Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin 

Parolin: lufta është dhunë pa kuptim, duhet të jemi artizanë të paqes

Duke folur në një konferencë të organizuar nga Universiteti Papnor Urbanian dhe nga ambasada e Marokut në Selinë e Shenjtë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe shtetit të Afrikës veriore, duke përsëritur thirrjet e Papës për fundin e luftës në Ukrainë

R.SH. – Vatikan

“Në këtë periudhë, karakterizuar nga dhuna pa kuptim, Selia e Shenjtë impenjohet për të kontribuar në përpjekjet për paqen, e cila, së bashku me drejtësinë dhe vëllazërimin, është dhuratë e Zotit, për të cilën lutemi me zjarr”. Problematikat aktuale ishin në qendër të fjalimit të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, i cili mori pjesë në një konferencë mbi dialogun dhe të mirën e përbashkët, organizuar në Universitetin Papnor Urbanian nga ambasada e Marokut në Selinë e Shenjtë dhe në Urdhrin Sovran Ushtarak të Maltës. Pandemia dhe konflikti në Ukrainë janë shqetësimet kryesore të botës së sotme, vërejti kardinali, e atyre, të gjitha institucionet e shoqërisë duhet t’u përgjigjen duke krijuar një “arkitekturë” paqeje. Por, të gjithë duhet të jemi artizanë të paqes, nënvizoi prelati.

Respektimi i dinjitetit njerëzor

“Bota jonë – pohoi Parolin – ka etje për paqe, për këtë pasuri të padukshme, që kërkon përpjekjen dhe kontributin e vazhdueshëm të të gjithëve”. Paqja është e rëndësishme edhe për t’i bërë ballë pandemisë, pasi vë “në qendër të çdo veprimi dinjitetin e shenjtë të njeriut dhe respektin për të mirën e përbashkët. Të gjithë jemi të thirrur të kontribuojmë në arkitekturën globale e të përhershme të paqes”.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi fjalët e Papës Françesku drejtuar Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, duke nënvizuar veçanërisht dy fjalë kyçe, “dialog” dhe “vëllazërim”, thelbësore për të kapërcyer krizat e kohës së sotme, karakterizuar nga “zhurma shurdhuese e luftërave dhe e konflikteve”. Shpesh, Papa Françesku i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të impenjohet konkretisht për t’i dhënë fund kësaj lufte të tmerrshme, vuri në dukje kardinali Parolin.

Paqe e zhvillim

Prelati kujtoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Marokut, filluar në vitin 1976, vizitën e Gjon Palit II më 1985 dhe atë të Françeskut më 2019, i cili e pasi quajtur vendin “urë natyrore ndërmjet Afrikës dhe Evropës” dhe pati bërë thirrje për të ndërtuar “një botë më të bashkuar dhe më të përkushtuar ndaj atij dialogu, që respekton veçoritë e çdo populli dhe të çdo qytetari”. Përveç paqes, nevojitet edhe zhvillimi, nënvizoi kardinali, duke dhënë shembullin e mungesës së ujit, për të cilën edhe Papa pati bërë thirrje për zgjidhje në Forumin e nëntë Botëror të Ujit në Dakar. Ky problem, kohët e fundit, ka prekur zonat rurale të Marokut.

Vlera e tolerancës

Në fjalimin e kardinalit Parolin, një mendim edhe për shenjtorin e ri Charles de Foucauld, i cili pati shkuar në Marok, duke dhënë një kontribut të madh në favor të “Kishës Katolike në Magreb”. Bëri të lindin “shumë nisma për t’i dhënë shprehje konkrete thirrjes së Koncilit II të Vatikanit për dialog me fetë e tjera, në veçanti me myslimanët”. “Maroku – përfundoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit – është vend i pasur me bukuri, vend takimi ndërmjet qytetërimeve”, karakterizuar nga toleranca tradicionale.

“Si besimtarë, jam i bindur se duhet t’i njohim vlerat fetare të përbashkëta. Ideologjitë dhe parullat nuk do të na ndihmojnë të përballemi me problemet e shoqërisë dhe të jetës sonë të përditshme. Vetëm vlerat shpirtërore dhe morale mund ta bëjnë këtë, falë Zotit ”dhe mëshirës së Tij.

16 maj 2022, 14:41