Kërko

Papa Francesco e malato Papa Francesco e malato

Sinodi i Kishës dëgjon njerëzit me aftësi të kufizuara

Vlerësimi i leksionit, që vjen nga bota e njerëzve me aftësi të kufizuara dhe roli i tyre në Kishë: ky, qëllimi i takimit të sotëm, organizuar në kuadrin e Sinodit mbi sinodalitetin, në të cilin marrin pjesë mbi 30 përfaqësues të tyre. Në përfundim të ngjarjes do të hartohet një dokument, që do t'u dorëzohet ipeshkvijve. Scelzo, i dikasterit të laikëve, pohon: “Duhet t’i japim fund qëndrimit paternalist dhe ta dëgjojmë përvojën e këtyre njerëzve, me bindjen se askush nuk shpëton i vetëm”

R-SH. - Vatikan

“Kontributi i personave me aftësi të kufizuara në Sinodin e Sinodalitetit”: kjo është tema kryesore e takimit online, me dyer të mbyllura, organizuar sot, e enjte, 19 maj, nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën, në bashkëpunim me Sinodin e Ipeshkvijve. Marrin pjesë mbi 30 vetë me aftësi të kufizuara, ardhur nga e gjithë bota, krerë të Dikasterit e të Sekretariatit të Sinodit si dhe përfaqësues të Konferencave Ipeshkvnore dhe të realiteteve kishtare, që  kujdesen për njerëzit me aftësi të kufizuara.

Një udhë me etapa

Takimi është i pari i një udhe të bërë  “me etapa”, që duhet të përfundojë në Romë, shtatorin e ardhshëm. Qëllimi është vlerësimi i kontributit që mund të japin në jetën e Kishës njerëzit me aftësi të kufizuara si dhe nxitja për dëgjim dhe ballafqim, me qëllim që të kapërcehet kujdesi i tepruar, gjë që shpesh e dëmton këtë pasuri, e cila tashmë po përpiqet të luajë rolin e saj në gjirin e shoqërisë, larg qëndrimit të deritanishëm,  siç na e shpjegon Vittorio Skelzo, punonjës i Dikasterit për laikët, familjen dhe jetën, që merret me baritorinë e këtyre njerëzve.

Ta dëgjojmë intervistën e Vittorio Skelzo:

Si lindi nevoja për këtë takim dhe çfarë pritet prej tij?

“Pritet të dëgjohet zëri i njerëzve me aftësi të kufizuara brenda udhës sinodale. Papa në “Vëllezër të gjithë” e thotë shumë qartë, domethënë se ne duhet të kemi guximin për t’u dhënë zë atyre, që diskriminohen për shkak të aftësive të kufizuara E kjo është pikërisht ajo që duam të bëjmë me këtë proces sinodal. Mbi 30 persona me aftësi të kufizuara, nga më shumë se 20 vende të botës, sot kanë mundësinë t’i përgjigjen pyetjes themelore të Sinodit për Sinodalitetin; ideja është që të përmblidhet ndihmesa e tyre, për t’iu dorëzuar, më pas, Sinodit për shqyrtim në përgatitjen e Instrumentum laboris”.

Cilat do të jenë kontributet dhe dëshmitë e invalidëve, që do të marrin pjesë në nismën e sotme?

“Është diçka që nuk mund ta them, mbasi këtë duam ta dimë nga vetë  personat me aftësi të kufizuara. Duam të dimë se çfarë mendojnë, cili është këndvështrimi i tyre për Kishën, si mendojnë se mund të përfshihen më shumë. Ata vijnë nga histori dhe realitete të ndryshme, për shembull është i pranishëm një diakon gjerman i shurdhër dhe i verbër; ka, pastaj, njerëz me sindromën Down, ka autikë, ka të tjerë që kanë vetëm aftësi të kufizuara fizike. Ata erdhën këtu nga Liberia, Filipinet, Australia, Italia, Meksika ... është e pranishme edhe një grua ukrainase, që vjen nga Lviv dhe që do të na kujtojë lidhjen ndërmjet luftës dhe aftësisë së kufizuar. E do të tregojë konkretisht sa njerëzve u kufizohen aftësitë për shkak të konflikteve. Një mori ngjarjesh njerëzore, që shkrihen në një kërkesë të përbashkët e që tregojnë se këta njerëz mund të japin shumë për jetën e Kishës”.

Pra njerëzit me aftësi të kufizuar nuk duhen shikuar vetëm si objekt kujdesi dhe vëmendjeje, por edhe si protagonistë të jetës së Kishës?

“Pikërisht, Kisha i ndihmon prej kohe dhe bën shumë për njerëzit me aftësi të kufizuara, por Papa thotë se duhet t’i dëgjojmë! E çfarë mundësie më të mirë kemi, sesa Sinodi? Shumë herë njerëzit me aftësi të kufizuara paragjykohen. Mendohet se e kanë vështirë të shprehen, ndoshta edhe pse nuk kanë çfarë të thonë. Mendim që duhet ndryshuar, ndonëse këta njerëz kanë një pasuri që është e vështirë të shfaqet. Kanë një fe të jetuar, ndonjëherë ndoshta në një mënyrë emocionale, por që është kontribut shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë. Atëherë duhet të kapërcejmë paternalizmin, atë qëndrim që na shtyn vetëm t’i mësojmë të paaftët, të besojmë se ata që janë në karrige me rrota duhet vetëm të dëgjojnë. Personat me aftësi të kufizuara na kërkojnë të mendojmë ndryshe”.

Kisha Katolike krenohet për teologjinë dhe traditën e gjatë kushtuar aftësive të kufizuara, duke filluar nga Ungjilli, ku takojmë të verbër e të çalë, madje edhe shumë shenjtorë, që e jetuan përvojën e aftësisë së kufizuar. Ky është parakusht, që shumë të tjerë nuk e kanë...

“Jezusi i shëron të verbërit dhe të çalët, por i fton ta ndjekin: Ungjijtë i kushtojnë vëmendje trupit, e Jezusi i liron njerëzit pikërisht sepse u kërkon sakatëve ta ndjekin. Sot do të dëgjojmë historinë e Mateut, një burri nga Liberia, i cili u shërua falë punës së një shoqate të themeluar nga një murgeshë. Sot Matthew është personalisht në shërbim të personave të tjerë me aftësi të kufizuara, në një vend afrikan ku një mori njerëzish janë goditur nga lufta dhe minat kundër njeriut, u ofron ndihmë ushqimore dhe ua mbron të drejtat. Ai u shërua plotësisht që në atë çast, kur nisi të ndiqte Zotin. Skenë ungjillore, kjo!”

Aftësia e kufizuar na kujton gjithashtu rëndësinë e ndërvarësisë dhe marrëdhënieve në shoqërinë e hedhurinës, që kërkon nga të gjithë të jenë më të pavarur dhe më aktivë. Mësim tjetër i rëndësishëm për t’u nxënë edhe ky?

“Po, nëse e marrim seriozisht shprehjen se askush nuk mund të shpëtojë i vetëm, në këtë drejtim njerëzit me aftësi të kufizuara, me dobësinë dhe aftësinë e tyre për t’u ndihmuar, janë vërtet mjeshtra. Në jetë nuk fiton gjithmonë, është e rëndësishme ta kuptosh këtë pikërisht tani. Nuk fiton i vetëm e as nuk shpëton i vetëm. Papa këmbëngul shumë në këto koncepte. Pastaj ka një kuptim të jetës, parë si lidhje e, për një njeri me aftësi të kufizuara, lidhja shumë shpesh është diçka e domosdoshme. Pa një mik, që të ndihmon, nuk mund të shkosh askund! Por kjo është e vërtetë për të gjithë.  Ekziston një mësim antropologjik, që duhet nxënë nga njerëzit me aftësi të kufizuara. E ne shpresojmë që kjo rrugë sinodale do ta nxjerrë në dritë sot këtë aspekt. Por e përsëris: fjalën e kanë njerëzit me aftësi të kufizuara. Ne do të dëgjojmë atë, që po na thonë”.

19 maj 2022, 11:01