Udha e Kryqit në Koloseum: nga familjet, lutja për paqe në Ukrainë e Rusi
R.SH. - Vatikan
Duke ndjekur këtë natë të madhe të Premtes së Madhe të Pashkëve Udhën e Kryqit të Jezu Krishtit pranë Koloseumit do të meditojmë për familjet në të përditshmen e tyre, për gëzimet, dashurinë, problemet bashkëshortore, shqetësimet për fëmijët, vuajtjet nga sëmundjet, dhimbjen për humbjen e bashkëshortit... E edhe për familjet, që jetojnë nën breshërinë e bombave. Si familjet ukrainase dhe ruse, të cilat prej më se një muaji janë protagoniste të një konflikti, që vijon të mbjellë mjerim, vdekje tragjike e ikje edhe më tragjike nga vendi. Në kërkim të ardhmërisë, diku… Ku të quajnë migrant, duke ta thelluar dhimbjen që ndjeve, kur le pas shtëpinë në flakë e familjarët diku, duke luftuar për të mbrojtur, çka nuk mund të dorëzohet! Histori reale. Konkrete.
Përmes këtyre pamjeve, sot, të Premten e Madhe, në Koloseum, do të mund të jetojmë disa çaste me Krishtin, mishëruar në jetën e përditshme të shumë vatrave familjare: vatra të ndezura e të shuara. Pikërisht familjet që i shkruan tekstet, na flasin sonte nga Amfitetari i Martirëve: një çift bashkëshortësh të rinj (Stacioni I); një familje në mision (Stacioni II); një çift bashkëshortësh pa fëmijë (Stacioni III); një familje e madhe (Stacioni IV); një familje me një fëmijë të gjymtë (Stacioni V); një familje që drejton një shtëpi-familje (Stacioni VI); një familje me prindër të sëmurë (Stacioni VII); një çift gjyshash (Stacioni VIII); një familje adoptuese (Stacioni IX); një e vejë me fëmijë (Stacioni X); një familje me një djalë meshtar (Stacioni XI); një familje që humbi një bijë (Stacioni XII); një familje ukrainase e një ruse (Stacioni XIII), e, së fundi, një familje migrante (Stacioni XIV).
Familjet, protagoniste në meditimet e Udhës së Kryqit
Papa deshi që familjet të ishin protagoniste të 14-të stacioneve, në këtë vit që u kushtohet, kur Kisha kremton 5-vjetorin e thirrjes apostolike Amoris laetitia; vit që do të përfundojë me takimin e 10-të botëror të familjeve në Romë, më 22 deri më 26 qershor. Dëshmitë, krahas rrugës së Krishtit drejt Kalvarit, përshkruajnë edhe çaste nga jeta e familjeve të ndryshme. Atyre familjeve, që i shkruan sivjet tekstet e Udhës së Kryqit e që sonte janë aty, në Amfiteatrin Flavian, ku këtë natë mbarë krishterimi mblidhet shpirtërisht në heshtje e lutje, nën Kryqin e vdekjes së Jezusit, që duket sikur shuan çdo shpresë, në pritje të lajmit të padëgjuar kurrë, kumtit të Ringjalljes! Që i rindez shpresat e shuara të njerëzimit në shekuj!
Një martesë e freskët dhe një çift në mison
Të udhëtosh me Jezusin, do të thotë të ecësh nëpër stinët e jetës, edhe pse 14 stacionet e sontme nuk e ndjekin plotësisht traditën. Por kjo nuk të çudit, nga që dihet se Udha e Kryqit ka pasur e ka modele të ndryshme. Udha e Dhimbshme sivjet hapet nga një çift, martuar prej dy vjetësh. Në reflektimin e tyre ndjehet lumturia për hapat e para në rrugën e re, së bashku, por edhe frika për ardhmërinë: frika e ndarjes, që për fat të keq, kërcënon shumë bashkëshortë të rinj. Pasojë e keqkuptimeve, e vështirësive të jetës.
Më pas, meditimi i një familjeje në mision, që u nis për ta çuar dashurinë e Krishtit, atje ku nuk njihet. “Nuk është e lehtë të jetosh vetëm me besim e bamirësi” - kujtojnë bashkëshortët, të cilët ia besojnë plotësisht veten vetëm Provanisë Hyjnore.
Nganjëherë, përballë dhimbjes dhe vuajtjes së një nëne, që vdes në botën lindore, nën bomba - na kujton Stacioni II - ose të një familjeje të rrënuar nga lufta, uria, shpërdorimet, të lind pa dashur në shpirt tundimi për t’iu gjegjur “shpatës me shpatë”. Ose për të ikur nga sytë këmbët… Gjë që do të thotë t’i tradhtosh vëllezërit më të varfër, që janë Korpi i Krishtit në botë e na kujtojnë se Zoti është i gjallë, mes nesh”.
Të pafëmijët
Aty, nën hijen e Kryqit, janë edhe çiftet e pafëmijë. Ecin dorë për dore, duke u kujdesur për të tjerët, gjë që ua mbush plot djepat e zbrazët, duke i nxitur, me kohë, të bëhen shtëpi-familje: prindër me shumë fëmijë!
Tejet i rëndë është kryqi, për ata që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, të cilët, në Stacionin III, turma i quan barrë e rëndë. Po prindërit mësojnë nga Krishti për ta mbartur me dashuri të pafundme këtë kryq, larg nga gjykimet e padrejta të botës.
Krishti fshikullohet e kurorëzohet me kurorë ferrash - na kujton Stacioni IV, i medituar nga dy bashkëshortë të martuar prej 42 vjetësh, që u fali Zoti 3 fëmijë, 9 nipa e mbesa e 5 fëmijë të bijësuar, me probleme mendore. “Nuk e merituam një bekim të tillë - pohojnë - Atyre, që besojnë se nuk është njerëzore t’i braktisësh krijesat që vuajnë, Shpirti Shenjt “ua kthen dhimbjen në dashuri”.
Në Stacionin XI, kur “Jezusi i premton parajsën hajdutit të mirë” takohemi me dy prindër, të cilët në fillim nuk deshën që djali i tyre të bëhej prift. Tani e quajnë veten fajtorë, që e kundërshuan këtë thirrje. Ndaj rrëfehen para Zotit me fjalë prekëse: “Ne jemi vazo - Ti, deti. Jemi shkëndijë -Ti je zjarri. Jemi “hajduti i mirë”, e ti na siguron se do të mendosh për ne, kur të hysh në mbretërinë tënde”.
Në Udhën drejt Golgotës kujtohet edhe një burrë qi i bën ballë sëmundjes së gruas. Pas tij, dy pensionistë, të cilët shpresonin të kalonin një pleqëri të qetë, ndërsa u duhet të mbështesin familjet e vajzave, që kalojnë çaste të vështira e të bijve të tyre. Edhe pse të ngarkuar me këtë kryq, ata e ndjejnë veten si oksigjen për familjet e bijve, sepse nëna e babai mbeten prindër për gjithë jetën!
Një familje ruse e një ukrainase e mbartin së bashku Kryqin
Duke ndjekur stacionet e fundme, arrijmë në këto ditë që bota po i jeton e mbërthyer nga ankthi. Do ndjehen fort në amfiteatër përmes pranisë së një familjeje ruse e një tjetre, ukrainase, që besojnë se gjithçka do të ndryshojë e që i lypin Zotit me lot në sy, që hakmarrja t’ia lëshojë vendin faljes; vdekja, ringjalljes. E, të vetëdijshme për vështirësitë e pajtimit të dy vendeve, i kërkojnë Zotit të flasë në heshtjen e vdekjes e të rrënimit, për t’u mësuar të gjithëve “të zgjedhin rrugën e paqes, të jenë vëllezër e motra, të rindërtojnë, çka bombat deshën ta kthejnë në varrezë”.
Kryqi, simbol bashkimi, për Evropën e copëtuar
Së fundi, një familje migrantësh, që e quan vetën barrë për vendin mikpritës. “Këtu quhemi numra, kategori - kujtojnë - Ndonëse jemi diçka më shumë se migrantë; jemi njerëz!”- këto, fjalët që shqiptohen në Stacionin XIV, kur Krishtin e zbresin në varr! Po nuk ka dëshpërim të pashpresë në fjalët e tyre. Duke kujtuar Varrin e Krishtit, pohojnë, plot optimizëm: “E dimë se guri i madh, që mbyll portën e varrit, një ditë do të flaket tutje e do të nisë jeta e re në Krishtin!”.