Kërko

Ai poveri e agli emarginati guarda e dà voce il giornale pensato e realizzato dalla comunità di lavoro del Dicastero per la Comunicazione  Ai poveri e agli emarginati guarda e dà voce il giornale pensato e realizzato dalla comunità di lavoro del Dicastero per la Comunicazione

Lindi “L’Osservatore in strada”, e përmuajshmja, që i jep zë “të përjashtuarve”

Për Komunikimin “me” të varfërit, për t’u rikthyer të drejtën e fjalës. Çdo të dielë të parë të muajit, nga data 29 qershor, me rastin e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, do të shpërndahet nga të pastrehët e strehuar në Pallatin Migliori, së bashku me vullnetarët. Gazeta shpërndahet falas!

R.SH. - Vatikan

Në solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal, më 29 qershorin e ardhshëm, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot me Atin e Shenjtë, besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit do t’u shpërndahet një e përmuajshme  e re e “L’Osservatore Romano-s”. Është “L’Osservatore di Strada” – “Vëzhguesi i rrugës”, gazetë e krijuar dhe e botuar nga bashkësia e punës e Dikasterit për Komunikimin e cila, me këtë projekt, synon t’u japë zë, atyre që zakonisht nuk dëgjohen, të varfërve, njerëzve të plagosur nga jeta, atyre që lihen pas dere, që përjashtohen. Një gazetë, përmes së cilës do t’u njihet dhe do t’u rikthehet e drejta për të folur atyre, që shoqëria bashkëkohore i trajton si “mbeturinë”, duke nxjerrë në pah pasurinë e përvojave, të njohurive dhe të vlerave, të cilat nuk u mungojnë.

Një gazetë “me” të varfërit

“L’ Osservatore di Strada” do të publikohet të dielën e parë të çdo muaji, si në shtyp, ashtu edhe në internet. Kopjet në letër të së përmuajshmes do të shpërndahen çdo të diel pranë Sheshit të Shën Pjetrit, me rastin e Engjëllit të Papës. Me të do të merren disa të ftuar të Palazzo Miglior, strukturë e besuar nga Dikasteri për Bamirësinë Bashkësisë së Shën Egjidit për t’u siguruar një çati, atyre që nuk kanë, me ndihmën e vullnetarëve. Ndonëse të varfrit do të mund t’i mbajnë për vete ofertat që do të marrin nga puna e shpërndarjes (gazeta do të shpërndahet pa pagesë), L'Osservatore di Strada nuk do të jetë vetëm gazetë e të varfërve, për të varfrit.

L'Osservatore di Strada është dhe dëshiron të jetë, mbi të gjitha, gazetë me të varfërit, gazetë e realizuar së bashku me ta, duke u krijuar mundësinë të shprehen, atyre që kanë talent për të shkruar ose për të vizatuar, ose thjesht, një histori për të treguar a një mendim për të shprehur. Dhe nëse dikujt i mungojnë “mjetet”, gazeta do t’i sigurojë ato, duke përfshirë intelektualë dhe personalitete nga bota e kulturës (shkrimtarë, poetë, gazetarë, fotografë, karikaturistë, regjisorë, aktorë, muzikantë...) të cilët do të vënë në dispozicion artin e tyre, për të realizuar së bashku një kontribut që nuk është rezultat i një ndërmjetësimi të ftohtë në tryezë, por i një marrëdhënieje të drejtpërdrejtë, ballë për ballë. Të gjithë në të njëjtin kat. Me të njëjtin dinjitet. Për të njëjtin respekt.

Një kopertinë, dymbëdhjetë faqe - dhe një temë në muaj

Gazeta do të përbëhet nga dymbëdhjetë faqe. Në kopertinë, “editoriali i rrugës” do të paraqesë temën e muajit, e cila më pas do të zhvillohet në artikullin “me katër duar dhe dy zemra”, që do të zërë faqet 2 dhe 3. Për numrin e parë, kushtuar temës së “rrugës”, artikulli mban nënshkrimin e Mimmo-s, një i pastrehë i qendrës historike të Romës, dhe të shkrimtarit Daniele Mencarelli. Një hapësirë ​​e veçantë (faqe 4) do t’u krijohet çdo muaj zërave të emigrantëve, të cilët do të jenë në gjendje të tregojnë historinë dhe shpresat e tyre. L’Osservatore di Strada (Vëzhguesi i Rrugës) gjithashtu dëshiron të marrë pjesë në misionin e botimeve të tjera të gazetës së Vatikanit dhe organeve të tjera të informimit të Dikasterit të Komunikimit. Prandaj në faqet qendrore reflektimi për temën e numrit do të udhëhiqet nga Papa Françesku, përmes një antologjie të pasur fjalësh dhe gjestesh të tij. Vjen, më pas, një faqe kushtuar vullnetarizmit, me histori që tregojnë marrëdhënien ndërmjet samaritanit të mirë dhe njeriut që po vdes në rrugën për në Jeriko. Dy faqe të tëra do t’i kushtohen, më pas, “këngëve nga periferia”, një përmbledhjeje tregimesh, reflektimesh, poezish, vizatimesh të bëra nga njerëz të ndihmuar nga shoqatat dhe grupet kishtare ose thjesht, të takuar në rrugë. Për të mbyllur këto faqe, një artikull do të paraqesë përvojën e gazetave të tjera të rrugës, të botuara në Itali dhe në mbarë botën.

Së fundi, “kopertina të tjera”, me dy lexime, njëri shpirtëror dhe tjetri humoristik, me tematikën e numrit. Autorë të numrit të parë janë kardinali Enrico Feroci dhe artisti romak i rrugës Maupal (Mauro Pallotta).

Një mjet “bashkëpunimi”, në shërbim të bamirësisë

“Revista e miqësisë sociale dhe e vëllazërisë” - siç e lexojmë nëntitull - L'Osservatore di Strada dëshiron të jetë edhe mjet në shërbim të bashkimit dhe bashkëpunimit ndërmjet atyre, që vihen në shërbim të bamirësisë. Për këtë angazhim, gazeta ka gjetur mbështetjen e realiteteve të ndryshme që veprojnë në botën e bamirësisë - si Caritas, San Vincenzo, Bashkësia e Shën Egjidit, Qendra Astalli, Shoqata e Shën Pjetrit e Palit, - dhe të njerëzve të ndryshëm, duke përfshirë Kardinalin Konrad Krajewski, Lëmoshtar Papnor; Kardinalin Enrico Feroci dhe Ipeshkvin-Ndihmës të Romës për Bamirësi, Imzot Benoni Ambarus. Për të vazhduar aventurën e saj, L'Osservatore di Strada mbështetet plotësisht në bujarinë e dashamirësve, të cilët me donacionet e tyre do të mund të mbulojnë shpenzimet e shtypjes, si dhe të miqve dhe profesionistëve, që do të vënë në dispozicion falas kohën dhe talentin e tyre për kujdesin editorial të gazetës.

24 qershor 2022, 18:03