Kërko

Papa Françesku: të mbrosh do të thotë të kesh kujdes

Papa takohet me vullnetarët e Mbrojtjes Civile Italiane: “Faleminderit për ndihmën dhe mirëpritjen në Itali të refugjatëve nga Ukraina, veçanërisht grave dhe fëmijëve që ikën nga kjo luftë absurde. E mira nuk bën zhurmë, por ndërton botën". “Të mbrosh, domethënë, të kujdesesh. Ne dimë ta bëjmë këtë butësisht, vetëm nëse e kuptojmë se jemi ne, që u mrojtëm të parët. Zoti është Atë, kujdeset për ne dhe nuk na lë kurrë pa dashurinë e Tij”.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku takohet me vullnetarët e Mbrojtjes Civile Italiane: “Faleminderit për ndihmën dhe mirëpritjen në Itali të refugjatëve nga Ukraina, veçanërisht grave dhe fëmijëve që ikën nga kjo luftë absurde. E mira nuk bën zhurmë, por ndërton botën”- kujtoi Papa dhe bëri thirrje për Tokën, që ngre zërin e bërtet: "kur çojmë dorën kundër saj, natyra na tregon fytyrën e saj mizore”

Mbrojtja! Folja “për të mbrojtur", tregon kujdesin e vëllait për vëllain, vëllazërinë konkrete, ruajtjen e jetës, duke vigjiluar”. Këto, fjalët që Papa Françesku ua drejtoi vullnetarëve të Shërbimit Kombëtar të Mbrojtjes Civile Italiane, të cilët i priti sot në audiencë. Pas falënderimeve për fushatën e vaksinimit kundër Covid dhe angazhimit për të mirëpritur refugjatët nga Ukraina, Papa u ndal te fjala “mbrojtje”:

Mbrojtja e parë për të cilën kemi nevojë - kujtoi Papa - është ajo, që na ruan nga izolimi shoqëror e domosdoshme për situatat që vijnë nga pandemia: “Kemi nevojë të kuptojmë dhe të shohim se jeta jonë varet nga ajo e të tjerëve dhe se e mira është ngjitëse. Kujdesi për vëllezërit na bën më të mirë, më të gatshëm, më solidarë. E njëkohësisht shoqëria jonë bëhet më e jetueshme” - tha Papa.

Vjen pastaj lufta, që është “dorëzim i aftësisë njerëzore për t’u mbrojtur"- thekosi Papa, duke kujtuar, më pas  fjalët e shqiptuara nga Shën Pali VI i cili, duke folur në OKB, pati theksuar me forcë: “Kurrë më luftë!” (4 tetor 1965) E përsërisim edhe ne sot, përballë asaj që po ndodh në Ukrainë dhe mbrojmë ëndrrën e njerëzve për paqen, të drejtën e shenjtë të popujve për paqe”- theksoi Françesku.

Vjen pastaj edhe mbrojtja nga fatkeqësitë ambientale: “Toka bërtet! Kur ne e prekim ku nuk duhet, natyra tregon fytyrën e saj mizore dhe e shtyp njeriun, e detyron të bërtasë sa i ha zëri nga frika, ndërsa Mbrojtja Civile është edhe shenjë kujdesi për territorin ku jetoni: ju jeni garnizon që shpëton jetët dhe promovon bashkësitë, të thirrur për ta mbrojtur botën, jo për ta plaçkitur”.

Së fundi, parandalimi.

“Duhen formuar ndërgjegjet, në mënyrë që të mirat e përbashkëta të mos braktisen a t’i shërbejnë vetëm pakicës. E duhet edhe të   sigurohemi që ngjarjet e pafavorshme të mos shkaktojnë fatkeqësi të pariparueshme mbi njerëzit. Në këndvështrim pozitiv, ka rëndësi edhe të edukosh për bukurinë e të ruash historitë dhe traditat e jetës, kulturat dhe përvojat sociale”.

Duhet edhe të mbrosh, përfundoi Papa:  “Të mbrosh, domethënë, të kujdesesh. Ne dimë ta bëjmë këtë butësisht, vetëm nëse e kuptojmë se jemi ne, që u mrojtëm të parët. Zoti është Atë, kujdeset për ne dhe nuk na lë kurrë pa dashurinë e  Tij”.

Në përfundim, Papa ia besoi vullnetarët e Mbrojtjes Civile Italiane “dëshmisë së ndritur të mbrojtësit të tyre, Shën Piut nga  Pietrelcina”.

23 maj 2022, 15:07