Kërko

Katedralja e Kozencës Katedralja e Kozencës 

Kardinali Parolin në Kozencë: ne jemi gurët e gjallë të Kishës, që e ndërton Zoti

I dërguar nga Papa për kremtimet e 800-vjetorit të kushtimit të Katedrales së Kozencës, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kryesoi dje pasdite liturgjinë solemne eukaristike. Në homeli, shpresa se përvjetori do të mund mund ta forcojë në shpirtin e besimtarëve ndjenjën e përkatësisë ndaj Kishës.

R. SH. - Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin i çoi përshëndetjen dhe bekimin e Papës qytetit të Kozencës. I emëruar nga Françesku si legat papnor me rastin e 800-vjetorit të kushtimit të katedrales, dje pasdite kryesoi liturgjinë solemne në sheshin para qendrës historike.

Katedralja, qendër shpirtërore e dioqezës

Në homelinë e tij, kardinali Parolin theksoi se katedralja është qendra shpirtërore e dioqezës dhe se fjala katedrale, nga latinishtja domus, shtëpi, na kujton shtëpinë e Zotit. Më pas, pyetja retorike: “Por a ka nevojë Zoti për shtëpi?”. Nëse ka,  në cilin vend tokësor mund të jetë?”. Kisha   përbëhet nga njerëzit - theksoi kardinali - dhe kjo ka më rëndësi se kisha si strukturë arkitektonike. Kisha është mister, është zemra e planit të Zotit. Kisha është Jezusi, shkëmbi mbi të cilin ndërtohet gjithçka. Ndërsa Pjetri, guri i parë, i zgjedhur nga Krishti për ndërtimin e Kishës, që ka nevojë edhe për shumë gurë të tjerë - shtoi kardinali - duke shpresuar se jubileu i shpallur me rastin e 800-vjetorit të kushtimit të katedrales së Kozencës mund të jetë rast për ta kremtuar Kishën si mister shpëtimi, Kishën, si popull i Zotit, si Korp i Krishtit, si Tempull i Shpirtit Shenjt.

Kisha, projekt i Zotit, ndërtuar me gurë të gjallë

Kardinali Parolin kujtoi, më pas, se Kisha është katolike, domethënë e hapur për të gjithë! Nuk është e përfunduar, por në ndërtim e sipër. Ne jemi gurët, por plani është i Zotit. Kisha është vepër hyjnore, ne jemi gurët që Zoti përdor për të ndërtuar banesën e tij shpirtërore. Kardinali vijoi t’u kujtonte besimtarëve atë që tha Papa Françesku në meditimin e mëngjesit të 24 tetorit 2014, në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës: “Është Shpirti Shenjt që e bën Kishën, që e çimenton unitetin e saj, duke pasur si bazë gurin e themelit, që është Jezusi”.

Së fundi, kardinali Parolin shprehu besimin se kremtimet me rastin e 800-vjetorit të kushtimit të katedrales së Kozencës mund ta forcojnë në shpirtin e besimtarëve ndjenjën e përkatësisë ndaj Kishës-Nënë, që të mëson të flasësh gjuhën e fesë, falë së cilës njihet Jezusi.

Jubileu për 800-vjetorin e kushtimit të katedrales

Për të festuar përvjetorin e tetë të kushtimit të katedrales së saj, kryeipeshkvia e Cozencë-Bisinjano-s shpalli Jubileun, i cili u hap më 30 janar dhe do të përfundojë më 12 shkurt 2023, ditën e festës së Zojës së Pilerio, Pajtore e Kozencës dhe e kryeipeshkvisë. Deri atë ditë, besimtarët do të mund të marrin ndjesën plenare, të shpallur nga Pendestaria Apostolike. Me këtë rast, Françesku i drejtoi një mesazh Kryeipeshkvit Francesco Nolè, duke theksuar vlerën artistike të katedrales së Kozencës dhe duke nënvizuar se “strukturat e jashtme shërbejnë për të ringjallur kujtesën dhe bashkimin dhe për të manifestuar shkëlqimin e asaj ndërtese shpirtërore të ngritur mbi themelet e Apostujve dhe të Profetëve,  që ka si ‘gur këndi’ vetë Krishtin Jezus, mbi të cilin “e gjithë ndërtesa bëhet e denjë për të qenë tempull i shenjtë në Zotin”.

Historia e Katedrales

Katedralja e Kozencës nisi të ndërtohet në mesin e shekullit XI. Vendi i adhurimit u shemb pas tërmetit katastrofik, që goditi qytetin dhe provincën e tij më 9 qershor 1184. Rindërtimi ishte i ngadalshëm dhe vetëm më 30 janarin e vitit 1222 katedralja u shugurua solemnisht nga kardinali Niccolò Chiaromonte, ipeshkvi i Tusculum, legat papnor i Papës Honori III, në prani të perandorit Frederiku II i Svevies i cili, me këtë rast, dhuroi një kryq Bizantin-Stauroteca - i kohës gotiko-romane, kushtuar Zojës. Vepër argjendarësh artistë, e dalë, ndoshta, nga fabrika Norman në Palermo, kutia e çmuar përmban një relike nga druri i Kryqit të Jezusit, që tani ruhet në Muzeun Dioqezan. Më 25 qershor 1759, katedralja u shugurua përsëri pas një sërë ndërhyrjesh të reja, që ndryshuan të gjithë aparatin e brendshëm strukturor dhe artistik. Dhe pikërisht në 25 qershor kujtohet çdo vit kushtimi i saj. Në katedrale ruhet edhe një ikonë të lashtë e Zojës së Pilerio-s,  titull me të cilin Virgjëra Mari nderohet si Pajtore e qytetit të Kozencës.

26 qershor 2022, 13:28