Kërko

Kardinali Parolin në Cascia, bisedimet e paqes për Ukrainën, sa më shpejt

“Nga kjo tokë e besimit dhe e paqes, Umbria, lutem e shpresoj që bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë të fillojnë sa më shpejt të jetë dhe që, më në fund, të arrihet paqja aq e dëshiruar”. Këtë theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, gjatë Meshës në Cascia, me rastin e festës së Shën Ritës. Kardinali Parolin e kujtoi Ritën si “shenjtorja e së pamundurës dhe avokatja e rasteve të dëshpëruara”. Asaj iu lut e Asaj edhe ia besoi rrugëzgjidhjen e konfliktit në Ukrainë

R.SH. - Vatikan

Dje, më 22 maj, gjatë Meshës kur kremtohej vdekja e Shën Ritës,  Sekretari i Shtetit të Vatikanit kardinali Pietro Parolin, duke kujtuar lajmet e ditës, iu lut “Avokates së rasteve të pashpresa” të ndërmjetësojë për fundin e dhunës në Ukrainë.

“Nga kjo tokë e besimit dhe e paqes, siç është Umbria, lutem e shpresoj që bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë të fillojnë sa më shpejt  të jetë e mundur dhe që, më në fund, të arrihet paqja aq e dëshiruar”. Këtë theksoi  Sekretari i Shtetit të Vatikanit, gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Cascia, me rastin e festës së Shën Ritës. Hirësia e Tij Parolin e kujtoi Ritën si “shenjtorja e së pamundurës dhe avokatja e rasteve të dëshpëruara”. Asaj iu lut e Asaj edhe ia  besoi rrugëzgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

Shën Rita – pohoi kardinali Parolin - është emblemë e “virtytit të faljes, të paqes, të bamirësisë”. Asaj i luten besimtarët. Në duart e saj i lënë ligështitë njerëzore , me bindjen se do të ndërmjetësojë për ta pranë Hyjit.

“Edhe unë ia besoj asaj ndjetet e shumta të Atit të Shenjtë, Françeskut, zëri i të cilit ngrihet çdo ditë, që spiralja e kotë e vdekjes në Ukrainë të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur”.

Dhuna nuk është kurrë përgjigje dhe ngjarjet e jetës të gruas së përvuajtur të Rokaporenës na mësojnë - kujtoi Kardinali Parolin - se ajo nuk i zgjidh kurrë konfliktet, ndërsa i thellon pasojat e tyre dramatike.

“E përjetojmë çdo ditë këtë përvojë - përfundoi - dhe e pyes veten pse nuk arrijmë ta kuptojmë nga historia, nga aktualiteti. Përdorimi i dhunës është mënyra për t’i rënduar problemet, jo për t’i zgjidhur”.

23 maj 2022, 13:25