Papa Françesku dhe nevoja për një OKB më të frytshme
R.SH. - Vatikan
“Në luftën e sotme në Ukrainë, shikojmë paaftësinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.
Fjalët e Papës Françesku në audiencën e përgjithshme vijojnë të kenë jehonë të madhe në mbarë botën. E jo më pak të rëndësishme, edhe ato, që e pasuan këtë deklaratë. Janë premisa të konstatimit të hidhur: "Pas Luftës së Dytë Botërore, u bënë përpjekje për të hedhur themelet e një historie të re me paqe, por fatkeqësisht - nuk mësojmë kurrë - vijoi historia e vjetër e fuqive të mëdha, gjithnjë në konkurrencë".
Papa Françesku beson fuqimisht në rolin e Kombeve të Bashkuara dhe në vlerën e multilateralizmit. Një bindje edhe më e fortë, në këtë “ndryshim epoke” që po jetojmë, duke kërkuar mundimshëm një horizont të ri bashkëjetese për njerëzimin. Në gjurmët e paraardhësve të tij - posaçërisht të Palit VI, Gjon Palit II dhe Benediktit XVI - Françesku i shumëfishoi gjestet dhe fjalët në mbështetje të Kombeve të Bashkuara, duke inkurajuar procesin e reformave, që kërkohet veçanërisht nga vendet dhe popujt, të cilët vuajnë më shumë nga pasojat e pafuqishmërisë për t’i zgjidhur problemet e tyre, siç na e kujton Papa.
Duke folur, më 25 shtator 2015, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Françesku pati deklaruar se "reforma dhe përshtatja me kohën janë gjithmonë të nevojshme, nëse duam të përparojmë drejt qëllimit përfundimtar që t’u njihet të gjitha vendeve, pa përjashtim, e drejta për të marrë pjesë e për të ndikuar realisht mbi të gjitha vendimet”. Që në vitet e para të papnisë së tij, Françesku pati theksuar "nevojën për barazi më të madhe", veçanërisht "për organet ekzekutive, si Këshilli i Sigurimit, organet financiare dhe grupet ose mekanizmat e krijuara posaçërisht për t'u marrë me krizat ekonomike”.
Ndaj e pati përfunduar fjalimin, mbajtur në selinë e OKB-së, duke përsëritur se ishte i nevojshëm fuqizimi i kësaj Organizate. “Organizimi i lavdërueshëm ligjor ndërkombëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara” - pati vënë në dukje - mund të jetë premtim i ardhmërisë së sigurt dhe të lumtur për brezat e ardhshëm. E kështu do të jetë, nëse përfaqësuesit e Shteteve do të mund t’i lënë mënjanë interesat dhe ideologjitë sektoriale, për t’u vënë sinqerisht në shërbim të së mirës së përbashkët”. Koncepte, që Papa i ripohoi në nëntor të po atij viti, gjatë vizitës në selinë e Kombeve të Bashkuara, në Nairobi.
Përsa i përket kujdesit ndaj shtëpisë së përbashkët, zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, zhvillimit ekonomik të njerëzve dhe popujve, Papa dhe Selia e Shenjtë i konsiderojnë Kombet e Bashkuara forumin më të përshtatshëm ndërkombëtar për të gjetur një pikë pajtimi ndërmjet instancave dhe interesave të ndryshme. Në dhjetor 2019, në një video-mesazh të përbashkët, Papa dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, patën ripohuar se “besimi në dialogun ndërmjet njerëzve dhe ndërmjet kombeve, në multilateralizmin, në rolin e organizatave ndërkombëtare, në diplomacinë parë si mjet mirëkuptimi, është themelor për ndërtimin e një bote paqësore”.
Disa muaj më vonë nisi pandemia e Covid-19. E atëhere Papa i kujtoi mbarë njerëzimit se jemi të gjithë në të njëjtën barkë. “Pandemia - pati vërejtur në një videomesazh me rastin e 75-vjetorit të themelimit të OKB-së, më 25 shtator 2020 - po na tregon se nuk mund të jetojmë pa njëri-tjetrin, a më keq akoma, njëri kundër tjetrit. Shtetet e Bashkuara u krijuan për t’i bashkuar kombet, për t’i afruar, si urë lidhëse ndërmjet popujve”. E pati shtuar edhe se "bota jonë në konflikt ka nevojë që OKB-ja të bëhet laborator gjithnjë e më efektiv për paqen, gjë që u kërkon anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, të veprojnë me më shumë guxim, më në unitet, më vendosmërisht”.
Reforma e Kombeve të Bashkuara kujtohet edhe në Enciklikën “Fratelli tutti”. Françesku i kushton një paragraf të tërë temës, të 173-tin (Gjoni XXIII, në “Pacem in Terris” i pati kushtuar OKB-së paragrafin e 75- të). Sipas Papës, kjo reformë është e nevojshme “për ta bërë konkret konceptin e familjes së kombeve”. Me një ndjenjë që e nxiti të shprehë edhe fjalët e pardjeshme, ai paralajmëron gjithashtu se “duhet shmangur delegjitimimi i kësaj Organizate, mbasi problemet dhe të metat e saj mund të trajtohen dhe zgjidhen bashkërisht”.
Kombet e Bashkuara nuk ekzistojnë - duket sikur thotë Papa - nëse kombet nuk janë të bashkuara, nëse nuk merren vesh e nuk kërkojnë me guxim rrugën e mirëkuptimit. Si kur bëhet fjalë për fundin e një lufte, ashtu edhe për patentat e vaksinave a për luftën kundër ngrohjes globale, të gjithë duhet të jenë të gatshëm të "humbasin" pak, në mënyrë që të gjithë të fitojnë shumë së bashku. Është në lojë sfida më e rëndësishme: e ardhmja e njerëzimit.