Kërko

Imzot Gallagher e Dmytro Kuleba, gjatë konferencës së shtypit në Kyiv Imzot Gallagher e Dmytro Kuleba, gjatë konferencës së shtypit në Kyiv 

Ukraina, Gallagher: konflikt i pakuptimtë, ngulmojmë për rrugën e paqes

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet flet në një konferencë shtypi, pas takimit me Ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba: Selia e Shenjtë ripohon gatishmërinë, në favor të një procesi të mirëfilltë bisedimesh. Historia e tmerrshme e Buçës na tregon se paqja nuk mund të parashikohet lehtësisht.

R. SH. - Vatikan

 “Vizita më krijoi mundësinë t’i prek me dorë plagët e këtij vendi. Dje në mëngjes vizitova qytetet martire Buça, Vorzel dhe Irpin”. Këtë deklaroi imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, në konferencën e shtypit, në Kiev, me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba. Vizita - pohoi - është shprehje e afërsisë  të Selisë së Shenjtë dhe Papës Françesku me popullin ukrainas, veçanërisht parë në dritën e sulmit rus kundër Ukrainës. E edhe vazhdim “i vëmendjes së veçantë të Atit të Shenjtë për  Ukrainën”, gjë që u dëshmua që me dërgimin e kardinalit Konrad Krajewski, lëmoshtarit të tij, dhe kardinalit Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor.

Bucha na kujton se paqja nuk mund të parashikohet lehtësisht

Bucha na kujton se paqja nuk është aq e lehtë të parashikohet! Atje ndodhi një nga gjërat më të tmerrshme, që është parë në Evropë e që, fatkeqësisht “do të hyjë kështu në historinë e shekullit të 21-të”. Është këmbanë alarmi, që bie për të gjithë për të na kujtuar: “Mos mendoni se paqja mund të parashikohet lehtë!”. Paqja është dhuratë nga Zoti, por është edhe vlerë jetike, për të cilën burrat dhe gratë vullnetmira, pavarësisht nga feja apo përkatësia politike, duhet të punojnë vazhdimisht. E nëse nuk e bëjmë këtë, e rrezikojmë rëndë vetveten, siç na e tregon qartë Bucha.

Kërkojeni këmbëngulshëm paqen

Imzot Gallagher nënvizoi dhimbjen e madhe të Papës “për vdekjet e shumta, dhunën e të gjitha llojeve, shkatërrimin e qyteteve, ndarjen e familjeve, refugjatët e shumtë”. Duke kujtuar përpjekjet “në kërkim të rrugëve të shkurtëra, për t’i dhënë fund konfliktit të pakuptimtë në Ukrainë”, Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet theksoi se “besimi në Zotin dhe në njerëzimin, na bën të ngulmojmë në ndjekjen e qëllimit të paqes përmes lutjes, fjalëve dhe veprave, pa u dorëzuar përballë kësaj sfide të madhe”.

Për të ndërmjetësuar, Selia e Shenjtë duhet ftuar nga të dyja palët

Selia e Shenjtë - shpjegoi Imzot Gallagher - rithekson, siç ka bërë gjithmonë, gatishmërinë e saj për të favorizuar procesin e mirëfilltë të bisedimeve, duke e konsideruar si “rruga më e frytshme për zgjidhjen e drejtë dhe të përhershme”, por për të ndërmjetësuar duhet të ftohet nga të dyja pjesët. Kisha - vuri në dukje më tej - “po përpiqet t'u përgjigjet nevojave shpirtërore dhe materiale të popullsisë, si në planin e menjëhershëm, ashtu edhe në atë afatgjatë”.

Në përfundim, imzot Gallagher u shprehu përsëri mirënjohjen autoriteteve ukrainase dhe i drejtoi një falënderim të përzemërt Kishës Katolike, Kishave të tjera dhe organizatave fetare “lidhur me angazhimin e tyre për paqen dhe solidaritetin, me shpresën se do të vijojnë t’i mbështesin ata, që kanë nevojë dëshpërimisht dhe se përpjekjet e përbashkëta të gjithë botës së shpejti do t'i japin fund shkatërrimit dhe vdekjes”.

21 maj 2022, 11:41