Jubileu 2025, në shtegtim drejt shpresës
R.SH. – Vatikan
Katër figura të stilizuara, që nënkuptojnë njerëzimin, i cili vjen nga të katër anët e tokës: kjo është qendra e logos për Jubileun e vitit 2025, emblemë, që u bë e njohur këto ditë së bashku me moton e ngjarjes së madhe kishtare. Figura e parë kapet pas kryqit, duke të bërë kështu të mendosh për moton, “Peregrinantes in Spem”, shtegtarët e shpresës. Vërtet, i krishteri e ka shpresën në kryqin e Krishtit, që i jep sigurinë e jetës së amshuar, pavarësisht se gjatë ekzistencës së tij tokësore nuk lundron gjithmonë në ujëra të qeta, siç dëshmojnë dallgët në bazën e logos.
Përvjetoret e 2025-ës
Me logon dhe moton nis e konkretizohet ideja e Jubileut të vitit 2025, takim i zakonshëm për Kishën Katolike, pas atij të vitit 2000 dhe pas Vitit të Shenjtë të Jashtëzakonshëm kushtuar Mëshirës, që Papa Françesku e shpalli më 2015. Nuk e dimë ende si do të jetë bota në vitin 2025, pasi pandemia e lufta na mësuan të mos shpejtohemi në parashikime, por e dimë se do të ketë një ngjarje kushtuar familjeve, e cila, në një farë mënyre, do të zëvendësojë Ditën Botërore të Familjeve dhe e dimë se do të ketë diçka ekumenike, sepse kremtohet 1700-vjetori i Koncilit të Nikesë e Pashkët bien në të njëjtën ditë si për katolikët, ashtu edhe për ortodoksët.
Përgatitja për Jubileun, në dy faza
Gjatë paraqitjes së motos e logos, këto ditë, në Vatikan, imzot Rino Fisichella, ish-kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, i cili merret me organizimin e Jubileut 2025, theksoi se, me dëshirën e Papës Françesku, përgatitja do të ndahet në dy faza.
“Viti 2023 - pohoi ai - do t’u kushtohet temave themelore të katër Kushtetutave konciliare, që Kisha të mund të thithë sërish mësimin e thellë dhe aktual të Koncilit II të Vatikanit, të cilit do t’i kremtohet 60-vjetori i hapjes më 11 tetor”. Gjithashtu, do të botohen doracakë për shpjegimin e Koncilit.
Më pas, viti 2024 “do t’i kushtohet lutjes për të krijuar një kontekst të favorshëm për Jubileun dhe për t’u dhënë mundësi shtegtarëve të përgatiten për këtë ngjarje, e cila është sidomos shpirtërore”.
Ende është në përcaktim e sipër agjenda e Jubileut, e cila do të njoftohet më vonë. Por, shtoi imzot Fisichella, “këto dy vite shërbejnë edhe për ta bërë Romën dhe Italinë një qytet dhe një vend, që mund të tregojë sërish ç’ka më të mirë, me traditën e e mikpritjes, që ndër shekuj e ka bërë ‘patria communis’ (atdhe të përbashkët)”.
Jubile “dixhital” për të rinjtë
Kryeipeshkvi Fisichella nënvizoi se ky do të jetë edhe një jubile “dixhital”. “Brezat e rinj janë bijtë e kësaj bote të re – shpjegoi ai – që sjell me vete perspektiva aq të guximshme sa ende duken si fantashkencë, së bashku me kufizimet e mëdha, që minojnë fitoret historike të së vërtetës dhe të lirisë, duke krijuar një paradigmë të re antropologjike. Jubileu i ardhshëm nuk mund të mos hyjë në këtë kulturë, prandaj, po studiojmë si të komunikojmë frytshëm dhe drejtpërdrejt, duke zbatuar arritjet e shkencës dhe të teknologjisë”.
Miliona përdoruesve të internetit, nënvizoi imzot Fisichella, do t’u jepet mundësia të bëhen shtegtarë edhe përmes teknologjisë dixhitale, duke kapur bukurinë dhe shenjtërinë e çasteve të ndryshme jubilare, përmes lajmeve, të cilat, nga njëra anë, kujtojnë shekuj të historisë së krishterë e, nga ana tjetër, nxisin rrënjosjen në ditët e sotme e përkushtimin për të përditshmen.
Logoja, ide e italianit Giacomo Travisan
Logoja u zgjodh përmes një konkursi ndërkombëtar, ndër 294 propozime. Fitoi ideja e italianit Giacomo Travisan, i cili, gjatë konferencës për shtyp, shpjegoi: “Kur desha të personifikoj Shpresën, më erdhi ndërmend një pamje e qartë: Kryqi. Shpresa, thashë me vete, është në Kryqin e Krishtit. E përfytyrova Papën, Pjetrin e sotëm, që e udhëhiqte popullin e Zotit drejt horizontit të përbashkët, duke përqafuar Kryqin, i cili bëhet spirancë, pikë referimi e qëndrueshme për njerëzimin; e ne, njerëzit, që shtrëngoheshim me njëri-tjetrin e me të, sikur të ishim të kapur pas asaj spirance, evokim simbolik i shtegtarëve të të gjitha kohërave”.