombëtar të Familjes

Drejt Takimit X Botëror të Familjeve, në Romë, nga 22 deri më 26 qershor, që përkon me shpalljen e Vitit Ndërkombëtar të Familjes nga Kombet e Bashkuara. Gjatë 30 viteve të fundit, kjo ngjarje e madhe është organizuar në vende të ndryshme të botës, duke kaluar nga Brazili, SHBA-të, Irlanda, Filipinet, Spanja dhe Italia. Takimi kthehet sërish në kryeqytetin italian, pasi është kremtuar edhe një herë tjetër këtu, në vitin 2000 e, pastaj, në Milano, në vitin 2012.

Takim ndërmjet familjeve nga vende të ndryshme

Në çdo edicion, përjetohet takimi i drejtpërdrejtë me familjet e vendeve të ndryshme, të cilët ftohen edhe në tryezën e vendësve, duke bërë që fëmijët t’i kujtojnë me dashuri e të mësojnë prej tyre. Për shembull, familjet e gjuhës spanjolle nga Amerika Latine e kanë zakon të urojnë çdo ditë, së bashku me “mirëmëngjesin”, edhe “Diòs ve bendiga” (Zoti ju bekoftë). E kështu, prindër e fëmijë mësojnë gjëra të reja e tradita të bukura.

Takimi përqendrohet në dashurinë familjare

Takimi i sivjetëm përqendrohet në dashurinë familjare: thirrje e udhë shenjtërimi, në vazhdimësi me Nxitjen Apostolike “Amoris laetitia” (2016). Vërtet, ngjarja e Romës do të shënojë edhe mbylljen e Vitit Amoris Laetitia, të cilin Papa Françesku ia kushtoi ndikimit të këtij dokumenti në veprimtarinë baritore dhe në jetën e Kishës e të botës katolike në tërësi. Ky edicion i dhjetë pati disi një histori të vështirë, pasi iu desh të merrte parasysh koronavirusin e pandeminë e shkaktuar prej tij. Askush nuk mund ta imagjinonte se njoftimi i bërë në përfundim të Takimit IX, në Dublin, në shtator 2018 – ai “Do të takohemi përsëri në Romë, në qershor 2021!” – do të rezultonte i pavërtetë, pasi bota hyri në lockdown global.

Ndikimi i pandemisë

Një ngjarje kaq e rëndësishme kërkon vite për t’u përgatitur e pasiguria e ditëve të para të vitit 2020 bëri të merrej ky vendim i pashmangshëm për shtyrjen e Takimit. Por, pandemia imponoi edhe një ndryshim të dytë të madh, i cili, me kalimin e kohës, u kthye në një mundësi të shkëlqyer: në shtator 2021, përmes një videomesazhi të Papës Françesku, u njoftua se ishte më e arsyeshme të mos ftoheshin më të gjitha familjet e botës, për t’u bashkuar në një vend të vetëm, për ditë me radhë, - siç është bërë deri tani - por të shndërrohej takimi në një ngjarje “multicentrike” dhe “të përhapur” kudo në botë. Kështu, u ftua çdo dioqezë të planifikojë dhe të organizojë ngjarjet dhe nismat e veta, në të njëjtën periudhë me Takimin e Romës.

Takim në prani, por edhe në lidhje dixhitale

Në këtë mënyrë, do të ketë një bashkëveprim ndërmjet takimeve me familje dhe bashkësi të pranishme në vendin e veprimtarisë dhe atyre në lidhje dixhitale. Kjo u jep mundësinë më shumë njerëzve të marrin pjesë aktive. Një tjetër element jo i parëndësishëm është se, me këtë formulë, mund të marrin pjesë edhe shumë familje, që nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e udhëtimit dhe të qëndrimit “në anën tjetër të botës”, ose, për probleme organizative, nuk mund të largohen për shumë ditë nga vendbanimi i tyre (për probleme pune, për ndihmën që duhet t’u japin prindërve të moshuar, ose për arsye të tjera).

03 qershor 2022, 11:16