Të krishterë e myslimanë së bashku, për të ndarë gëzimet e hidhërimet
R.SH. – Vatikan
Edhe një herë, emergjenca shëndetësore nxit reflektime mbi ndryshimet, që ka shkaktuar pandemia në jetën e çdo njeriu. Mesazhi i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, drejtuar gjithë myslimanëve të botës për muajin e Ramazanit, përqendrohet pikërisht në temën: “Të krishterë e myslimanë: ndajmë së bashku gëzime e hidhërime”. Në tekst theksohet rëndësia e përjetimit të përbashkët të çasteve të errëta të historisë, por edhe të atyre plot dritë, sepse “dashuria e Zotit përqafon çdo njeri dhe gjithë universin”.
E kemi për detyrë të mbështesim njëri-tjetrin
“Ndërsa kremtoni muajin e Ramazanit i cili përfundon me ‘Id al-Fitr (Fitër Bajramin), - lexohet në tekst – falënderojmë Zotin e Gjithëpushtetshëm, që na ka mbrojtur të gjithëve me Provaninë e Tij. Lutemi për të vdekurit e të sëmurët, me dhimbje e shpresë”. Pandemia, shkruhet në Mesazh, i ka nxitur të gjithë ta kuptojnë nevojën për të ndarë jo vetëm të mirat materiale si “ajri, uji, jeta, ushqimi, strehimi”, por edhe “frytet e përparimit në fushën mjekësore dhe farmaceutike, rezultatet e shkencës dhe përparimin teknologjik në fusha të ndryshme”. Kjo do të thotë t’u qëndrojmë pranë së bashku – të krishterë e myslimanë - njerëzve në nevojë, pasi kjo është detyrë, sidomos ndaj atyre, që kanë mbetur pa punë, ose kanë probleme ekonomike, për shkak të koronavirusit.
Jemi të gjithë vëllezër e motra
Bashkëpunimi dhe përjetimi i përbashkët, nënvizohet më tej, motivohet me “vetëdijen se gjithçka kemi e jemi është dhuratë e Zotit, prandaj, për rrjedhojë, duhet t’i vëmë talentet në shërbim të të gjithë vëllezërve dhe motrave, duke e ndarë me ta çdo gjë”. Ndër gëzimet për t’u përjetuar së bashku, vërehet në tekst, janë edhe festat fetare.
E në rastin e Ramazanit, të krishterët, pohohet në Mesazh, “e ndajnë së bashku me myslimanët gëzimin për kremtimin e festës, pa pasur nevojë ta bëjnë të tyren përmasën fetare të kësaj së kremteje”. Edhe në dhimbje, vijon Mesazhi, kemi nevojë për afërsinë dhe solidaritetin e miqve. Me shpresën që edhe asaj t’i bëhet ballë së bashku, pasi jemi pjesë e së njëjtës familjeje njerëzore, të gjithë motra e vëllezër, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar u uron myslimanëve “Ramazan të paqtë dhe të frytshëm dhe një kremtim të gëzueshëm të ‘Id al-Fitr (Fitër Bajramit)”.