Kërko

Kardinali Semeraro kujton dhjetë shenjtorët e rinj

Semeraro: duke i parë këto dhjetë figura, mund të thuhet se filli që i lidh, është dashuria e Krishtit, janë Pashkët e tij: ata zgjodhën Zotin dhe Ungjillin si themel të jetës së tyre dhe, pavarësisht “Mundimeve”, që iu desh të përballonte secili, bëhet fjalë për njerëz të lum. Lumturia e shenjtorëve është gjithmonë paradoksale, i këndon gëzimit, mendon hirin, shkëputet nga të mirat e, megjithatë, zhytet në histori. Këta shenjtorë janë lypës të Shpirtit e të Korpit të Krishtit, artizanë të paqes

R.SH. - Vatikan

Mjafton të kesh “këmbë të forta dhe ëndrra të mëdha” për të arritur shenjtërinë. Ka të bëjë me të gjithë: grua ose burrë, laik ose prift, rregulltar a i vejë. Shenjtëria është realiteti më popullor. Nuk bën dallime dhe nuk pranon diskriminim. Nuk i shikon shenjtorët thjesht si figure.  Përkundrazi! Kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, flet për këtë në intervistën me “L’ Osservatore Romano”, në prag të ritit të shenjtërimit të 10 të lumturve, që Papa Françesku do ta kryesojë nesër, e dielë, 15 maj, në Sheshin e Shën Pjetrit.

A ekziston ndonjë fill, që i lidh gjithë këto figura, të cilat e jetuan shenjtërinë?

“Nuk ka asnjë fill të mirëfilltë, që lidh jetën e dhjetë shenjtorëve të rinj: bëhet fjalë për të lum, mrekullitë e të cilëve, të studiuara vitet e fundit, u njohën si të tilla nga Ati i Shenjtë. Prandaj, nga ana njerëzore, lidhja është vetëm kronologjike. Për pjesën tjetër, ata janë njerëz shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri në këndvështrimin historik dhe gjeografik... Në një intervistë me Joseph Ratzinger,  Papa ynë i Nderit  u pyet sa rrugë të çojnë te Zoti. U përgjigj: ‘Aq sa janë njerëzit’. Megjithatë, duke i parë më në thellësi këto dhjetë figura, mund të thuhet se filli që i lidh, është dashuria e Krishtit, janë Pashkët e tij: ata zgjodhën Zotin dhe Ungjillin e tij si themel të jetës së tyre dhe, pavarësisht “Mundimeve”, që iu desh të të përballonte secili, bëhet fjalë për njerëz të lum. Lumturia e shenjtorëve është gjithmonë paradoksale, sepse i këndon gëzimit dhe shijon lotët, mendon hirin, e kërkon luftën, shkëputet nga të mirat e, megjithatë, zhytet në histori. Këta shenjtorë janë të tillë: lypës të Shpirtit dhe të Korpit të Krishtit, artizanë të paqes dhe luftëtarë me një armik të vetëm”.

Ndëmjet tyre është një laik: indiani i parë që u lumnua….

“Lazri i Lum ishte zyrtar i pallatit mbretëror. Në vitin 1741, nëpërmjet një të burgosuri francez të ushtrisë holandeze, u njoh me fenë katolike, u pagëzua në vitin 1745 dhe mori emrin e Lazarus, në gjuhën lokale tamile, "Devasahayam", që do të thotë “ndihma e Zotit”. Për shkak të kthimit të tij në fenë e Krishtit, pësoi një persekutim mbresëlënës. I tallur dhe i torturuar, u detyrua të shtrihej mbi insekte helmatisëse dhe të ecte i lidhur me zinxhirë nën diellin përvëlues, i etur dhe i uritur për muaj të tërë.  Por nuk pushoi së luturi. Shumë njerëz filluan t’i shkonin pas, të tërhequr nga shenjtëria e tij. Madje edhe rojet filluan të silleshin mirë me të, ndaj u desh ta çonin në një burg të fshehtë, ku e vranë. Pas të shtënave vdekjeprurëse, Devasahayam ra duke qarë e duke u lutur: “Jezus, më shpëto!”. Kështu u bë shembull i fortë për të krishterët e shumtë, të cilët edhe sot vijojnë të persekutohen. E kështu Jezusi vazhdon të dojë dhe të vuajë në dëshmitarët e tij”.

Shumica e shenjtorëve të rinj janë themelues kongregatash fetare. Çfarë trashëgimie lanë për botën e sotme?

“Ata na tregojnë se sa e vërtetë është, çka Papa Françesku e përsërit që nga fillimi i shërbesës së tij papnore: ne duhet të rizbulojmë “gëzimin e ungjillëzimit” dhe dëshirën për të takuar Zotin Jezus tek të tjerët, veçanërisht tek ata, që vuajnë. T’i shohim, pra. Quhen Maria Domenica Mantovani, Maria Francesca Rubatto, Luigi Maria Palazzolo ose Maria di Gesù Santocanale… të gjithë ia kushtuan jetën e tyre shërbimit të të varfërve. Pa harruar edhe Cesare de Bus, i cili ia kushtoi jetën shpalljes së Fjalës së Zotit dhe katekizmit; Giustino Maria Russolillo, që iu kushtua formimit të të rinjve dhe kujdesit baritor të thirrjeve; Maria Rivier, edukatore e palodhur për të rinjtë. Në këtë aspekt ata janë të gjithë baballarë dhe nëna! A nuk është e rëndësishme kjo? Ne po përjetojmë  krizën e atësisë, të amsisë dhe lindjes së fëmijëve. Sidomos të rinjtë sot vuajnë në gji të familjeve boshe, në mes të krizave të identitetit dhe në kërkim të sigurisë, situata që krijojnë vartësi. Shenjtorët themelues janë pasqyrim i atësisë dhe amësisë së Zotit: ata përfaqësojnë Nënën që përqafon dhe vlerëson, Atin që kufizon teprimet dhe çliron veçantinë e secilit. Themeluesit e shenjtë janë mbjellës besimi: ata i nisin proceset dhe shtigjet; nuk i lidhin fëmijët e tyre, por i lënë të lulëzojnë, ashtu siç janë. Ne kemi të drejtë për këtë atësi, kemi nevojë për këtë tipar të nënës, që i përket Zotit, për të rilindur gjithnjë si krijesa të reja”.

Është, pastaj, edhe një dëshmor, i cili përveçse rregulltar, ishte edhe gazetar. Çfarë mesazhi u përcjell veprimtarëve të komunikimeve shoqërore?

“Lajmet e rreme janë po aq të vjetra, sa bota: i shpiku tunduesi i Adamit dhe Evës! E që atëhere ata e helmuan botën. Më 24 janar 2018, Papa Françesku i ftoi gazetarët t’i kundërvihen kësaj “logjike gjarprinjsh”, të cilën e gjejmë edhe në propagandën e regjimeve, si ai nazist, për shembull! Ndërsa Hitleri censuroi gazetat, At Tito Brandsma takoi personalisht redaktorët e gazetave katolike për t’u shpjeguar kritikat e kishës kundër nazizmit. Ky mision i kushtoi shtrenjt: u internua në Dachau, ku edhe vdiq më 26 korrik 1942, i helmuar me një injeksion. Infermierja, që e praktikoi, ishte vajzë e re e apasionuar pas ideologjisë naziste. E megjithatë, para se të vdiste, At Tito i dhuroi rruzaren e vet! Kur ajo i tha se nuk dinte të lutej, ai u përgjigj se do të mjaftonte që ajo të thoshte: ‘Lutu për ne, mëkatnorë tash e në fillë të mortjes sonë’. Infermierja u pagëzua dhe, gjatë procesit të shenjtërimit, dha dëshmi për orët e fundit të jetës së karmelitanit. Në një nga shënimet e tij, At Tito shkruante: ‘Do të doja t’i bija këmbanave për t’i treguar botës sa bukur është të duash! Neopaganizmi (i nazizmit) mund ta mohojë dashurinë, por historia na mëson se, pavarësisht nga gjithçka, ne do të fitojmë mbi këtë neopaganizëm me dashuri. Nuk do ta braktisim kurrë dashurinë. Dashuria do të na bëjë t’i rifitojmë zemrat e këtyre paganëve”. Ndoshta mesazhi i At Titos për operatorët e komunikimeve sociale është i tëri këtu: kërkon çlirimin e gazetave nga helmi i gjarprit dhe kultivimin e fjalëve të dashurisë”.

Charles de Foucauld është një figurë e njohur jo vetëm në qarqet katolike. Çfarë përvoje na transmeton?

“Është paradoksale që Charles de Foucauld, i cili zgjodhi rrugën e fshehjes dhe të heshtjes dhe nuk themeloi as institute apo shoqata fetare, është figura më e njohur në mesin e këtij grupi shenjtorësh të rinj, dhe jo vetëm në nivelin kishtar. Profili i shenjtërisë i Charles de Foucauld mund të krahasohet me një diamant me shumë faqe: frymëzimi ekumenik, heshtja e lutjes, kujtimi, kërkimi i Zotit si etërit e shkretëtirës,​​këmbëngulja për të ndjekur hirin dhe për ta jetuar atë, bamirësia që bën gjithçka, për të gjithë, vëllazëria universale për të cilën Papa Françesku e citoi atë në Brothers all (nr. 286-287) dhe shumë më tepër. Ta përshkruash me pak fjalë shkëlqimin e kësaj perle, është një ushtrim vërtet i vështirë. Personalisht, e vlerësoj shumë përvujtërinë, që e shtyu të jetonte gjithnjë e më shumë i bashkuar me Zotin dhe, ashtu si Shën Pali, ta bënte Krishtin të jetonte gjithnjë e më shumë në të, aq sa u bë një shteg drite për shumë njerëz të etur për Zotin.

Në nxitjen apostolike “Gaudete et exsultate” mbi thirrjen për shenjtëri në botën bashkëkohore, Papa Françesku tërheq vëmendjen për t’u ruajtur nga shenjtorët me "fytyra figuresh”. Sa larg është kjo, nga jeta e këtyre shenjtorëve?

 “S’ka gjë më të largët!Figuret janë prej letre, këta shenjtorë, njerëz "me mish e gjak", me cilësitë dhe dobësitë e tyre por që, megjithatë, e donin Zotin dhe vëllezërit e motrat. Figuret riprodhojnë mite, shenjtorët bëjnë historinë. Ato janë një pasqyrim i dashurisë së Pashkëve, që na nevojitet për të shmangur mashtrimin dhe për të përjetuar gëzimin e Ungjillit. Janë ata që na mësojnë të jetojmë, ndërsa bota flet të kundërtën. Më kujtohet poezia “Zotërinjtë e mirë”, e Gianni Rodarit: «Një zotëri nga Scandicci / hodhi gështenjat / e hëngri iriqët e detit. / Një shoku i tij nga Lastra a Signa / hodhi arrat e pishës / dhe hëngri pishën. / Një kushëri i tij nga Prato / hëngri letrën / dhe hodhi çokollatën. / Shumë njerëz nuk e dinë / prandaj mos u shqetësoni për këtë: / e hedhin jetën / dhe hanë vetëm lëvozhgën”.

Këtu shumë hanë “lëvozhgën” e jetës në kërkim të suksesit dhe mirëqenies, ndërsa shenjtorët heqin dorë nga kjo lëvozhgë, për të shijuar lëngun e dashurisë. Para se të ishin shenjtorë, ishin të zgjuar. Ndryshe nga sa mendohet!

Shenjtorët “janë njerëz me këmbë në tokë”, siç tha Papa Françesku në Engjëllin e 1 nëntorit 2019. Si ishin edhe këta shenjtorë të rinj?

“Në mesazhin e fundit për Ditën Botërore të Lutjes për thirrjet, Papa Françesku shkroi se jeta jonë ndryshon kur mirëpresim vështrimin e Atit mbi ne. Gjithçka bëhet dialog profesional, mes nesh dhe Zotit, por edhe mes nesh dhe të tjerëve. Dialog që, i jetuar në thellësi, na bën gjithnjë e më shumë ata që jemi. Kjo u ndodhi të gjithë këtyre shenjtorëve të rinj. Në këtë mënyrë ata iu përgjigjën shtysave të Shpirtit, që i nxiti të ndihmonin të varfrit, të mësonin nevojtarët, të mjekonin të sëmurët, të kujdeseshin për thirrjet, por edhe të gjurmonin shtigje të reja në kërkimin e Zotit. Këmbët e tyre, të përziera me dheun, nuk i penguan të ëndërrojnë, të besojnë në poezinë e Ungjillit. Ata do të ishin paqebërës të mëdhenj në kohë të vështira si kjo e jona, mes sfidave të rrezikshme. Këmbët e forta dhe ëndrrat e mëdha janë mjete thelbësore për shenjtërinë”.

Intervista u realizua nga Nicola Gori

15 maj 2022, 10:45