Kërko

Kupola e bazilikë së Shën Pjetrit Kupola e bazilikë së Shën Pjetrit 

Një rregulltar jo meshtar mund të bëhet epror i një instituti të jetës së shuguruar

Vendimi i Papës paraqitet me një Reskript, që hyri në fuqi sot: dikasteri për Jetën e shuguruar do t’i vlerësojë rast për rast kandidatët e mundshëm

R.SH. – Vatikan

Të emërohesh “epror”, edhe pa qenë meshtar, në krye të një instituti rregulltar, ose të një shoqërie të jetës apostolike të së drejtës papnore. Tani e tutje, kjo do të bëhet e mundur për ata, që janë pjesë e një familjeje rregulltarësh si “sodalë (bashkëpunëtorë) jo klerikë”, ose thjesht “vëllezër”, siç quhen në shumë kongregata.

Kështu vendosi Papa Françesku me një Reskript, që hyri në fuqi sot. Në një notë, njoftohet se ky dokument ndjek audiencën e 11 shkurtit me Kongregatën për Jetën Rregulltare, gjatë së cilës Ati i Shenjtë i pati caktuar asaj “detyrën për të autorizuar, sipas gjykimit të saj e në raste të veçanta” këtë mundësi,  gjithsesi, duke pasur parasysh, saktësohet në notë, “nenin 134 §1” të së Drejtës Kanonike (i cili përcakton cilët duhen zgjedhur normalisht ipeshkvij, ose eprorë).

Reskripti papnor i sotëm përmban 4 nene, të cilat përcaktojnë nivelet e ndryshme të autorizimit që një “fratel (vëlla)” të zgjidhet në krye të një instituti, si në rastin kur emërohet “epror lokal”, ashtu edhe në rastin kur emërohet “epror madhor”, ose zgjidhet si “moderator suprem, ose epror madhor”. Fjalën e fundit e thotë gjithnjë Kongregata për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, e cila - siç sqarohet në nenin e katërt – “i rezervon vetes të drejtën të vlerësojë çdo rast, si edhe arsyet e dhëna nga Moderatori Suprem, ose Kapitulli i Përgjithshëm”.

18 maj 2022, 13:13