Kërko

Natività di san Giovanni Battista Natività di san Giovanni Battista

Papa: tё imitojmë dëshminë e Shёn Gjon Pagëzuesit

R.SH. - Vatikan

Sot kremtojmë solemnitetin e Lindjes së #ShёnGjonPagёzuesit. Le të imitojmë dëshminë e përvuajtur të atij që vuri në dukje Qengjin e Hyjit”. Kёshtu pohoi Papa Françeskut nё njё tweet, më 24 qershor 2021, nё @Pontifex, duke kujtuar figurën e jashtëzakonshme tё Shёn Gjon Pagёzuesit, nё ditёn e lindjes.

Figura e shën Gjon Pagëzuesit

Figura e shën Gjon Pagëzuesit, pati pohuar Papa në Meshën e  24 qershorit 2013, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, nuk kuptohet gjithnjë lehtë. Kur kujtojmë jetën e tij, shpjegoi, vërejmë se ishte profet, njeri i madh, që përfundon si mjeran. Kush është, atëhere, Shën Gjoni? Na e shpjegon ai vetë, vijoi Papa: “Jam zë, zë në shkretëtirë”. Është zë, pa Fjalë, sepse Fjala nuk është ai, është një Tjetër. Ja pra, cili është misteri i Gjonit: ‘Nuk e përvetëson kurrë Fjalën! Është ai, që e tregon; ai, që e shënon’.

Kuptimi i jetës së Shën Gjonit, shtoi Papa, është të tregojë me gisht një tjetër, Jezusin. Ati i Shenjtë nënvizoi, në vijim, se është prekur gjithnjë nga fakti, që Kisha zgjedh për festën e Shën Gjonit periudhën kur ditët janë më të gjatat e vitit, ditë plot me dritë. E edhe Gjoni ishte njeri i dritës, sillte dritë, por drita nuk ishte e tija, pasqyrohej në të. Është si hëna e, kur Jezusi nis të predikojë, drita e Gjonit nis të ulet, të zbehet e të tretet: “Zë, jo Fjalë, tha Papa, dritë, po jo e tija”: “Gjoni duket si të ishte kurrëkushi. Për këtë është i thirrur: të asgjësohet. E kur ne e kundrojmë jetën e këtij njeriu tepër të madh, tepër të fuqishëm, për të cilin të gjithë patën besuar se ishte Mesia, kur e kundrojmë këtë jetë, që bëhet asgjë, deri në errësirën e një burgu, kundrojmë një mister të madh. Nuk e dimë si ishin ditët e fundit të Gjonit. Nuk e dimë. Dimë vetëm se e mbytën e një valltare ia dhuroi kokën e tij, mbi tabaka, një gruaje të përdalë. Besoj se askush nuk mund të asgjësohet më shumë se kaq. E ky ishte fundi i Gjonit”.

I krishteri di të përulet, për të kumtuar Zotin

Gjoni ishte profet, njeri i madh, që përfundon si mjeran. I krishteri nuk shpall vetveten, por Zotin. Këtu e vuri theksin Papa Françesku në Meshën e mëngjesit tё 24 qershorit 2014, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Duke kremtuar solemnitetin e Lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit, Papa foli për thirrjen e “më të madhit ndër profetë”: ai përgatit udhën, bën vlerësime, zvogëlohet.

Thirrja e parë e Gjonit

Përgatit ardhjen e Zotit, vlerëson kush është Zoti, zvogëlohet, që Zoti të rritet. Me këto tri folje e përshkoi dhe përshkroi Papa Françesku thirrjen e Gjon Pagëzuesit, i cili është gjithmonë model për të krishterin. Gjoni, tha Papa Bergoglio, i përgatit udhën Jezusit “pa marrë asgjë për vete”. Ishte njeri i rëndësishëm: “Njerëzit e kërkonin, e ndiqnin, sepse fjalët e Gjonit ishin të forta”. Fjalët e tij i preknin njerëzit në zemër. Ndoshta për këtë arsye ka pasur “tundimin për të besuar se ishte i rëndësishëm, por nuk ra në këtë tundim”. Kur mësuesit e ligjit iu afruan për ta pyetur a ishte ai Mesia, Gjoni u përgjigj: “Jam zëri, vetëm zëri”, por “kam ardhur për t’i përgatitur rrugën Zotit”. Ja cila është thirrja e parë e Gjon Pagëzuesit, vërejti Papa: “Të përgatisë popullin, të përgatisë zemrën e popullit për takimin me Zotin”. Por, kush është Zoti?

Thirrja e dytë e Gjonit

“E kjo është thirrja e dytë e Gjonit: të vlerësonte, mes shumë njerëzve të mirë, kush ishte Zoti. E Shpirti ia zbuloi këtë, ndërsa ai pati guximin të thoshte: ‘Ky është. Ky është Qengji i Hyjit, ai që i shlyen mëkatet e botës’. Nxënësit e panë këtë njeri duke kaluar, dhe e lanë në punë të vet. Të nesërmen ndodhi e njëjta gjë: ‘Është ai! Është më i denjë se unë’. Nxënësit shkuan pas tij. Kur po i përgatiste, Gjoni thoshte: ‘Pas meje vjen dikush...’ Ndërsa gjatë vlerësimit, që di të vlerësojë e të tregojë kush është Zoti, thotë: ‘Ky është... Para meje!’”.

Thirrja e tretë e Gjonit

Thirrja e tretë e Gjonit, vijoi Ati i Shenjtë, është të zvogëlohet. Që prej atij çasti “jeta e tij filloi të përulej, të zvogëlohej, që të rritej Zoti, deri në asgjësimin e vetvetes”: “Ai duhet të rritet, ndërsa unë të zvogëlohem”, “pas meje, para meje, larg meje”: “E kjo ka qenë etapa më e vështirë e Gjonit, sepse Zoti kishte një stil, të cilin ai nuk e kishte menduar, deri ne atë pikë sa, në burg – sepse ishte në burg në atë kohë – vuajti jo vetëm për shkak të errësirës së qelisë, por nga errësira e zemrës: ‘A do të jetë ky? Mos jam gabuar? Sepse Mesia ka një stil shumë të thjeshtë... Nuk kuptohet...’. E, meqë ishte njeri i Hyjit, u thotë nxënësve të vet të shkojnë tek ai, për ta pyetur: ‘Po a je me të vërtetë ti, apo duhet të presim një tjetër?’”.

U asgjësua shumë, me qëllim që Zoti të rritej

“Poshtërimi i Gjonit – pohoi Papa – është i dyfishtë: poshtërimi i vdekjes së tij, si çmim i paguar për një tekë”, por edhe poshtërimi “i errësirës së shpirtit”. Gjoni, që diti ta “priste” Jezusin, që diti ta “vlerësonte”, tani “e sheh Jezusin nga larg”. “Ai premtim – theksoi Papa – iku larg. Dhe përfundon i vetmuar. Në errësirë, i poshtëruar”. Mbetet i vetmuar, “sepse u asgjësua shumë, me qëllim që Zoti të rritej”. Gjoni, tha më tej ati i Shenjtë, e sheh se Zoti është larg, ndërsa ai është ”i poshtëruar, por me paqe në zemër”.

“Tri thirrje tek një njeri: të përgatisë, të vlerësojë, ta lejojë Zotin të rritet e të zvogëlohet vetë. Është bukur ta mendojmë kështu thirrjen e të krishterit. I krishteri nuk shpall vetveten, shpall dikë tjetër, i përgatit udhën dikuj tjetër: Zotit. I krishteri duhet të dijë të bëjë vlerësime, duhet të dijë si ta dallojë të vërtetën nga çfarë duket se është e vërtetë, por nuk është: njeri që di të vlerësojë. E i krishteri duhet të jetë njeri që di të përulet, që Zoti të rritet, në zemrën dhe në shpirtin e të tjerëve”.

24 qershor 2022, 09:51