Kërko

Monsignor Paul Richard Gallagher, nel suo recente viaggio in Ucraina nel maggio scorso  (ANSA) Monsignor Paul Richard Gallagher, nel suo recente viaggio in Ucraina nel maggio scorso (ANSA)

Migrimi dhe krizat globale, Imzot Gallagher: nevojiten solidaritet e vullnet politik

Për t’i kapërcyer sfidat e kontekstit aktual historik, është e nevojshme t'i jepet një impuls i ri "ndjenjës së përgjegjësisë" që kanё shoqëritë tona. Kështu pohoi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet Imzot Gallagher duke folur nё Gregoriana, në Romë, mbi temёn "Me refugjatët në udhëkryqin e historisë"

R.SH. - Vatikan

Konflikti në Ukrainë e ka shtyrë numrin e përgjithshëm të refugjatëve që ikin nga luftërat përtej shifrës së njëqind milionëve. Por nuk janë vetëm konfliktet që shkaktojnë fenomenet e pafundme migratore që detyrojnë miliona njerëz të braktisin shtëpitë e tyre, të dashurit dhe tokat e tyre. Ndryshimet klimatike, uria e skajshme dhe krizat serioze ekonomike globale janë kambana alarmi që duhet t'i shtyjë liderët e kombeve të veprojnë së bashku dhe me një frymë solidariteti.

Arsyet e migrimeve

“Nuk shërben e nuk mjafton tё frenosh fenomenin e migrimit të detyruar, madje as thjesht ta qeverisësh atë – shpjegon jezuiti At Camillo Ripamonti, president i ‘Centro Astalli’ dhe promovues i konferencës së mbajtur në Universitetin Papnor Gregoriana nё Romё - duhet të ndryshojmë këndvështrimin dhe t’i kujtojmë fytyrat dhe historitë e njerëzve qё janё të detyruar të ikin. Tё mendojmë për shkaqet që i provokojnë këto lëvizje të mëdha njerëzore, siç është tregtia e armëve”. Për Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, lëvizjet e mëdha njerëzore janë të pashmangshme dhe të natyrshme në vetë natyrën e njeriut, "por nuk mund të mendohet të trajtohet një problem kaq kompleks pa vullnetin politik, pa bujari dhe pa një frymë solidariteti".

Diskriminimi dhe pritja

Të qëndrosh me refugjatët në udhëkryqin e historisë do të thotë të dalësh nga logjika e emergjencës dhe t’u japësh përgjigje të strukturuara fenomeneve migratore. Megjithatë, edhe në Evropë, ku parimet demokratike dhe respekti për personin njerëzor konsiderohen si gurët e themelit, episodet e diskriminimit po rriten, madje edhe ndaj personave që ikin nga kontekstet e luftës. Për Imzot Gallagher, pa paragjykuar të drejtën që ka çdo shtet në miratimin e ligjeve për menaxhimin e flukseve migratore, “duhet tё nisemi nga parimi i dinjitetit të njeriut, nga vetëdija se migrimi  nuk është çështje numrash, por e qenieve njerëzore". Është e nevojshme - vazhdoi përfaqësuesi i lartë i diplomacisë së Vatikanit - tё jepet një shtysë e re nё shoqëritë e ndryshme pёr tё përforcuar "një ndjenjë të madhe përgjegjësie që ndihmon njëri-tjetrin reciprokisht në ballafaqimin e kësaj çështjeje".

Paqja nuk është vetëm fundi i luftës

Kërkimi i paqes – sikur ka nënvizuar kohёve tё fundit Papa Françesku - është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, e cila kërkon edhe njё përgatitje shpirtërore dhe njё ndershmëri intelektuale. Por nuk mjafton t'i japim fund një lufte, nëse nuk veprojmë mbi shkaqet rrënjësore që provokuan : pabarazitë, krimet kundër krijimit, pasigurinë ushqimore. Dhurata e paqes - shpjegon imzot Gallagher - është gjithmonë një dhuratë që ne duhet të dimë ta mirëpresim dhe ajo që po ndodh sot në Evropë duhet të na shtyjë të rinovojmë një kulturë bashkëjetese, aftësinë për të pranuar tjetrin në të gjithë diversitetin e tij. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të përpiqemi të përballemi me atë që vetë Imzot Gallagher e përkufizon si një "stuhi të përsosur", e cila kërkon veprim të gjithanshëm nga ana e udhëheqësve të kombeve, pa humbur kurrë para sysh historinё e njerёzve qё janё më të rrezikuar e tё brishtë.

15 qershor 2022, 13:21