Kërko

Logo e DBR-së së Lisbonës 2023 Logo e DBR-së së Lisbonës 2023 

Trembëdhjetë pajtorë për DBR-në e Lisbonës 2023

Jeta e Krishtit e mbush plot dhe është shembull për të rinjtë e çdo moshe. Këtë dëshmojnë 13 pajtorët e Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, që do të mbahet në Lisbonë në vitin 2023. Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë i paraqiti këto figura përmes një shkrimi të Patriarkut të Lisbonës, kardinalit Manuel Clemente, i cili e ka publikuar si hyrje të një libri, botuar nga Edizioni Paoline dhe Edizioni San Paolo

R.SH. – Vatikan

 Trembëdhjetë drita shenjtërie për ditët tona. Këto janë figurat, që u paraqiten të rinjve nga Komiteti Organizativ Lokal i Ditës Botërore të Rinisë, e cila do të mbahet në Lisbonë nga 1 deri më 6 gusht 2023. Çdo dioqezë e kryeqytetit portugez ka zgjedhur shenjtorë, që janë pikë referimi për realitetin vendas, për të ndihmuar kështu pjesëmarrësit në DBR të përgatiten për këtë ngjarje të madhe.

Të sjellim Jezusin në botë

Pajtore e përhershme është, pa dyshim, Virgjëra Mari, vajza e re që pranoi të ishte Nëna e Birit të Zotit të mishëruar. Maria është ajo, që ua sjell Jezusin të tjerëve dhe është shembull edhe sot, në një botë që pret kumtin e shëlbimit të Krishtit. Ndër heronjtë e fesë, Shën Gjon Pali II, themeluesi i DBR-ve, Shën Gjon Bosko, Shën Vinçenci, diakon e martir i shekullit VI e, pastaj, shenjtorët që u nisën nga Lisbona për të përhapur Ungjillin në botë: Shna ‘Ndou, Shën Bartolomeu i martirëve, Shën Gjoni di Brito.

Të rinjtë e lumë të Lisbonës

 Të rinjve, që do të marrin pjesë në Ditën Botërore të Rinisë 2023, u jepet edhe shembulli i disa bashkëmoshatarëve të lumë si Xhovana e Portugalisë, e bija e mbretit Alfonsi V, e cila parapëlqeu jetën e klauzurës në vend të kurorës mbretërore; i riu jezuit Xhovani Fernandes, i cili u martirizua në vitin 1570, në Ishujt Kanarie, ndërsa po udhëtonte për në Brazil si misionar; Maria Klara e Krishtit Fëmijë, një e re aristokrate, e cila, pasi mbeti jetime, vendosi të bëhej “nëna” e të harruarve, duke themeluar Françeskanet Spitalore të Zojës së Papërlyer.

Të Lumët e ditëve tona

Së fundi, të lumëve nga Lisbona, për të cilët vijon procesi i shenjtërimit, u shtohet i Lumi Pier Giorgio Frassati, i cili, duke ngjitur Alpet dhe duke u shërbyer të varfërve, e jetoi Ungjillin me gëzim, dinamizëm dhe bamirësi, deri në vdekjen e tij në Torino, në moshën 24-vjeçare; i Lumi Marcello Callo, skaut, i cili vdiq në vitin 1945, në kampin e përqendrimit Mauthausen, ku zhvilloi veprën e tij të apostullimit, pavarësisht nga kushtet çnjerëzore të kampit të përqendrimit; të Lumët Chiara “Luce” Badano dhe Carlo Acutis, të cilët u sëmurën në adoleshencë, por e jetuan vuajtjen në bashkim me Krishtin e kryqëzuar, duke dhënë, në ditët tona, një dëshmi të ndritur feje.

19 maj 2022, 10:53