Kërko

Kardinali Gambetti kremton meshën e Korpit e të Gjakut të Krishtit Kardinali Gambetti kremton meshën e Korpit e të Gjakut të Krishtit 

Corpus Domini, Gambetti: si Jezusi, të përkulemi drejt të tjerëve, pa kërkuar lavdi personale

Në meshën e solemnitetit të Korpit e të Gjakut të Krishtit, kremtuar në Shën Pjetër, kryeprifti i bazilikës i ftoi besimtarët në shkollën e eukaristisë: asnjëri prej nesh nuk dëshiron të përulet, megjithëse synojmë dashurinë, por kjo është rruga, që duhet bërë me Krishtin, për ta përjetuar jetën si Ai

R.SH. – Vatikan

“Shpesh, para sfidave të historisë dhe vuajtjeve të vëllezërve e motrave, tundohemi ta justifikojmë pafuqinë, ose plogështinë tonë, duke paraqitur arsye logjike e të dhëna objektive”, ose ndoshta, propozojmë projekte të mundshme me natyrë tregtare, “për të zgjidhur situata, edhe dramatike, si ato që shohim prej muajsh në këtë kohën tonë”. Përmes paralelizmit me botën e sotme, kardinali Mauro Gambetti, vikar i përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit, komentoi Ungjillin e Solemnitetit të Korpit e të Gjakut të Krishtit, që u kremtua sot. Ai u ndal në faqen ungjillore, ku tregohet për shumëzimin e bukëve dhe të peshqve, kur dishepujt - të habitur nga kërkesa e Jezusit për të ushqyer turmën, që e kishte ndjekur dhe kishte nevojë për ushqim – justifikohen, duke thënë se nuk kishin aq sa për t’u dhënë të gjithëve.

Me Jezusin, në udhët e jetës

Në meshën e kryesuar sot paradite, në Altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit, kardinali kujtoi se Jezu Krishti e quan veten “bukë e gjallë, zbritur nga qielli”, ushqim për jetën e amshuar, duke dëshmuar se përvuhet para njerëzimit, për të treguar “gjithë dashurinë e Atit për njeriun, përvuajtje, që do ta çojë drejt mundimeve dhe vdekjes në kryq”. Duke i ftuar dishepujt të sigurojnë ushqim për njerëzit, që ishin mbledhur rreth tij, i nxit të përvuhen, si ai. “Askujt prej nesh nuk i pëlqen të përulet, pavarësisht se synojmë dashurinë - nënvizoi kardinali Gambetti - e kur na thuhet, siç bën Jezusi krejt qartë, se përvuajtja është e vetmja rrugë e Zotit, atëherë jo vetëm që nuk e kuptojmë, por nuk e pranojmë e ka rrezik të ndahemi nga udha e jetës, nga udha e Jezusit”. Por, “Jezusi na merr për dore”, “për të na shoqëruar që ta zbulojmë deri në fund udhën e jetës dhe për të na bërë të marrim pjesë në të”, shpjegoi kardinali, duke shtuar se "episodet në të cilat Jezusi i siguron ushqimin turmës janë qendrore në tregimet e të gjithë ungjilltarëve”. Ato mbetën të ngulitura në kujtesën e dishepujve, të cilët ndryshuan mendje e zemra, duke hyrë në rrugën e shndërrimit personal, që filloi me Pashkët, me atë Darkë të Mbrame, në të cilën marrim pjesë edhe ne “sa herë që e kujtojmë, duke kremtuar Eukaristinë”.

Çfarë kërkon Zoti prej nesh?

Kardinali Gambetti theksoi se edhe ne “i rezistojmë përfshirjes, kur ajo na prek në mish, në xhepa, në privilegjet që gëzojmë”. Problemi është "feja e paktë". “Është sikur dishepujt t’i kishin thënë Jezusit: ‘Shiko se është e pamundur të realizohet ç’na kërkon, na ke mbivlerësuar’. Ose me fjalë të tjera: 'E ke gabim, nuk di çfarë thua'. Kjo na ndodh edhe neve - nënvizoi kardinali - për shembull, kur me përfundimet a gjykimet tona i skualifikojmë të tjerët, veçanërisht, njerëzit që kanë autoritet e, kjo ndodh që nga fëmijëria: prindërit, profesorët, drejtuesit, qeveritarët, ipeshkvijtë, Papën, Zotin”. Në vend që të kërkojmë justifikime për mospërfshirjen tonë, vazhdoi kardinali, duhet ta pyesim veten çfarë kërkon Zoti prej nesh e, më pas, thjesht t’i bindemi. Këtë bënë dishepujt, duke dëgjuar urdhrin e Jezu Krishtit. E kështu, “ndodhi e pabesueshmja”.

Shkolla e Corpus Domini

Më pas, vikari i përgjithshëm i Papës u ndal tek "lajmi i bukur i dashurisë së plotë e personale, sjellë nga Jezusi - "Ky është Korpi im, që është për ju" - i cili na sheh jo vetëm si marrës të kësaj dashurie, por edhe si protagonistë. Siç ishte Shën Pali, që tha: "Unë e mora nga Zoti atë që ju transmetova juve". Atëherë, edhe ne jemi të thirrur të bëhemi Eukaristi si Jezusi, të bëhemi "kujtim i gjallë i Jezusit", "të ftuar të përkulemi mbi njerëzimin, duke lënë pas çdo formë lavdie të kësaj bote, qoftë shoqërore, qoftë personale, për të mos e komprometuar kurrë madhështinë e dashurisë, për të mos dështuar në dashuri”, pra, “për ta përjetuar atë jetë, që Jezusi ndau dhe vazhdon të ndajë me ne, për të mos u larguar kurrë nga udha e jetës”. “Kjo është shkolla e Corpus Domini”, pohoi kardinali Gambetti. “Jezusi na merr për dore dhe dëshiron të na çojë drejt kësaj jete të plotë dhe të dashur, që kalon përmes ndryshimit të qëndrimit”, përfundoi kardinali. Me një fjalë, Krishti dëshiron të na thotë: “Mos u shqetëso më për veten, por për vëllezërit e tu, t'i mbledhësh dhe t'u japësh veten tënde për të ngrënë”, pra, t’u dhurosh vetveten.

16 qershor 2022, 15:06