Kërko

Imzot Arellano: tё trajtohen nevojat urgjente të ushqyerjes së grupeve më të cenueshme

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë FAO-s, IFAD dhe WFP, foli në Konferencën e 33-të Rajonale të FAO-s për Evropën në Łódź, Poloni. Pasojat e luftës ndikojnë shumё në rritjen e çmimeve të ushqimeve e lëndëve të para dhe mund tё krijojnë tensione të reja me karakter social për shkak të mungesës së ushqimit dhe paarritshmërisë ekonomike e fizike të shtresave më të varfra të popullsisë.

R.SH. – Vatikan

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë FAO-s, IFAD dhe WFP, Imzot Fernando Chica Arellano merr pjesë në Konferencën e 33-të Rajonale të FAO-s për Evropën qё po mbahet në Łódź, tё Polonisё. Në fjalën e tij, të mbajtur në prani të autoriteteve të qeverisë polake dhe administratës lokale të Łódz, Imzot Arellano kujtoi se ajo "çfarë po ndodh rreth kufijve të Polonisë, në zemër të Evropës, si dhe në kontekste të tjera tё shkatërruara rёndё nga përdorimi i paarsyeshëm, i egër dhe i pajustifikuar i dhunës, e shqetëson tej mase Papën”.

Ekonomitë e brishta

Një shkak tjetёr tejet shqetёsues për të gjithë Selinë e Shenjtë, tha imzot Chica Arellano, është edhe "braktisja e fushave bujqësore nga aktivitetet ushtarake, dëmi i madh qё i ёshtё shkaktuar të mbjellave, mungesa e punës bujqësore për shkak të zhvendosjes së popullsive tё tёra, shkatërrimi i burimeve natyrore dhe i infrastrukturave”.

Pasojat e luftёs, shtoi imzot Arellano, "provokojnë edhe nё përkeqësimin e zinxhirëve të furnizimit, ndikojnë në rritjen e çmimeve të ushqimeve e tё lëndëve të para dhe krijojnë tensione të reja sociale për shkak të mungesës dhe paarritshmërisë ushqimore, ekonomike dhe fizike të shtresave më të varfra të popullsisë". Mё tej kanё edhe "një ndikim negativ në vendet me një ekonomi të brishtë që varet nga eksportet ukrainase dhe ruse". Punimet e  Konferencës sё 33-të Rajonale të FAO-s për Evropën në Lodz, në Poloni, u hap dje e do të përfundojë nesёr më 13 maj.

12 maj 2022, 17:28