Kërko

 Gesù con discepoli - amatevi gli uni gli altri  (Gv 15,12). Gesù con discepoli - amatevi gli uni gli altri (Gv 15,12).

Papa: ta duam njëri-tjetrin me atë që jemi dhe që kemi

Papa: “Jezusi i përmblodhi urdhërimet e tij në një të vetëm: “Duajeni njëri-tjetrin sikurse unë ju kam dashur juve” (Gjoni 15,12). Të duash siç do Krishti do të thotë të vihesh në shërbim të vëllezërve, veçanërisht të atyre që kanë më shumë nevojë, me atë që jemi dhe me atë që kemi”.

R.SH. - Vatikan

“Jezusi i përmblodhi urdhërimet e tij në një të vetëm: “Duajeni njëri-tjetrin sikurse unë ju desha juve” (Gjoni 15,12). Të duash siç do Krishti do të thotë të vihesh në shërbim të vëllezërve, veçanërisht të atyre që kanë më shumë nevojë, me atë që jemi dhe me atë që kemi”. Kështu pohon Papa Françesku në një tweet, sot 13 qershor 2022, në faqen @Pontifex.

Jo vetëm urdhërim, por dashuri e jetuar

“Urdhërimi i Jezusit për të dashur nuk është thjesht normë”: e nënvizoi Papa gjatë lutjes mariane të Mbretëreshës Qiellore të 10 majit 2015 në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke shpjeguar më pas se “norma mbetet gjithnjë diçka abstrakte, diçka jashtë jetës”. Duhet, prandaj, ta dallojmë normën nga jeta: ligji i dashurisë, nënvizoi Papa, u shkrua një herë e përgjithmonë në zemrën e njeriut.

Duke u nisur nga rrëfimi ungjillor i Darkës së Mbrame, Papa Françesku kujtoi fjalët e Jezusit: “Askush nuk ka dashuri më të madhe se kjo: të japë jetën për miqtë e vet”. E edhe urdhërimin e ri: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë ju”. Në këtë mënyrë, shpjegoi Françesku, Jezusi na tregon udhën, që duhet ndjekur, udhën e dashurisë. E shtoi Papa: “Kjo na kujton se Zoti na do, edhe pse nuk e meritojmë dashurinë e Tij. Kështu na do Jezusi”. Është udhë konkrete, udhë, që na nxit të dalim nga vetvetja, për të shkuar drejt të tjerëve.

Të duash do të thotë të shërbesh

Dashuria nuk shprehet vetëm me fjalë, por me gjeste shërbimi, me “shërbimin e përunjur, që bëhet në fshehtësi: kështu Papa, Françesku në audiencën jubilare të jashtëzakonshme të 13 marsit 2016, e paraqiti shembullin e larjes së këmbëve të dishepujve nga Jezusi, si shembull dashurie, që nuk tregohet vetëm fjalë, por sidomos me shërbim e përkushtim. Papa nënvizoi domethënien e vërtetë të dashurisë, e pastaj citoi letrën e një besimtareje që kujdeset për nënën e moshuar dhe vëllain me handikap: “Kur ti e harron vetveten e mendon në të tjerët, kjo është dashuri”, tha Ati i Shenjtë Françesku.

Dashuria është rruga për ta njohur  Zotin

Duhet ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria vjen prej Zotit e ne jemi bijtë e Tij të lindur për hir të dashurisë, që Hyji ka për ne. “Kush do, e njeh Zotin; kush nuk dashuron, nuk e njeh Hyjin, sepse Zoti është dashuri. Por jo dashuri telenovelash. Jo, jo! Dashuri e qëndrueshme, e fortë; dashuri e amshuar, dashuri konkrete; dashuri me vepra e jo me fjalë”, pati pohuar Papa Françesku gjatë Meshës së kremtuar më 8 janar 2015.

13 qershor 2022, 14:02